FIRENCE- Policia italiane në Firenze ka mundur të shkatërroj një grup kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogave, të drejtuar nga shqiptarë si dhe ka sekuestruar një sasi droge prej 11 kg kokainë, 15 kg marjuanë e përllogaritur me vlerë prej 1 milion euro.
 
Bëhet fjalë pikërisht për dy vëllezërit, Dorian Beshaj 33 vjeç, i njohur me pseudonimin ‘Babale’ dhe vëllain e tij Denis Beshaj 37 vjeç, me pseudonimin “Xhuxhi”.
 
Ndërsa veç tyre në pranga kanë rënë dhe 31 persona të tjerë.

Të arrestuarit sipas policisë italiane, bëjnë pjesë në bazën e dytë më të rëndësishme të shqiptarëve që trafikojnë drogë nga Europa Veriore drejt Italisë, ku në prillin e vitit të shkuar janë arrestuar 37 persona të tjerë. 

Operacioni i arrestimit të 37 shqiptarëve vitin e shkuar u bë publik dhe nga agjencitë ligjzbatuese në Shqipëri, ndërsa ‘A1Report’ po risjell fotot e të arrestuarve ku një pjesë e tyre aktualisht janë ekstraduar drejt Italisë për t’u gjykuar.

Sipas hetimeve të kryera nga policia e Firences, ka rezultuar se ky grup i përbërë nga dy drejtuesit shqiptarë dhe një rrjet shpërndarësish në rajonin e Toscanës, ka mundur të shes afro 15 kg kokainë në muaj, duke krijuar të ardhura të cilat më pas investoheshin jashtë Italisë.

Në rezultatet e paraqitura pas operacionit “Gjurmimi 2 ” është zbuluar edhe linja e trafikut, e cila hynte në Itali nga, Norvegjia, Holanda, Gjermania, Zvicra, ndërsa marijuana futej nga Shqipëria.
 
Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)