Sulmohet me bojë kandidati nga Lëvizja Socialiste për Integrim, që pranoi mandatin e deputetit, dhe u betua sot në Kuvend, Ralf Gjoni.

Gjoni u sulmua sapo doli nga shtëpia, ku poshtë hyrjes së pallatit e priste një djalë i ulur në karriget e jashtme të një lokali në dalje të pallatit. Ai e ka qëlluar me bojë të kuqe Gjonin, lëshuar nga një shiringë. (VIDEO E SULMIT)

Ralf Gjoni sapo kishte dalë nga banesa e tij në Tiranë për të shkuar në Kuvendin e Shqipërisë, për t'iu bashkuar seancës ku bëri betimin si deputet i ri pas djegies së mandateve nga opozita.

Nuk dihet ende çfarë solucioni kimik është përdorur ndaj Ralf Gjonit, por boja ishte me ngjyrë të kuqe dhe siç Gjoni konfirmoi, një pjesë e mirë e bojës nuk hiqet nga lëkura dhe ka djegie brenda syve.

Deputeti i betuar sot në Kuvend tha se policia po kryen verifikimet për të gjetur autorin, ndërsa tha se sulmi është i porositur 'nga lartë'.

"Ai dhe ajo që e kanë porositur këtë sjellë rrugacërie i the se unë jam këtu dhe kam ardhur të betohem dhe nuk frikësohem në asnjë moment për destabilizmin që po përpiqen të krijojnë", tha  Gjoni teksa u fut në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë për betimin si deputeti më i ri i opozitës që e mori mandatin pas dorëheqjes në bllok të opozitës. Ai ishte kandidat i LSI-së në listat e zgjedhjeve të 2017-ës, në qarkun e Tiranës.

I pyetur nga gazetarët se kush e porositi sulmin, Gjoni tha: Besoj ju mund ta merrni më mirë me mend se unë, policia do të bëjë verifikimet"

Në një prononcim për gazetarët teksa shkonte në Kuvend, Gjoni u pyet edhe për angazhimin e tij si deputet dhe qëndrimin që do të mbajë.

"Nuk kam ardhur të marr një rrogë të qelbur shteti, por të përfaqësoj shqiptarët që sot ndihen të pa përfaqësuar nga kjo klasë e papërgjegsjshme politike, vij nga jashtë, jam edhe shtetas i huaj edhe shqiptar, jam krenar për çfarë kemi arritur gjatë gjithë këtyre viteve, nuk do lejoj që integriteti ynë të keqpërdoret në interes të disa rrugeçërve", tha Gjoni.

I pyetur se si do të jetë qëndrimi dhe vota e tij në Kuvend, pro apo kundër qeverisë, Gjoni u përgjigj:

"Mendoni se unë vij për ti bërë fresk qeverisë, a ma njihni emrin?"

Më herët kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, i ka quajtur tradhtarë kandidatët nga listat e partisë së saj në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës., që e pranuan mandatin.

"Të jenë të kujdesshëm se nuk ka për t’jua falur asnjeri, tradhtarë", shprehej Kryemadhi.

Ora 10:18
Sulmohet me bojë deputeti i LSI Ralf Gjoni, pranoi mandatin (FOTO)