Pronari i një kompanie në Tiranë si dhe një inspektor i Drejtorisë së Tatimeve të kryeqytetit, u arrestuan nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, me akuzën e fshehjes së të ardhurave dhe shpërdorimit të detyrës. Një inspektor tjetër i Drejtorisë Rajonale të Tiranës, u shpall në kërkim nga policia për të njëjtën akuzë. 

Sipas policisë tregtari Petrit Hajdini, pronar i një subjekti pranë ish- markatës në zonën e “Ali Demit”, dyshohet se për një periudhë të caktuar ka kryer falsifikime dhe shkarkime të faturave tatimore, në bashkëpunim edhe me subjekte të tjera ka përfituar shuma të konsiderueshme. 

Po sipas policisë, nga hetimi i kryer në bashkëpunim me njësinë Task- Force të Prokurorisë së Tiranës, janë vënë re se Hajdini, kishte përgatitur edhe fatura dhe deklarime të rreme, duke realizuar një dëm të konsiderueshëm buxhetit të shtetit.

Sipas policisë dy inspektorët e Tatimeve nuk kanë kryer kontrollin e saktë të faturave, si dhe të deklarimeve të tregtarit Hajdinaj, duke e favorizuar këtë të fundit në tërheqjen e shumave të parave nga buxheti i shtetit. 

Ndërkaq në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, rezulton se aktiviteti i subjektit i “ALB 01”, i administruar nga Hajdinaj që prej vitit 2014 rezulton i pezulluar. 

Ndërkaq Drejtoria e Tatimeve më parë kishte bllokuar dhe vendosur barrës së Sigurisë mbi titujt e pronësisë, me qëllim mos lejimin e tjetërsimit të titujve të pronësisë përfshirë edhe shitblerjen e aksioneve.
 
Sipas hetuesve më parë, Hajdinaj rezultonte se kishte pasur edhe probleme me shlyerjen e detyrimeve tatimore dhe rezultonte të ishte debitor.