Tiranë - "Përndjekja dhe vrasja e Zhan Pol Maratit" shkruar nga Peter Weiss, me regji të Arben Kumbaros është premiera që do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar në datat 14 dhe 15 mars, ora 19:00.
Në dramën që do të jetë premiera  e para e këtij viti, pasi shfaqja "Tartufi" u shty në muajin maj, është një trupë me shumë aktorë ku ndërthuren brezat, por do të jetë në skenë këtë herë si aktor dhe drejtori i TK, Hervin Çuli. Si aktor Çuli i kishte munguar skenës teatrore, por këtë herë regjisori Kumbaro i ka besuar rolin e Maratit. Në kastën e aktorëve bëjnë pjesë dhe emra të tjerë të njohur të skenës si Viktor Zhusti, Sokol Angjeli, Helidon Fino, Flaura Kureta, Indrit Çobani, etj.
Sinopsi:
"Përndjekja dhe vrasja e Zhan Pol Maratit", ky është titulli i plotë i dramës së shkrimtarit gjerman Peter Weiss, e cila ka hyrë në historinë më të re të teatrit si "Marat/Sad", me emrat e dy protagonistëve të saj. Një pjesë brilante, një analizë e hollë filozofike e Revolucionit Frëng, me diskutime që vijnë aktuale edhe në ditët tona. "Vrasja e Maratit", merr shkak nga një ngjarje historike, një moment i rëndësishëm në historinë e Revolucionit Francez që është vetë - Vrasja e Maratit. Autori Peter Weiss është ngacmuar prej kësaj ngjarjeje pikërisht për të na shqetësuar me një pyetje madhore: A është radikalizmi ekstrem ose fondamentalizmi sot zgjidhja për të ndryshuar botën?/ ATSH/