Portretet e rralla në koleksionin
e Galerisë Kombëtare

Portretet e rralla në koleksionin<br />e Galerisë Kombëtare
TIRANE- Galeria Kombëtare ruan një koleksion të pasur me piktura, ku spikasin portrete befasuese të piktorëve më të njohur. Në këto portrete përthyhen emocione të jashtëzakonshme të artistëve shqiptarë në vite që nga periudha e Rilindjes, ajo e Realizmit Socialist, pas viteve ‘90 e deri më sot. Gjurmë të pashlyeshme arti, pasioni e përjetimi psikologjik të lënë portretet e Kol Idromenos, Zef Kolombit, Sadik Kacelit, Simon Rrotës, Pjetër Marubit, Vangjush Mios, Edison Gjergos, Sofia Papadhimitrit, Androniqi Zengos, Sali Shijakut, Spiro Kristos, etj, etj.

Koleksioni i Galerisë Kombëtare është i pasur edhe me piktura të llojeve të ndryshme dhe me vepra të tjera arti në skulpturë. Të gjitha këto publiku ka rastin t’i shikojë sot, më 11 janar, kur Galeria Kombëtare e Arteve feston 60-vjetorin e krijimit të saj. Në këtë përvjetor të themelimit, për dy ditë me radhë më 11 dhe 12 janar, Galeria Kombëtare do të presë publikun në sallat e saj falas, pa bileta. Po si dhe kur u themelua Galeria Kombëtare e Arteve në Shqipëri?

Pinakoteka ishte institucioni i parë i arteve figurative. Pas një pune të mirëfilltë dhe përpjekjesh të shumta më 11 janar 1954 u hap zyrtarisht për publikun Galeria e Arteve në Tiranë. Në vitin 1956, si rrjedhojë e pasurimit të fondit të veprave të artit, Galeria u zhvendos në rrugën “Fortuzi”. Duke u rritur numri i piktorëve dhe nevoja e ekspozimit të arteve figurative u ndje nevoja e një galerie të re. Më 29 nëntor 1974 u ngrit galeria Kombëtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërtesë, ku ndodhet edhe sot.
 
Çfarë ofrohet pas dyerve të hapura të Galerisë
 
Drejtori i Galerisë Kombëtare, Artan Shabani, ka vendosur që në 60-vjetorin e këtij institucioni të bëj një festë të pabujshme, ku fjalën ua ka lënë ngjyrave dhe simboleve të veprave të artit që gjenden në ekspozitat dhe koleksionin e kësaj galerie. Aktualisht në Galerinë Kombëtare qëndron e çelur ekspozita Onufri XX, thotë ai, për gazetën “Shqiptarja.com”, duke shtuar se me rastin e 60-vjetorit vizitorët do të përshkojnë falas të gjitha sallat ku mbahet koleksioni i artë i Galerisë Kombëtare. Koleksioni është vërtetë një pasuri e rallë.

Peizazhet, imazhet e larmishme piktorike dhe portretet, të cilat datojnë që nga viti 1883 dhe vijnë deri në vitin 2013 janë dëshmi 130-vjeçare e talentit të piktorëve më të shquar shqiptarë, dëshmi e papërsëritshme e realizmit artistik. Janë dëshmi kulture, historie dhe pasioni. Ja çfarë do të shikojnë vizitorët nëpër sallat e Galerisë Kombëtare: Në Sallën 1, ka vepra që shënojnë fillesat e pikturës në qytetet Shqiptare (1883 – 1930). Autori më i hershëm i pikturës është Kol Idromeno, vepra e të cilit “Motra Tone”, daton në vitin 1883. Këto vepra manifestojnë një lloj fryme romantike. Shquhen veprat e Kole Idromenos, Pjetër Marubit, Simon Rrotës, Zef Kolombit, Vangjel Zengos, Spiro Xegës, etj. Ndërsa në Sallën 2 gjenden piktura realiste, që përfaqësojnë Shkollën e Vizatimit (1930 – 1950).

Disa nga piktorët e parë të ksaj shkolle janë Sadik Kaceli, Abdurrahim Buza, Gani Strazimiri etj. Në këtë sallë ruhen edhe veprat e atyre që studiuan jashtë Shqipërisë si Odhise Paskali, Andrea Kushi, Vangjush Mio, Janaq Paço, Foto Stamo, Motrat Zengo etj. Në Sallën 3 është piktura akademike dhe tabloja me temë historike ( 1950 – 1986). Artistët kryesorë janë: Nexhmedin Zajmi, Sadik Kaceli, Abdullah Cangonji, Sali Shijaku, Fatmir Haxhiu, Vilson Kilica etj. Në Sallën 4 është piktura e realizmit socialist, ndërtimi i modeleve të njeriut të ri (1960 – 1986). Arti fokusohet tek punëtorët dhe veprimtaria e tyre, duke i kthyer këta në mite të kohës. Artistët që kanë lënë vepra të spikatura në këtë drejtim janë: Kristaq Rama, Montaz Dhrami, Zef Shoshi, Pandi Mele, Myrteza Fushëkati, Petro Kokushta, Çlirim Ceka, etj.

Në Sallën 5 është piktura formaliste e realizmit socialist (1969 – 1974)”. Artistët kryesorë që kanë vepra në fondin e Galerisë së Arteve janë Edison Gjergo, Alush Shima, Isuf Sulovari, Eduard Hila, Bajram Mata, etj. Salla 6 ka pikturën dhe skulpturën moderniste ( 1989 – 2001). Kjo hapësirë përmbledh vepra nga autorë që e zhvillojnë veprimtarinë e tyre artistike më të rëndësishme pas viteve ‘90, si Perikli Çuli, Ali Oseku, Gazmend Leka, Lumturi Blloshmi, Najada Hamza, etj, por bashkon edhe elementët e parë të përpjekjeve të pikturës moderniste që vijnë që nga vitet ’60 të autorëve Ksenofon Dilo, Danish Jukniu, Ismail Lulani, etj, që krahas pikturës së politizuar zyrtare lëvruan gjatë këtyre viteve edhe një pikturë që kërkonte një formë dhe shprehi të re artistike.
 

Shkrimi u publikua sot (11.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

'Aktrim i dobët' para miratimit të Reformës Zgjedhore!

'Aktrim i dobët' para miratimit të Reformës Zgjedhore!