/ATSH-ANSA/ - Kievi ka firmosur kontrata për import armësh, madje edhe vdekjeprurëse, me 11 vende të Bashkimit Evropian, deklaroi dje në mbrëmje presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, në televizionin ukrainas "1+1", cituar nga agjencia ruse e lajmeve, Interfax.
Megjithatë, Poroshenko nuk bëri të ditur emrat e këtyre vendeve, madje as marrëveshjet për armët e ashtuquajtura vdekjeprurëse.
"Nëse do të ketë një fazë të re agresioni kundër Ukrainës, atëhere mund të konfirmoj se do të marrim menjëherë si armë vdekjeprurëse ashtu edhe një valë të re sanksionesh", theksoi Poroshenko.
Ai shtoi se kishte besim se Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera do të mbështesnin vendin e tij në luftën për sovranitet dhe integritet territorial.