Prej ditësh, tregtarët e Tregut Industrial të Vlorës protestojnë në dyert e bashkisë për të kërkuar sqarime mbi zhvendosjen nga tregu aktual, drejt një tjetër zone ende të papërcaktuar. Arsyeja është jetëzimi i një projekti të bashkisë që parashikon ndërtimin e një tregu të ri.
Vendimi i firmosur nga bashkia, urdhëron lirimin e hapësirës brenda 3 ditëve, duke shkaktuar revoltë nga tregtarët, për shkak të sasive të mëdha të mallrave stok dhe mospasjes së një vendi për të zhvendosur aktivitetin. Sot në ambientet e Pallatit të Kulturës, po zhvillohet mbledhja e Këshillit Bashkiak, ku pritet të diskutohet dhe për një zgjidhje për tregtarët.
“Këtu ka tregtarë që ka 30 vite që punojnë. Si mund të dalim të shesim në rrugë tani. Duam të informohemi ku do të lëvizim.”
“Kemi ardhur për sensibilizim. Duam të dimë ku po na hedhin poshtë po na pushkatojnë. Kam 33 vite aty. Nuk na lejojnë. Anëtarët e këshillit Bashkiak na thanë që nuk është në rend të ditës”.
Tregtarët kërkojnë nga kryetarja e Bashkisë Brunilda Mersini sqarime mbi zonën ku do të zhvendosen tregtarët. Ata kërkojnë vënien në dispozicion të një tregu të përshtatshëm ku të mund të vazhdojnë aktivitetin e tyre tregtar pa u penalizuar ekonomikisht. Sipas tregtarëve, mungesa e një alternative konkrete rrezikon t’i lërë ata pa mundësi pune, ndaj apelojnë për një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të drejtë.
“Kemi 35 vite që punojmë atje. Jemi pro zhvillimit. Të na bëjnë një treg të ri. Kemi miliona lekë brenda. Të më japë lekët e mallit, të liroj vendin. E di kryetarja ku janë tokat publike. Le të na thotë 1 vit përpara që të mos merrnim mall. Atje janë maune me mall”, tha njëri prej tregtarëve.
Në një takim që tregtarët kanë pasur disa ditë më parë në bashki, nuk është gjetur zgjidhje. Bashkia u ka dhënë si alternativa disa zona ku mund të zhvillojnë përkohësisht aktivitetin, por nuk janë pranuar nga tregtarët pasi nuk janë hapësira që favorizojnë aktivitetin e tyre. Vetë tregtarët kanë hedhur disa opsione që janë refuzuar nga bashkia, pasi nuk janë prona publike.
Komente











