SARANDE- Policia e Sarandës ka arrestuar sot një ish-oficer të ushtrisë i akuzuar për ngacmime seksuale. Agron Cane deri më 15 korrik ka qenë një nga aktivistët pranë zyrës së Sarandës së deputetit socialist Koço Kokëdhima.
 
Denoncimin e ka bërë një grua, bashkëfshatare e tij, A.B. sipas të cilës Cane i ka kërkuar marrëdhënie seksuale të bijës 14-vjeçare në këmbim të një favori për të zgjidhur një konflikt pune.
 
Disa muajt më parë gruaja ishte pushuar nga një ndërmarrje private në Sarandë dhe ishte drejtuar në zyrën e deputetit Koço Kokëdhima për të kërkuar një ndërhyrje në mënyrë që ta rimerrnin në punë. Deputeti kishte tentuar të merrte informacione por pa arritur që gruaja të rifillonte punë.
 
Gruaja i është drejtuar gazetari Telnis Skuqi (korrespondenti i gazeta RD nga Gjirokaster) për të denoncuar presionet seksuale. ''A. B., kërkon ta ndihmoj me një kamerë të fshehtë, pasi siç shprehet ajo, do të jap një lajm për të kuptuar se çfarë ndodh me njerëzit në nevojë kur shkojnë të kërkojnë punë - tregon gazetari - “Aman të lutem më ndihmo. Kam shkuar shumë herë për të qarë hallet e mia te sekretari dhe kërkon si kusht dashuriçka. Ky veprim nuk është rastësi”, thotë e përlotur A. B. “Nuk dua t’i jap atij qenit gjënë më të shtrenjtë”, thekson ajo, ndërsa shton se “nuk ka turp më të madh për një burrë 60-vjeçar të të poshtëroj vajzën”.

Në TV video do bëhet publike nga gazetari i emisionit “Ajsberg” Artur Çani.

Policia e Sarandës, pasi ka mësuar nga gazetari ngjarjen është vënë në kontakt me gruan e dhunuar dhe ka marrë dëshminë dhe denoncimin e saj. Menjëherë Agron Cane, 61 vjeç, është thirrur në komisariat dhe është arrestuar.
 
Çështja ndiqet tani nga Prokuroria. Agron Cane nga ana e tij ka deklaruar se është i pafajshëm dhe viktimë e një hakmarrje personale të gruas. Cane është person i njohur në Sarandë dhe në të shkuarën ka qenë Komandant Brigade në ushtri.
 
Arrestimi i Agron Canes dhe lidhjet e tij me zyrën e deputetit socialist Koço Kokëdhima kanë ngjallur reagimin e opozitës. I pari Sali Berisha me një postim në “Facebook” dhe më pas deputeti Arben Ristani i duke i dhënë ngjarjes nuanca politike.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)