Në diskutimin për projektligjin e “Portës së Alpeve”, paketa e huasë prej 100 milionë eurosh e dedikuar për qarkun e Shkodrës, deputetja e PD për Shkodrën, Greta Bardeli, pyeti cila është garancia që ky projekt s’do të jetë thjesht propagandë e borxh publik ndërsa kërkoi transparencë.
Ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, tha se i duket e çuditshme që një pyetje e tillë vjen nga një deputete e qarkut, e cila duhet të jetë krenare për paketën.
“Më duket e çuditshme. Ju znj. deputete duhet të jeni e para që ta mbështesni këtë masë. Ky projekt shkon ekskluzivisht për qarkun e Shkodrës. Kjo masë investimi dhe planifikimi për qarkun e Shkodrës ka të bëjë me masa infrastrukturore, por jo vetëm, për ndërlidhjen e qarkut të Shkodrës dhe Alpeve. Është një paketë 100 milionë euro për qarkun e Shkodrës dhe ti duhet të jesh krenare. Ju thjesht nuk e doni këtë projekt dhe e përdorni thjesht për politikë. Nëse s’jeni dakord, s’ka problem, këto investime do të vijnë”, tha ministri.
Kërkesës së Eno Bozdos që të “rendiste vendet që do të përfitojnë nga paketa pa parë celularin” duke shtuar më pas se një marrëveshje e tillë ndikon te borxhi publik, Karakaçi iu përgjigj:
“Të garantoj që s’kam nevojë për celularin për ta parë. Sugjeroj që ai që është dashamirës për qarkun e Shkodrës ta votojë. Ke kaluar me dhjetëra marrëveshje huaje, tani ngre çështjen e borxhit publik”, tha Karakaçi.
Pyetjes së Ina Zhupës pse Ministria e Turizmit nuk është në dijeni, Karakaçi tha se institucioni nuk merret me specifikimin e projekteve. Më tej, ajo tha se “Porta e Alpeve” ka lidhje me “Paketën e Maleve.”
“Është e lidhur 100% me Paketën e Maleve sepse i keni lënë projektet e hapura që aty të shtrini investimet publike të rrugëve apo nevojave të tjera”, tha Zhupa.
Karakaçi mohoi lidhjen mes dy investimeve, ndërsa ritheksoi se një paketë e tillë duhet të ishte miratuar më parë.
“Paketa e Maleve ka të bëjë me investime private, këtu kemi të bëjmë me investime publike. Do bëj maksimumin si shkodran që këto investime të bëhen sa më shpejt për qarkun e Shkodrës”, tha Karakaçi.
Pavarësisht debateve, projekti u miratua me 76 votat e mazhorancës.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, gjatë fjalës së tij në Kuvend është ndalur te raporti i IBAR të Bashkimit Europian për Shqipërinë, duke deklaruar se dokumenti përputhet plotësisht me qëndrimet që opozita ka mbajtur prej kohësh mbi situatën në vend.
Bardhi tha se mazhoranca po përpiqet të shmangë lidhjen mes çështjeve të korrupsionit dhe procesit të integrimit europian, ndërsa sipas tij raporti i BE-së i referohet qartë problematikave që lidhen me aferat në sektorin publik.
“Jua ka zbardhur media, meqë thoni IBAR nuk ka lidhje me Ballukun. E lexuat apo edhe atë bëtë sikur nuk e lexuat”, u shpreh Bardhi nga foltorja e Kuvendit.
Ai citoi pjesë nga raporti i IBAR, ku thuhet se korrupsioni mbetet i përhapur në shumicën e fushave të jetës publike dhe biznesit në Shqipëri.
“Megjithatë, BE-ja thekson se korrupsioni mbetet i përhapur në shumicën e fushave të jetës publike dhe biznesit, përfshirë të gjitha degët e qeverisjes qendrore dhe vendore, si edhe institucionet, duke mbetur një çështje me shqetësim serioz”, citoi Bardhi nga raporti.
Sipas tij, dokumenti i Bashkimit Europian evidenton si sektorë me risk të lartë korrupsioni infrastrukturën publike, prokurimet publike dhe kontratat e Partneritetit Publik-Privat.
“BE-ja thekson se këto masa tani duhet të zbatohen me vendosmëri dhe të japin ndikim veçanërisht në sektorët më të rrezikuar nga korrupsioni, mbi të gjitha në infrastrukturën publike, kadastrën dhe të drejtat e pronësisë, doganat, administratën tatimore, arsimin, shëndetësinë, prokurimet publike dhe kontratat e Partneritetit Publik-Privat”, vijoi ai.
Në fjalën e tij, Bardhi ndaloi edhe te çështja e zgjedhjeve, duke theksuar se raporti i IBAR kërkon masa konkrete për garantimin e barazisë mes palëve politike.
“Ju keni thënë s’kemi probleme me zgjedhjet, por IBAR thekson se duhen marrë masa të krijohet barazi mes palëve, ndërsa shton se duhet të zhduket rrjeti i patronazhistëve”, deklaroi Bardhi.
Në përfundim, ai tha se mazhoranca tashmë është e detyruar të zbatojë rekomandimet e Bashkimit Europian.
“Meqë deri tani nuk e keni dëgjuar opozitën që nuk ka thënë asnjë germë ndryshe nga sa ju ka thënë BE në IBAR, jeni të detyruar të zbatoni tani atë që ju kanë kërkuar 27 vendet e BE-së”, përfundoi Bardhi.
Zv.kryetarja e Komisionit për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, Evis Kushi, është shprehur se projekti ‘Porta e Alpeve’ nuk është thjeshtë një investim në infrastrukturë, por një perspektivë zhvillimi për të gjithë Shqipërinë e veriut.
Komentet Kushi i bëri nga foltorja e Parlamentit, ku tha se një dimension i rëndësishëm i këtij projekti do të jetë ndikimi që ai do të ketë te arsimi dhe te të rinjtë.
Sipas Kushit, projekti Porta e Alpeve krijon nevoja të reja për tregun e punës, për guida turistike të certifikuara, për specialistë të hoteleri-turizmit, për profesionistë të transportit, menaxhimit mjedisor, teknologjisë, shërbimeve dhe trashëgimisë kulturore.
“Porta e Alpeve nuk është thjeshtë një ndërtim në infrastrukturë. Por bëhet fjalë për një perspektivë zhvillimi për të gjithë Shqipërinë e veriut. Për herë të parë synohet për t’u ndërtuar një korridor i integruar zhvillimi, që lidh Aplet shqiptare me Shkodrën, me liqenin e Shkodrës, me lumin Buna, me Velipojën, me Shëngjinin dhe bregdetin Adriatik.
Kjo do të thotë më shumë lidhje infrastrukturore, më shumë ekonomi lokale, më shumë turizëm dhe më shumë mundësi për qytetarët tanë. Unë si nënkryetare e Komisionit të Arsimit desha të ndalem pak te një dimension i rëndësishëm i këtij projekti. Ndikimi që ai do të ketë te arsimi, te të rinjtë dhe te arsimi profesional. Sepse zhvillimi nuk ndërtohet vetëm me investime fizike, por me njerëz të përgatitur, me të rinj që kanë perspektivë në vendin e tyre.
Konkretisht projekti Porta e Alpeve krijon nevoja të reja për tregun e punës, për guida turistike të certifikuara, për specialistë të hoteleri-turizmit, për profesionistë të transportit, menaxhimit mjedisor, teknologjisë, shërbimeve dhe trashëgimisë kulturore.
Prandaj investimi në infrastrukturë duhet të ecë paralelisht me investimin në arsimin profesional dhe kapitalin njerëzor. Kjo është një thirrje për institucionet tona, qëndrore e vendore”, deklaroi mes të tjerash Evis Kushi.
Gjatë diskutimeve në parlament mbi projektin “Porta e Alpeve”, deputetja socialiste vuri theksin te nevoja për vëmendje të shtuar mbi Dukagjinin.
‘Neomalsorja’ kërkoi që rruga e Dukagjinit duhet të jetë në fokus të projektit “Porta e Alpeve” dhe jo vetëm, pasi është një zonë që sipas ligjvënës “promovon imazhin më të bukur të Shqipërisë në mediat më të mëdha ndërkombëtare”.
“Padyshim që një zonë si Dukagjini, që sjell turizëm për të gjithë rajonin, që promovon ekonomi qarkulluese dhe promovon imazhin më të bukur të Shqipërisë në mediat më të mëdha ndërkombëtare, duhet patjetër që të jetë pjesë e çdo projekti madhor që përfshin Shkodrën dhe veriun e vendit. Dhe të marrë vëmendjen e duhur, sidomos për infrastrukturën rrugore”,- tha Koçeku.
Duke sjellë si statistikë 1.3 miliardë euro të investuara gjatë qeverisjes së Ramës vetëm në qarkun e Shkodrës, Taulant Balla i tha opozitës ta votojnë projektligjin për “Portën e Alpeve.” Ndër të tjera, ai kujtoi edhe kalimin e IBAR-it duke u shprehur se është një lajm i mirë për Shqipërinë, ndonëse shumë prej opozitës shpresonin të kundërtën.
“Ne nuk krahasohemi asnjëherë me ju, kurrë, sepse ne krahasohemi veç me veten tonë. Mjaftuan këto 3 vite të para që Shkodra i dha PS për të vërtetuar sesi ishte marrë peng ajo bashki. Kur bëhet fjalë për të mirën e Shqipërisë, për investime të kësaj natyre, duhet që t’i bëjmë së bashku. Mendoj që financimi për të cilin flasim siguron jo vetëm burime financiare të favorshme, por ka edhe standarde më të larta transparence. Ftesa është që lërini urdhrat e partisë, shërbejini Shkodrës, Shqipërisë, votojeni këtë marrëveshje. E di që shumë prej jush prisnit që grupi i punës për zgjerimin, COELA mos ta kalonte sot raportin e Piketave të Ndërmjetme, e kaluan, por ky është lajm i mirë për Shqipërinë. Këtu kanë të gjithë kontributet e tyre. Kemi shumë punë përpara”, tha kreu i grupit parlamentar të PS.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, sulmoi kryeministrin Edi Rama nga foltorja e Kuvendit për mosparaqitjen e tij në parlament dhe mosrespektimin e kërkesave të opozitës për interpelanca.
"Është bërë si kurrë ndonjëherë në 35 vite: kreu i ekzekutivit, i tmerruar nga vetja e tij, nuk guxon të dalë në këtë platformë para qytetarëve dhe deputetëve për krimet e rënda, për problematika madhore që mbajnë autorësinë e tij. Ndërkohë, shqiptarët rrokullisen çdo muaj e më shumë në varfëri.
Pse nuk vjen? Sepse mali i fakteve dhe dokumenteve e “gripos” atë. Sepse ai vetë është kreu i sistemit korruptiv. Dhe sepse aferat e tij korruptive nuk lejohen të hetohen. Ku është djegësi i Tiranës, 130 milionë euro? Ku është impianti i përpunimit të ujërave të zeza, 120 milionë euro kredi japoneze?
Si kujton se nuk do të ketë skepticizëm dhe mosbesim maksimal? Shikoni treguesit e investimeve, realizimit: 5%, ndër më të ultit në botë. Ku shkojnë të tjerat? Vidhen. Në 15 projekte, vetëm 1 realizohet",- tha Berisha ndër të tjera.
Komente









