Premtimet parazgjedhore për kryetar të Republikës, sa prej tyre janë të realizueshme?

Premtimet parazgjedhore për kryetar të Republikës, sa prej tyre janë të realizueshme?

Foto ilustruese

Viti 2024 zyrtarisht është shpallur vit i zgjedhjeve, jo vetëm në vendin tonë, por në mbarë botën, ku priten të mbahen edhe një sërë zgjedhjesh presidenciale, parlamentare dhe ato lokale, pa i anashkaluar edhe zgjedhjet për përbërjen e re të Parlamentit Evropian.

Lista e konfirmuar e kandidatëve që do të marrin pjesë në Zgjedhjet për Kryetar të Republikës së Maqedonisë së Veriut, shihet që interesimi është i lartë, por ajo që bie në sy është se nga të gjithë kandidatët janë propozuar nga së paku 10.000 votues, për dallim nga Gordana Siljanovska-Davkova, është e vetmja kandidate e cila është propozuar nga së paku 30 deputetë të Kuvendit të RMV-së.

Për dallim nga zgjedhjet e kaluara për Kryetar të Republikës, ku kishim vetëm një kandidat shqiptar që synonte karrigen e Kryetarit në Vilën Vodno, në këto zgjedhje kemi dy kandidatë të cilët pretendojnë dhe shpresojnë se do të futen në rrethin e dytë që do të mbahet më 8 Maj të këtij viti, së bashku me Zgjedhjet Parlamentare.

Dy kandidatët kryesorë që vijnë nga provinienca e partive politike maqedonase, janë të njëjtit që patën garuar në Zgjedhjet për Kryetar të Republikës në vitin 2019, ku fitues u shpall kandidati aktual, Stevo Pendarovski me gjithsej 435.656 vota apo 51.65% nga numri i përgjithshëm i votuesve, përkundër kandidates aktuale, Gordana Siljanovska-Davkova e cila arriti të merr 377.446 vota apo 44.75% nga numri i përgjithshëm i votave. A do të ketë befasi të reja në këto zgjedhje siç ka pasur dhe pritet të ketë në botë apo edhe këtë vit, zgjedhjet janë të parashikuara si ajo e zgjedhjes së Putinit në Rusi!?

Ndikimi i politikës globale dhe zhvillimi i luftës Ukrainë-Rusi, përkatësisht ndarja në fronte Evropë, SHBA dhe Rusi, dukshëm ka ndikuar dhe ka reflektuar edhe në skenën politike maqedonase. Një garë e ngjajshme interesante për Kryetar të Shtetit këtë vit ka pasur edhe Sllovakia, ku kandidati prorus Pellegrini arriti që t’i fitojë zgjedhjet për Kryetar të Shtetit në Sllovaki me 53% të votave në rrethin e dytë, përkundër kundërkandidatit të tij, ish-ministrin e punëve të jashtme, i njohur në skenën politike sllovake me orientim properëndimor, Ivan Korcok, i cili mori vetëm 47% të votave. Edhe Pellegrini, pas triumfit në zgjedhje, deklaroi se do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve sllovakë dhe se zotohet se do të jetë gjithmonë në anën e Sllovakisë. Befasia në këto zgjedhje për kryetar të shtetit në Sllovaki, ishte mosgarimi i kryetares Caputova, e

cila ishte mbështetësja më e madhe e shtetit fqinj, Ukrainës në luftën e saj kundër pushtimit rus. Jo më pak interesante ishin edhe zgjedhjet në Finlandë, ku në mesin e pesë kandidatëve kryesorë kishte edhe një ish-kryeministër, ministra të jashtëm dhe të financave dhe kryeparlamentarë. Gara për shtetin nordik është zhvilluar mes ish-kryeministrit finlandez, Aleksander Stub, i cili në rrethin e dytë politik bëri një rikthim politik, duke e mundur kundërkandidatin, ish-ministrin e punëve të jashtme, Pekka Haavisto me 51.6% të votave, kundrejt 48.4%. Sipas mediave të huaja, vëmendja më e madhe i është kushtuar këtij vendi duke pasur parasysh vendndodhjen strategjike përgjatë kufirit lindor të BE-së dhe NATO-s me një Rusi gjithnjë e më agresive.

PREMTIME QË I TEJKALOJNË KOMPETENCAT E KRYETARIT TË REPUBLIKËS

Sipas Kushtetutës së RMV-së, Kryetari i Republikës është ai që e përfaqëson Republikën dhe është komandant suprem i forcave të armatosura. Kompetencat e tij të përcaktuara me Kushtetutë, më tepër janë të karakterit ceremonial, sepse, kompetencat ekzekutive, përkatësisht bartës i pushtetit ekzekutiv në vendin tonë është Qeveria (Neni 88).

Edhe kësaj radhe, çështja që diskutohet nëpër fushata zgjedhore, sidomos nga VMRO-DPMNE-ja është çështja e censusit zgjedhor, përkatësisht heqja e saj, që u integrua me Amendamentin XXXI të Kushtetutës së RMV-së në vitin 2009 që të zvogëlohej mundësia e dështimit të Zgjedhjeve për Kryetar të Republikës, sepse nga të gjitha kryetarët e deritanishëm, vetëm Kiro Gligorov është zgjedhur që në rrethin e parë, të gjithë të tjerët pas tij, janë zgjedhur në rrethin e dytë, edhe atë Boris Trajkovski me 52,40% të votave; Branko Crvenkovski me 60,64% të votave, kur censusi ishte 50% nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar, ndërkaq, Gjorge Ivanov u zgjodh në rrethin e dytë me 42% të votave, kur censusi u ul në 40%. Nëse merret parasysh legjitimiteti i Gjorge Ivanovit dhe të tjerëve pas tij, sigurisht që është më i ulët se i paraardhësve të tyre. Kjo është një indikator se gjithnjë e më shumë, jehona e votuesve bie në çdo cikël zgjedhor, si pasojë e dëshpërimit të votuesve, përkatësisht votuesit ndihen të lodhur me zhvillimin e deritanishëm të politikave, ku më tepër premtohet, se sa diç realizohet. Kjo në përgjithësi krijon klimë apatie, e cila reflektohet në anketat e përgjithshme të realizuara nga institucionet e ndryshme qofshin edhe ato organizata joqeveritare me një mosbesim të thellë ndaj institucioneve relevante në shtetin tonë dhe në daljen e përgjithshme të votuesve në zgjedhje.

Në këtë kontekst janë edhe sloganet e partive politike të cilët mundohen t’i zgjojnë votuesit e tyre nga apatia shoqërore, duke përçuar mesazhe rreziku dhe gjendje kritike, megjithëse, komunikologët i vlerësojnë si shterp dhe mungesë vizioni, duke përdorur slogane me fjalë të

njohura e të përdorura përgjatë gjithë kohës. “Guximshëm për Maqedoninë” është për shembull, slogani i Stevço Jakimovskit, i cili edhe është i vetmi prej kandidatëve deri më tani, i cili është futur në listën e zezë të SHBA-së, për të tjerët deri në këtë moment që po shkruaj, nuk ka, por që me gjasë mund të del këto ditë, në përputhje me premtimet e Ambasadores së SHBA-së, e cila pati deklaruar se përgjatë tërë kampanjës listës së zezë do t’i shtohen emra të rinj.

Gordana Siljanovska-Davkova, kësaj here për dallim nga zgjedhjet e kaluara që kërkonte “Drejtësi për Maqedoninë – atdheu thërret”, ka dalur me sloganin “Maqedonia sërish krenare”. Për cfarë krenarije flet, mund të shquhet në përdorimin e retorikës dhe herë-herë sulmeve personale që ia adreson kundërkandidatit të saj, Stevo Pendarovskit dhe Qeverisë mbi zhvillimin e politikave vis a vis zgjidhjes së kontestit të emrit dhe çështja me Bullgarinë. Analogjia mund të jetë e gabuar, poqëse mendohet në “Maqedoninë krenare” të kohës së VMRO-DPMNE-së dhe Gjorge Ivanovit, i cili për dallim nga Stevo Pendarovski, më shumë ka qëndruar në heshtje, dhe ka vepruar atëherë kur s’duhej vepruar, duke krijuar precedente të reja juridike përgjatë kohës së tij. Nëse merret parasysh edhe vetoja presidenciale si mjet i fuqishëm në dorën e Kryetarit të Republikës, për të mos i dekretuar ligjet që janë të dëmshme për rendin juridik, Stevo Pendarovski, megjithëse ka mundur të jetë më aktiv, por qëndron më lart se kryetari paraprak, i cili nuk pati guxim asnjëherë që ligjeve të miratuara nga partia e tij politike, t’i abstenojë.

Kandidati, Stevo Pendarovski, duke vlerësuar veten e tij si të suksesshëm, kësaj here ka dalur me sloganin “Kryetari ynë Stevo”, ku dhe nga reklamat një gjë e tillë kërkohet nga qytetarët. Si slogan është më i thjeshtë dhe vetëpërcaktuar dhe vetëofrues për qytetarët. Deri më tash, mund të thuhet se ka qenë prej kandidatëve më modest dhe njëkohësisht më i moderuar në paraqitjet në fushatë, theks të veçantë duke i vendosur integrimit të vendit në BE dhe shqetësimin e migrimit të qytetarëve.

Maksim Dimitrievski nga Kumanova, e kërkon maksimumin për Maqedoninë e Veriut, kështu titullohet edhe slogani i tij: “Maksimum për Maqedoninë”, duke e vendosur theksin tek dy shkronjat e fundit, që në gjuhën maqedonase domethënë mençuri. Nuk është ndonjë kandidat që duhet nënvlerësuar, sepse largimi i tij, dukshëm e ka dobësuar ish partinë e tij në Kumanovë, megjithatë analizuar në mënyrë objektive, gjasat janë minimale për t’u futur në garën e rrethit të dytë.

“E majta” si gjithmonë e pakënaqur me zhvillimin e politikave të këtij vendi, e natyrshme ishte se do të paraqitet kandidatja e tyre femër, Biljana Vankovska me sloganin: “E rikthejmë dinjitetin e qytetarëve”. Ky slogan, mbase është më i duhuri dhe më i qëlluari për çdo qytetar, për cilin ka

nevojë dhe vlerësohet si një ndër arsyet e shumta përse vendosin të largohen nga ky vend. Edhe kjo parti, nuk është për t’u nënvlerësuar, në çdo cikël zgjedhor shënon rritje gjithnjë e më shumë, duke kanalizuar pakënaqësinë e dy partive më të mëdha maqedonase. Kandidati i saj, vështirë që do të arrijë të futet në rrethin e dytë, për shkak të personalitetit të kandidatit dhe retorikës nacionaliste dhe thirrjeve kundër Marrëveshjes së Prespës, e cila me gjasë shumë shpejt mund të përfundojë në listën e zezë të SHBA-së, në përputhje me urdhërin ekzekutiv të miratuar nga Presidenti i SHBA-së.

Për dallim nga maqedonasit, kandidatët shqiptarë, garojnë me slogane të thjeshta si ajo “Kryetari evropian” i kandidatit Bujar Osmanit dhe “Taravari për President”. Edhe këta dy kandidatë, garojnë me retorikën e njohur e të dëgjuar deri më tani të subjekteve politike që garojnë për idenë e integrimit në BE dhe rrezikut prej Rusisë, më i zëshëm në këtë drejtim është kandidati i BDI-së, Bujar Osmani me sloganin e njohur “Po Evropës, Jo Rusisë”, kjo edhe për shkak të përvojës së deritanishme me zhvillimin e politikës së jashtme që është edhe njëra ndër kompetencat e Kryetarit të Republikës. Subjektet e këtyre dy kandidatëve, me vetëdijen se nuk do të arrijnë të futen as në rrethin e dytë zgjedhor në garën për Kryetar të Republikës, që në fillim të fushatës, i pari i cili e lansoi idenë që Kryetari i Republikës të zgjidhet në Kuvend, ishte kandidati Arben Taravari, me çka BDI e zënë ngushtë, idenë e tillë e përpunoi me kandidatin aktual, Bujar Osmani, duke propozuar që i njëjti të zgjidhet në Kuvend me shumicë të Badinterit, me çka Kryetari të ketë edhe zëvendësin e tij.

EPILOGU I ZGJEDHJEVE

Zgjedhjet konsiderohen të suksesshme dhe demokratike, kur përfundojnë pa ndonjë kontest dhe problem të caktuar. Pra, më e rëndësishme se krejt, është epilogu demokratik dhe fer i këtyre zgjedhjeve. Megjithëse rrethi i parë gjithçka e bën më të qartë fotografinë për kandidatin favorit që do të bëhet Kryetar i ardhshëm i Republikës.

Kësisoj, Kryetari i ardhshëm duhet të jetë parasëgjithash përfaqësues i krejt qytetarëve. Këtë detyrë të rëndësishme nuk duhet ta harrojë në asnjë moment. Model i një kryetari të tillë ishte Ivo Josipoviq, Kryetari i Kroacisë. Përpara se të zgjidhje kryetar ishte kryetari i PSD-së dhe deputet në Parlamentin e Republikës së Kroacisë, i zgjedhur nga PSD-ja. Shefi i tij partiak, Zoran Milanoviq, pas zgjedhjes së Josipoviqit për kryetar, tha si në vijim: “I pari fitoi njeriu, më pas PSD-ja”.

Pse të mos kemi edhe kryetar të tillë, i cili pas përfundimit të mandatit ta ndjekë shembullin e Monteskjes, i cili edhe pse ka qenë aristokrat, vullnetarisht ka dhënë dorëheqje prej privilegjeve të cilët i ka pasur si Kryetar i Parlamentit në Bordo!

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në Brazil/ Shembet ura, 2 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur

Tragjedi në Brazil/ Shembet ura, 2 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur