Ish-drejtuesi i lartë i Policisë, Shemsi Prençi, ka deklaruar se ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale janë të domosdoshme, por momenti në të cilin po ndodhin, sipas tij të lë dyshime se nisma e Qeverisë ka për qëllim mbrojtjen e zyrtarëve të korruptuar.

Komentet Prençi i bëri në emisionin 'Frontline' me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, ku propozoi të përjashtohet heqja e masës së sigurisë 'arrest me burg' për të gjithë të pandehurit, veprat penale të të cilëve nuk dënohen më shumë se 5 vite, për të gjithë ata subjekte të veprës penale që punojnë në administratë publike.

"Kodi i Procedurës Penale duhet ndryshuar, por si duhet ndryshuar. Nisma e Qeverisë për ta ndryshuar Kodin e Procedurës në këtë valë të inkriminimit të zyrtarëve të shtetit tingëllon dashakeqe, me qëllime të caktuara për të mbrojtur kupolën politike. Nëse do e kishin seriozisht, unë deklaroj sot publikisht që për këto vepra penale të përjashtohet heqja e masës së sigurisë dhe dënimi deri në 5 vite për të gjithë ata subjekte të veprës penale që punojnë në administratë publike dhe në shtet. Le të përfitojë ai hajduti i pulave. Le të përfitojë ai që mbjell kanabis", tha mes të tjerash Prençi.

Duke theksuar se këto ndryshime bëhen për të certifikuar mbrojtjen dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë të shtetit, Prençi tha se SPAK ka zbuluar një tjetër vilë të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, këtë herë jashtë Shqipërisë, në Sardenjë.

Prençi tha se SPAK do të prononcohet ditën e nesërme për këtë çështje, teksa shtoi se veç vilës janë zbuluar edhe 11 lokale dhe 4 apartamente luksoze në Tiranë.

"Këto ndryshime bëhen për të certifikuar mbrojtjen nga korrupsioni të zyrtarëve të shtetit. Sot në lajmet e fundit ti ke që të ka dalë vilë e Belinda Ballukut jashtë shtetit. Nesër do të bëhet publike. Do dalin edhe mbi 11 lokale në Tiranë dhe 4 apartamente luksoze. Atëherë zotëri, për kë do të ekzekutohet ajo masa e sigurisë? Për hajdutin e pulave, atë zyrtarin e komunës që është jurist për tenderin? Po përjashtove zyrtarët e lartë të shtetit... Nëse nuk bëhet kjo që them unë, atëherë kryeministri është avokati i botës së krimit me kollare. Vila e Ballukut është në Sardenja të Italisë. Jo vetëm kjo vilë, nesër do prononcohet SPAK. Unë e kam parë në filxhan, besoj që përputhet me të dhënat e SPAK", shtoi Prençi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:03
Prençi: Videot me përmbajtje seksuale të artistëve i nxori vetë SHISH për të hequr vëmendjen nga Hyseni dhe Agasi! Shqiptarët shumë të shqetësuar për histori rozë

Ish-drejtuesi i lartë i Policisë, Shemsi Prençi, ka deklaruar se videot me përmbajtje seksuale, ku shfaqen emra të njohur të botës së artit, i ka shpërndarë Shërbimi Informativ Shtetëror.

I ftuar në emisionin 'Frontline' me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, Prençi tha se kjo u bë me qëllim heqjen e vëmendjes nga skandali mes ish-kreut të SHISH, Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit.

Sipas Prençit, SHISH e kishte kuptuar se populli shqiptar ishte më i interesuar për historitë rozë, sesa për mbarëvajtjen e institucioneve shtetërore.

"Videot e këngëtarëve dhe të Adrian Hilës i ka nxjerrë në treg SHISH për një arsye. Pasi doli skandali i SHISH me Ergys Agasin, e pa SHISH se tregu thithte më shumë pjesën rozë. Bënë sondazh dhe e panë që 94% e popullit shqiptar ishin të shqetësuar për pjesën rozë dhe jo se i kanë rënë pantallonat shtetit. Çfarë bëri SHISH, nxori në treg disa video të tjera, që kishin një vit që i kishte SHISH në sirtar, për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik, që të mos merren me kokën e SHISH-it dhe atë që e bëri kokën e SHISH-t, që e solli me gjithë ato bëma që kishte në Shërbimin Informativ të Kosovës", tha Prençi.