Në datat 23-25 shtator në San Marino zhvillohet Asambleja e 21-të Plenare e PostEurop, aktivitet në të cilin Posta Shqiptare përfaqësohet nga Drejtori i Përgjithshëm i saj,. Majlind Lazimi.

Në këtë takim përfaqësohen 53 shtete anëtare të PostEurop, përmes të gjithë administratave postare të Europës.

Në kuadër të Asamblesë Plenare, Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Lazimi zhvilloi takime me drejtues të lartë të PostEurop, përfshirë z. Jean-Paul Forceville - President i PostEurop, z. Pascal Clivaz - Zv. Drejtor i U.P.U (Union i Përbotshëm Postar) si dhe me homologë të postave evropiane, ku prezantoi sfidat, ambiciet dhe projektet e Postës Shqiptare në të ardhmen e afërt.

Në diskutimet e Asamblesë dhe në takimet bilaterale, Lazimi vuri theksin tek intensifikimi i bashkëpunimit ndërmjet administratave postare ndërkombëtare me fokus modernizimin e sektorit të shërbimit postar në koherencë me zhvillimet dhe risitë teknologjike në mënyrë që postat të adaptohen me realitetin e ri të konkurencës dhe dinamikave globalizuese në këtë sektor.

Përveç punimeve të Asamblesë Plenare të PostEurop, Drejtor i Përgjithshëm i Postës Shqiptare z. Lazimi, u bë pjesë e Forumit të Biznesit me temë 'Inovacioni i së nesërmes dhe oportunitetet e reja të biznesit për postën'. /ATSH/