Ai nuk bën pakte. Eshtë i kursyer në tavolina marrëveshjesh. I padukshëm në tryeza negociatash. Pjesë e asnjë klani. Erjon Braçe është thjesht… opozitar. Madje edhe kur partia e tij është në pushtet. Për herë të parë, gazeta “Zëri i Popullit” ka dalë kundër “udhëheqjes” ka qenë në kohën kur kryeredaktori i saj ka qenë pikërisht Braçe. I palodhur dhe këmbëngulës deri në “bezdi” Braçe i përket atij soji njerëzish që nuk i lënë punët në mes të rrugës, të paktën punët politike.

Eshtë emri që nuk i kënaq zyrtarët e shtetit, dhe vetëm ligji për informimin e deputetëve i detyron t’i “nënshtrohen” kërkesave të “beratsit mistrec”. Si një milingonë punon e mbledh, dokumenta, të dhëna, letra, shumë letra e fakte... Që kthehen në shigjeta në sallën e Kuvendit, prej të paktën tetë vitesh. Eshtë i vetmi, kjo e thënë nga të dashur e të idhnuar me të, që bën opozitë, dhe jo fjalime.

Vazhdon të bërit opozitë, edhe kur homologët e tij në krahun e majtë të Kuvendit (duke i parë përballë), dalin për një kafe me ministrat e djathtë. Nuk shqetësohet nga prania në sallë, mjafton që brendësia e çantës së tij, e pandarë nga trupi, të shfaqet e plotë, qoftë edhe para kamerave, pa gazetarë nga pas. Ai komunikon me njerëzit e panjohur.

Me ata që janë në shtëpi, zyra, apo lokale. Me të punësuar e të papunë. Me ata që e duan dhe ata që e urrejnë. Një energji e pashtershme në atë trup të vogël. Energji që është e gatshme të ndërkrehet edhe ndaj kryeministrit Berisha, edhe ndaj kryesocialistit Rama...

Braçe nuk kursen askënd. Nëse sadopak devijon, ai është aty, edhe kur nuk ndodhet me trup. Do të vijë reagimi. I ndryshëm është vetëm “epiteti”. Mund të të quajë, gomar, idiot, i paaftë, i çuditshëm, bufon, gaztor, shërbëtor, e kush e di sa epitete, të shoqëruara me një lumë faktesh të ditura e të zbulura prej tij, për të vërtetuar pikërisht të kundërtën e asaj që ke bërë apo ke thënë.

Në pak raste është reaguar kundër Braçes. E dinë, është njësoj si të përpiqesh të largosh një bletë...rrezikon të të thumbojë edhe pse mund të rrezikojë shumë. E megjithatë deputeti i Beratit nuk e njeh rrezikun...rrezikun politik të sulmit total. Madje duket se e kërkon vetë.

Po, po. Braçe “lutet” të jetë i sulmuar. Është në gjendje t’i përballojë të gjithë. Edhe të tijtë, edhe “të atyre”. Edhe gazetarët. Edhe votuesit të çdo lloji. Edhe provokatorët. Edhe adhuronjësit. Sepse Braçe ka edhe adhurues. Të panjohur sigurisht...

Eshtë nga të vetmit politikanë që nuk e sheh t’i qeshë buza njëherë, të paktën publikisht. E di, puna e tij nuk është të qeshë. Njerëzit nuk e kanë zgjedhur për të qeshur e për t’u gajasur në Kuvend, as për të bërë batuta humoristike. Puna e tij është tjetër. Eshtë të përmirësojë jetën e atyre që i kanë besuar. Dhe Braçe duket e ka kuptuar këtë, shumë më shpejt se të tjerët.

Ndoshta është edhe pak “nurzës” nga natyra, shtuar kësaj edhe gojëtarinë e pandalë, e, Braçe kthehet në harkun e Odisesë, i cili hedh shigjeta nga të gjithë krahët...Kush nga ministrat nuk e ka provuar të paktën një shigjetë?! Madje edhe Berisha, shigjetëpritësi më i madh, nuk para bën atë qeshjen karakteristike që bën me shumicën e socialistëve kur përballet me Braçen. Jo pse Berishës i shterojnë batutat, ai është një fond batutash, por sepse Braçe nuk është një dëgjues i mirë i tyre.

Erjoni është një “fejsbukist i sëmurë”. Në mëngjes, në drekë, në darkë do të shohësh aty, çka ai s’ka mundur dot ta thotë në Kuvend, sepse i ka rënë gongu i minutashit, apo sepse atë ditë fatkeqësisht nuk ka pasur seancë. Ke aty për politikën, për ekonominë, për arrat, për mollët, për fushat, për detin, madje edhe për Juventusin, ekipin e zemrës së Braçes.

E meqë jemi këtu, i uroj humbje me Bajernin...Facebooku i Braçes, është kthyer në një sallë të dytë Kuvendi, por jo pak herë edhe në korridoret e zyrat e Partisë Socialiste. Aty mëson se si deputetët e PS-së, kanë qëlluar me pambuk pushtetarët, se si kreu i PS-së ka gabuar në filan deklarim, apo lëvizje politike, se si ky ministër, po mashtron shqiptarët, apo për të përhershmin në statuse, kryeministrin.

Mund të renditet fare mirë pas Berishës e Ramës për numrin e komenteve dhe ndjekësve...A bën Braçe ndonjëherë kompromis? Një pyetje që ende nuk ka marrë përgjigje. Ai nuk lë në heshtje asnjë lajle lule ardhur nga deputetët që duan të jenë sërish deputetë, në adresë të kryetarit të PS-së. Ironizon.

Ai nuk lëshon pe, ndaj lëshimeve të vetë kryetarit ndaj pushtetit. Sulmon. Ai nuk lejon ti shpëtojë asnjë deklaratë “naive” nga ministrat. Akuzon. Davidi kundër Golias? Socialistët nuk janë hebrenjtë, e as demokratët filistenjtë, e Braçe nuk përdor gurë për të goditur, por fjalë. A peshon ajo më shumë se guri? Këtë mund ta tregojnë ata që kanë qenë në shënjestrën e deputetit shtatshkurtër...

Pak javë para zgjedhjeve, Braçe ende nuk dihet se ku do të kandidojë. Në Berat, andej prej nga për të disatën herë ka ardhur me kostumin e deputetit në kryeqytet, apo në Tiranë, për herë të parë, siç edhe përflitet.

Vetë ai është i vendosur, do të jetë pranë bashkëqytetarëve të tij, në Berat, jo pse Tirana nuk ka opozitë, apo pse nuk votohet emri i tij, por sepse lufta e tij politike ka nisur me përballje direkte në këtë qytet, ka vijuar në emër të këtij qyteti, dhe Braçe tashmë e ndjen veten si simbol të tij. Ndoshta një simbol “i vogël” për një qytet 2400 vjeçar, por politikisht “mistrec”, një gur nën këmbë për çdo padrejtësi.

Ka përplasje. Pikërisht “frika” për të negociuar me këtë njeri, mosgadishmëria e tij për të qenë pjesë e kulisave, duke i bërë publike ato, mund t’ia vështirësojë “jetën politike” Braçes. Por siç edhe siguron ai, nuk do t’ia ndalin dot jetën publike dhe opozitare. Megjithatë të humbasësh Braçen si deputet, duhet guxim i madh.

Nuk ka njeri që nuk zëvendësohet, thuhet, por Braçen realisht është e vështirë ta zëvendësosh. Në tetë vjet, në 16 vjet, nuk e ka zëvendësuar dot askush, nga të gjitha zonat e Shqipërisë. Madje askush nuk i afrohet “talentit” të tij, për të bërë debat edhe për shenjat e pikësimit në çdo marrëveshje qeveritare që lë shteg për pikëpyetje...

Braçe do të ishte shumë “i dobët” si ministër. Duke folur në mënyrën shqiptare, “të ndereve”. Ky plasticitet, dhe padëshira për t’u bërë elastik, e bëjnë “të padëshiruar” jo vetëm në familjen përballë, por edhe në familjen e tij politike. Por Braçes duket se i mjafton mbështetja dhe përkrahja e të panjohurve, e militantëve, e shtresës “së djersës”.

Duket se ai nuk ka nevojë për “të rilindur”, pasi është një rilindas i lindur...dhe jo vetëm me lojë fjalësh. Në Berat, në Tiranë, (nëse pranon kryeqytetin, do të ishte kompromisi i parë i tij i njohur)apo jo, Erjon Braçe duket se do të mbetet opozitari i përjetshëm. Një fuqi e madhe, në një trup të vogë...

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) .02.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)