Si e komentoni dhunën ndaj 12-vjeçarit në Suedi dhe konfliktin me Admir Tafilin?
Për sa i përket ngjarjes i kam shpjeguar të gjitha me detaje në një media tjetër. Më shqetëson fakti se si ish-zyrtar i policisë së shtetit dhe herë pas herë në këtë ngjarje po dalin drejtues të lartë të policisë së kohës janë përfshirë në këtë ngjarje. Kjo më shqetëson. Dua të sqaroj deklaratën e ish-drejtuesit Mit’hat Havari. E kam thënë se për sa i përket nipit, djalit, se nuk e di a nipi a djali, sipas mediave, unë dhe fisi nuk kemi gisht në këtë punë. E kam sqaruar një herë e mirë. Unë kam 3 muaj që s’kam qenë në Shqipëri. Dhe me sa di nga komunikimet e fisit, kurrkush nuk thotë se kemi lidhje. Nuk kam asnjë vëlla, asnjë nga fisi im që ka lidhje me këtë ngjarje.
I keni lexuar deklaratat e ish-kreut të policisë, Mit'hat Havari dje në media dhe ç'komente keni?
Me deklaratën e Havarit jam njohur 8 orë pasi ka dalë atje, se isha në gjumë, këtej janë orare të tjera. Është bërë një emision në “Xhungël”, ku ka folur Sokol Koçiu, që e ka manipuluar atë ngjarje, pasi ai ka qenë në burg me Tafilin. Koçiu ka qenë arrestuar për drogë dhe ka vuajtur në burg 9 muaj me Genc Tafilin. Në datën 7 shtator në orën 1 pas mesnate më ka marrë në telefon Agim Tafili, unë isha shef në Malësinë e Madhe. Pas një atentati që më kishin bërë me plagosje, Tafili më ka kërkuar falje për atentatin ndaj meje, ku akuzonte me emër Sokol Koçiun dhe Sokol Koçiu provon të gjitha thëniet.
Tani na del një zyrtar tjetër, një mik i ngushtë i Sokol Koçiut, ish-drejtori i policisë së Shkodrës në 1998. Në 1998, Neritan Ceka, ministër i asaj kohe ka ardhur për të propozuar Mit’hat Havarin. Pas disa ngjarjesh Mit’hat Havarin populli i Beratit e kishte marrë peng. Të gjitha mediat kanë shkruar për ngjarjen e Berartit. Kur ka ardhur në Shkodër, si drejtor policie Havari ka thënë se do çarmatos Shkodrën. Kur jemi futur në mbledhje ai tha se do u shqyejmë dyert e do të hyjmë t’i çarmatosim. Ti vjen nga një qark tjetër jo me emër të mirë, s’mund të futesh.
Jeni dakord të rihapet dosja e Zylyftarit?
Jam i gatshëm të përgjigjem para çdo organi.
Havari kur pyetet për ju thotë se keni pasur prapavijë politike dhe keni pasur mbështejte politike?
S’është e vërtetë. Jo unë, por gjithë policia kriminale ishim kundër idesë së drejtuesit të polcisë Havari. Ai tha se duhet të shpërthejmë dyert. Ne s’kemi qenë dakord. Ne thamë që duhet të kontrollojmë vetëm kontigjentin kriminal. Aty do godasim. Nisi grindja, derisa i thamë që s’jemi dakord të punojmë nën drejtimin tënd. Gjithë kupola e ministrisë pati ballafaqimin, unë dhe Mit’hat Havari. Jemi ballafaqur unë me idetë e mia, që kisha 9 vjet në policinë e Shkodrës dhe ai për një javë. Dhe konkluzioni ishte se Mit’hati u hoq nga Shkodra unë vazhdova punën.
Çfarë ndodhi kur u vra Zylyftari?
Kemi pasur një informacion për shtetasin Bahri Tafili, i cili ishte në kërkim për gjobëvënie ndaj një personi dhe vrasje, i dënuar me 22 vjet burg. Një ditë më parë patëm informacion për vjedhje të peshkut dhe të rrjetave të peshkut. Ngritëm pika sekrete bashkë me komisar Arben Zylyftarin. Ishim në pritje të informacionit për të vazhduar operacionin. Zylyftari më tha:"…do iki më një mik për një drekë në Shirokë…". Pas gjysmë ore më ka ardhur informacioni. Shkuam në shtëpinë e Bahri Tafili. Kur hipi një polic në terracë, Tafilët hapën zjarr kundër policisë. Ne morëm gra e fëmijë në një dhomë. Morra drejtorin e policisë dhe kërkuam ndihmë nga forcat e FNSH se ata ishin agresivë dhe me armë. Thanë se do vijmë shpejt në vendngjarje.
A është e justifikuar frika e familjes Tafili për hakmarrje nga ju?
Ne s’jemi fis kriminelash. Ne s’kemi asgjë të përbashkët me familjen Tafili. Ata janë kriminelë si shumë të tjerë. Kësaj po i jepet më shumë bujë prej mediave. Unë akuzoj Sokol Koçiun si organizator, si fryma. Sokol Koçiu dhe Mit’hat Havari janë anëtarë të bandës së Admir Tafilit. Kam prova të pakundërshtueshme. Ja tani doli dhe Mit’hat Havari. Kam pritur që ky emër të shfaqej. Ja doli dhe emri i Mit’hat Havarit. Një drogaxhi dhe një drejtues i Policisë së Shtetit, një punonjës që tradhëton gjithë strukturat e Policisë së Shtetit. Nëse policia, prokuroria kanë nevojë për dëshminë time unë jam i gatshëm të dëshmoj dhe përballem me çdo akuzë.
Keni frikë? A mund të vini nga SHBA-të ku gjendeni?
Që kur janë vrarë vëllezërit e mi kam ardhur 20 e ca herë në 10 vjet që kam ikur nga Shqipëria. Unë s’kam frikë se jam i pastër, nga kriminelët s’kam pasur kurrë frikë. Edhe pse s’jam më në punë jam më i fortë se më parë.
Hasmëria e nisur në vitin 2000 mes dy familjeve
Hasmëria mes fisit Pjetrushi dhe Tafili kanë nisur në 2 gusht të vitit 2000 ku policia e Shkodërës organizoi një operacion për arrestimin e Bahri Tafilit. Ky i fundit në atë kohë akuzohej se kishte vrarë Skënder Gecin. Gjatë operacionit ka mbetur i vrarë Bahri Tafili dhe Drejtori i Policisë së Shkodrës Arben Zylyftari. Për këtë ngjarje, djemtë e Bahri Tafilit, Genci dhe Admir Tafili kanë akuzuar si vrasës së babait të tyre, Prel Pjetrushin. Në këtë hasmëri disa vite më parë, dy vllezërit e këtij të fundit janë vrarë nga Admir Tafili, ndërkohë që fill pas kësaj ngjarje në banesën e Tafilit është vendosur një sasi e konsiderueshme tritoli. Pak ditë më parë nipi i Admir Tafilit u plagos rëndë në Suedi.
Shkrimi u publikua sot (11.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)