Porosia e Gaianit: Reformoni
Drejtësinë edhe pa konsensus

Porosia e Gaianit: Reformoni<br />Drejtësinë edhe pa konsensus
TIRANE - Pas katër vitesh largohet nga Shqipëria i prekur. “Pjesërisht kundërshtoj atë thënien e famshme – rrëfen Massimo Gaiani – nuk erdha në Tiranë duke qarë, por është e vërtetë që largohem me lot në sy”. Mandati i tij si ambasador i Italisë në Shqipëri mbyllet formalisht me 19 tetor. Prej 20 tetorit merr detyrën si Drejtor i Përgjithshëm i Globalizimit në Ministrinë e Jashtme në Romë.

Do të merret me energjinë, mjedisin dhe organizata ndërkombëtare me karakter ekonomik për Azinë, Amerikën Latine dhe Afrikën Sub Sahariane.
 
Ju pret një impenjim i bukur ambasador. Por në hartën e madhe të kompetencave tuaja të reja mungon pikërisht Shqipëria…
“Është e vërtetë, Europa është jashtë mandatit tim dhe si rrjedhojë edhe Shqipëria. Por nuk do të mjaftojë kjo për të ndërprerë marrëdhëniet e mia me këtë vend të mrekullueshëm”.
 
Largoheni me lot në sy?
“Është e vërtetë, e pranoj. Unë mora detyrën time në Tiranë me 5 dhjetor 2011 dhe kujtoj që nga dita e parë, që nga impakti i parë me Shqipërinë u ndjeva si në shtëpi. I paraqita kredencialet e mia presidentit të vendit, Bamir Topi, dhe vetëm fakti që takova një president republike që fliste në mënyrë perfekte italishten më përcolli një ndjenjë familjariteti të madh. Impakti i parë ishte absolutisht pozitiv dhe më duhet të them se ajo përshtypje me kalimin e kohës vetëm u përforcua. Tani që po largohem, po provoj ndjenja shumë të forta”.
 
Çfarë ka ndryshuar mes Shqipërisë së katër viteve më parë dhe Shqipërisë që sot lini pas?
“Kujtoj se Tirana ishte shumë kaotike, në ato muaj të 2011 po kryeheshin punime  në Sheshin Skëndërbej dhe trafiku ishte çmendur, perceptohej se ndodheshe në një qytet të pushtuar nga një lëvizje e çrregullt.

Sot Tirana është shumë më e rregullt, po hiqen edhe kabllot dhe fibrat optike që përshkonin rrugët nga një pallat në tjetrin. Katër vite më parë lëvizej me eskortë të armatosur, 4 ushtarakë të “Tuscania”-s që ruajnë ambasadorët tanë dhe në Siri apo Irak: Pas një viti kërkova të mos i kisha më, duke konsideruar se mund të ishin më të dobishëm në seli të tjera.”
 
Po nga këndvështrimi politik, cili qe impakti?
“Shqipëria ishte dhe është edhe sot  një vend me marrëdhënie shumë intensive me Italinë, kështuqë nga këndvështrimi i një diplomati është një seli impenjative. Unë nuk kisha pasur asnjë kontakt në të kaluarën, nëse përjashtoj periudhën në vitin 1999 kur ndodhesha në Washington pranë Departamentit  Amerikan të Shtetit  dhe ndiqja negociatat mbi Paktin e Stabilitetit: atëherë nisa të thelloj njohjen  e marrëdhënieve me Shqipërinë. Natyrisht mes kolegëve flitej për këtë vend dhe për krizat që kalonte, edhe pse nga momenti i mbërritjes time këtu krizat e mëdha ishin tejkaluar.”
 
Cili është momenti më i vështirë që kujtoni?
“Ai më intensivi dhe më delikati ishte ndoshta negociata për të bindur opozitën e atëhershme socialiste të aprovonte tre ligjet të konsideruara si kusht nga Bashkimi Europian për dhënien e statusit  të vendit kandidat. Ishte një moment shumë i vështirë, që megjithatë si Itali u bëmë dhe përcjellës të shqetësimeve të Partisë Socialiste duke i ndihmuar në një farë mënyrë të kapërcenin shqetësimet e tyre.”
 
Historia juaj profesionale tregon se ju jeni nje europianist i bindur. Si e shihni rrugëtimin e ardhshëm të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, duke filluar nga raporti i ardhshëm që pritet pas pak javësh...
“Unë besoj se raporti do të jetë në përmbajtje pozitiv, sepse Shqipëria vazhdon të bëjë progres të vazhdueshëm...”
 
Për shembull?
“Në administratën publike për shembull dhe pastaj në zhvillimin e zgjedhjeve administrative që ishin korrekte dhe në përgjithësi me aplikimin e demokracisë: Sepse sido që ta shohësh, Shqipëria sot është një vend demokratik, në të cilin opozita është e lirë të shprehet edhe pse mes përballjeve shumë të ndezura.

Mbetet akoma shumë për të bërë në sektorin e Drejtësisë: kjo është nyja e vërtetë thelbësore. Eshtë bërë një pjesë e rrugëtimit me hartimin e një boceti të parë të reformës kushtetuese, por edhe kjo duhet kompletuar”.
 
Mendoni edhe ju se reforma e drejtësisë duhet të ketë konsensusin e të gjitha palëve?
“Konsensusi absolut është një faktor frenues, ndërkohë që duhet dialog dhe mirëkuptim. Kuorumi i lartë për të  aprovuar një reformë kushtetuese është në vetvete një formë garancie. Më vjen mirë që pas një refuzimi në fillim, opozita po fillon të kundërshtojë ndonjë gjë, që është gjithësesi një shenjë pjesëmarrje”. 
 
Mund të  bëni një parashikim për vitin kur Shqipëria do të hyjë tërësisht në Bashkimin Europian?
“Një datë më duket e vështirë: Mund të them që nuk parashikoj një pranim të afërt, por jam po aq i sigurtë që ky pranim do të ndodhë”.
 
Cilat kanë qenë marrëdhëniet tuaja me dy kryeministrat që keni punuar: Sali Berisha më parë dhe më pas Edi Rama?
“Me Sali Berishën, nga këndvështrimi institucional, kemi pasur marrëdhënie shumë intensive, ashtu si dhe me Edi Ramën: duhet të pranoj se që të dy kanë pasur gjithnjë vëmendje të madhe drejt Italisë dhe ndërmarrjeve italiane, duke dëgjuar maksimalisht. Me Edi Ramën ndoshta kam pasur më shumë ngjasi kulturore dhe personale dhe më ka qëlluar të bëj edhe më shumë gjëra bashkë me të.

Shpesh e kam shoqëruar në udhëtimet e tij italiane gjatë takimeve të ndryshme me sipërmarrës, duke pasur nderin dhe kënaqësinë ta shoqëroja kështu edhe në vendin tim”.
 
Sa i takon sipërmarrësve italianë: vazhdojnë të tregojnë gjithnjë shumë interes ndaj Shqipërisë, por investime konkrete duken akoma pak. Si e spjegoni?
“Eshtë e vërtetë, ka interes të madh drejt Shqipërisë, me faktorë shumë pozitivë që sipërmarrësit i marrin në konsideratë. Por është edhe po aq e vërtetë që janë akoma në fazën e studimeve dhe të analizave dhe ky hezitim besoj se rrjedh nga faktorë të ndryshëm”.
 
Cilët për shembull?
“Problemi i parë është funksionimi i dobët i drejtësisë:  një sipërmarrës ka nevojë për qartësi dhe mbrojtje juridike. Dhe ka nevojë për rregulla të qëndrueshme: ndërsa disa akte të qeverisë janë shqetësuese, si për shembull rivendosja në diskutim e koncesioneve të firmosura nga qeveritë e mëparshme. Episode të tilla, dekurajojnë.

Një tjetër aspekt  i rëndësishëm është logjistika akoma e dobët: Sipërmarrësit duhet të gjejnë vënde fikse për të prodhuar. Për këtë arsye unë jam një mbështetës i apasionuar i zonave industriale, që mendoj se janë mes atyre gjërave që janë në gjendje të transformojnë interesin e përgjithshëm në një investim konkret.”
 
Ka ndonjë faj edhe nga ana e sipërmarrësit italian...
Me siguri po. Për shembull sipërmarrësi italian nuk dëshiron të investojë paratë e veta. Pastaj duhet sqaruar dhe një pikë tjetër: Nuk është më koha për atë lloj sipërmarrësi që beson të vijë në Shqipëri dhe të gjejë një vend ku njerëzit nuk dinë të bëjnë gjërat.  Këtu ka sipërmarrës shqiptarë të aftë dhe gjërat bazë i bëjnë vetë. Kush vjen nga Italia nuk mund të mendojë të bëjë gjëra të çfarëdoshme, por duhët të sjellë know-how  si një vlerë të shtuar”.
 
Duke e parë mirë, prania italiane këtu përbëhet nga shumë sipërmarrje të vogla dhe të mesme. Vazhdon të mungojë sipërmarrja e madhe italiane. Përse?
“Ndoshta sepse edhe në Itali sipërmarrjet e mëdha kanë nisur të pakësohen. Jemi të gjithë në kërkim të sipërmarrjeve të mëdha, që sjellin know-how të rëndësishëm. Eshtë një fakt që sipërmarrjet italiane në Shqipëri kanë humbur rastin e privatizimeve në sektorët strategjikë, si banka, energji, telekomunikacione. E kanë bërë këtë turqit, grekët, austriakët, por jo italianët.
 
Cili është projekti, gjatë mandatit tuaj në Shqipëri, për të cilin jeni më shumë krenar?
“Kemi bërë vërtetë shumë gjëra dhe kemi realizuar projekte shumë të rëndësishme. Rritëm vëmëndjen mbi sipërmarrjet italiane, kryem një fushatë për mësimin e italishtes, zgjuam projekte të Cooperacionit të cilat po flinin. Por një gjë që e kam vërtetë për zemër është ristrukturimi i rezidencës diplomatike italiane:

Një ndërtesë e ndërtuar nga italianët në vitin 1925 që gjatë regjimit u përdor si muze i Stalinit dhe Leninit e që iu kthye qeverisë italiane në vitin 1991. Për 20 vite rresht nuk ishte bërë asnjë ndërhyrje deri në ardhejn time, kur arrita ta restauroja duke e kthyer në një vend besoj të veçantë dhe të përshtatshëm për prezantimin e veprave të artit. Mbi ristrukturimin e Rezidences italiane po përgatis dhe një libër”.
 
Në fakt, rezidenca italiane është në qendër të jetës politike dhe kulturore të Tiranës, vend takimi politikanësh edhe pse kundërshtarë dhe i shumë intelektualëve...
“Ndoshta nuk është rastësi që një nga shqiptarët e parë që kam njohur këtu në Tiranë ishte Artan Shabani, në atë kohë një galerist dhe piktor që jetonte në Itali, ndërsa sot drejtor i Galerisë Kombëtare. Prej tij kam marrë shumë këshilla në fushën e artit.”

A besoni se në vitet e fundit megjithatë pesha e Italisë jashtë ka pësuar rënie?
“Kishte një periudhë në të cilën Italisë i është dashur të përballojë probleme shumë të rënda brenda saj dhe në një mënyrë u mbyll në vetvete. Eshtë një gjendje e kapërcyer tashmë dhe sot Italia synon të luajë rolin e vet në një logjikë mbështetjeje të fortë drejt integrimit”
 
Ndërkohë kemi parë avancimin e Gjermanisë drejt Ballkanit...
“Deri dy vite më parë Gjermania nuk tregonte asnjë interes ndaj Ballkanit dhe tregohej edhe shumë e ngurtë  në procesin e zgjerimit. Pastaj vumë re një ndryshim të shpejtë, që Italia e mirëpriti, pasi Gjermania nisi të thotë të njëjtat gjëra që thonim ne prej kohësh, duke nisur që nga rëndësia e bashkëpunimit në rajon.

Ajo që nuk dëshirojmë është që kjo rrjedhë e re të perceptohej dhe identifikohej vetëm si një meritë e Gjermanisë, ndërsa kostot të shkarkoheshin në gjithë bilancin e Bashkimit Europian”.
 
Italia ishte dhe ndër vendet e para që synoi dhe pajtimin mes Shqipërisë dhe Serbisë...
“Jemi  jashtë mase të kënaqur me evoluimin pozitiv të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Shqipërisë dhe se avantazhet që lindin nga ky rrugëtim prodhojnë të mira për të gjithë”.
 
Dialogu mes Tiranës dhe Beogradit në një mënyrë po kalon dhe përmes futbollit. Jeni i kënaqur që një tjetër italian, Gianni De Biasi, është protagonist?
Eshtë me të vërtetë një  rrethanë e bukur që trajneri i Kombëtares shqiptare është një italian. De Biasi ka treguar korrektësi të madhe si njeri dhe si sportiv, duke shtyrë dhe gjithë djemtë e skuadrës së tij të bëhen një shembull pozitiv”.
 
Pas disa orësh, ju zoti ambasador, do të lini Shqipërinë. Nëse do ta përcaktonit me tri fjalë eksperiencën tuaj, cilat do të zgjidhnit?
“Eshtë një vend me emocione të forta, ndonjëherë të bën të ndjehesh humbës, por nuk është asnjëherë e mërzitshme”

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 17Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Në kërkim për tentativë vrasje, 48 vjecari arrestohet teksa po tentonte të ikte nga Morina (EMRI)

Në kërkim për tentativë vrasje, 48 vjecari arrestohet teksa po tentonte të ikte nga Morina (EMRI)