TIRANE - Ish-ministri i Jashtëm i Perusë gjatë regjimit të Alberto Fuxhimorit (1990/2000), Augusto Blacker Miller është arrestuar nga Interpoli në Shqipëri. Lajmi është publikuar në web nga disa media peruane të cilat citojnë prokurorin peruan antikorrupsion Julio Arbizu, ndërsa policia shqiptare nuk e konfirmon diçka të tillë.

Sipas mediave peruane Prokurori ka deklaruar arrestimin e ish-ministrit Miller në Tiranë pas një kërkese për arrest ndërkombëtar për shkak të pjesëmarrjes së tij në një grusht shteti më 5 prill 1992. Ky lajm nuk u konfirmua nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj dhe as nga seksioni shqiptar i Interpolit, të pyetur nga Shqiptarja.com.

Blacker Miller akuzohet në vendin e tij për grusht shteti dhe rebelim. “Kemi lëshuar një urdhër arresti ndaj tij. Për një akuzë të tillë është dënuar me 10 vjet burgim ish-ministri i Brendshëm i Perusë Huan Briones Davila”, deklaroi prokurori në Lima.

Sipas tij, ish-ministri nuk mundi të dënohet në vendin e tij, pasi u arratis për t’i shpëtuar drejtësisë në vitin 2005. Më 2009 u kap në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ishte duke u përballur ende me një proces ekstradimi. Prokurori tha se Blacker Miller mund të ekstradohet nga Shqipëria për në SHBA, për shkelje të ndalimit të largimit nga vendi, që kishte vendosur shteti amerikan.

POLICIA E SHTETIT: NUK ESHTE ARRESTUAR MILLER, NUK ESHTE NE KERKIM

Përmes një njoftimi për mediat, Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me rastin e ish-ministrit peruan Augusto Blacker Miller duke deklaruar se nga strukturat policore të Policisë së Shtetit nuk është arrestuar ndonjë shtetas peruan me emrin Augusto Blacker Miller.

Gjithashtu Policia e Shtetit ka bërë me dije se shtetasi Augusto Blacker Miller nuk rezulton si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

“Lidhur me njoftimin e dhënë në disa media të shkruara dhe vizive, në lidhje me arrestimin nga strukturat e Policia e Shtetit shtetasit Augusto Blacker Miller, ju bëjmë me dije se: Nga strukturat policore të Policisë së Shtetit nuk është arrestuar ndonjë shtetas Peruan me emrin Augusto Blacker Miller.
Gjithashtu ju bëjmë me dije se shtetasi Augusto Blacker Miller nuk rezulton si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin për shtyp të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

*Lajmi u publikua fillimisht në orë 23:10 të 11 janarit dhe u përditësua në 16:35 të 12 janarit

Redaksia online
(gk/Gre.M/eç/Shqiptarja.com)