Ligoraq Karamelo është njëri nga kandidatët nga lista vijuese e PD-së që ka pranuar që të marrë mandatin. Ai do të përfaqësojë opozitën e re në Parlament, ndërsa u shpreh sonte se zgjedhjet e 2017-s janë legjitime duke rrëzuar kështu kauzën e opozitës kundër qeverisë. Sipas tij, legjitimitetin e zgjedhjeve nuk e përcaktojnë palët politike në Shqipëri, por ndërkombëtarët.

“Zgjedhjet e 2017-s janë zgjedhje legjitime.  Unë gjykoj, se këtu kemi një rreth vicioz. Pas 2 viteve, papritur shkrep një rrufe dhe themi se zgjedhjet nuk ishin të rregullta. E mira do të ishte që opozita të fokusohej tek skandalet e dala së fundmi. Që në momentin e parë djegien e mandateve e kam cilësuar anti-ligjor dhe e vlerësoj si një vendim anti-shqiptar.

Që në momentin që mandati i deputetit konsiderohet si një “portofol” i një personi, e ka humbur kuptimin e tij. Unë iu drejtova votuesve të qarkut të Korçës. Jam i detyruar të respektoj verdiktin e tyre. Kjo rrugë duhej të ishte bërë nga të gjithë” tha ai në 'Open'.