Preng Bib Doda, portreti
i rrallë nga Syrja Vlora

Preng Bib Doda, portreti<br />i rrallë nga Syrja Vlora
TIRANE - Një burrë shtatlartë, fytyrëmbël, që njihej e respektohej gjithkund, njeri plot karizmë i mençur e që bënte romuze në çdo rrethanë. Preng Bib Doda në optikën e Syrja Vorës është një personazh pozitiv, që nuk lakmon pushtet, që është bujar dhe njeri i besës, i mençur dhe njeri me humor, një personazh që nuk duhet harruar edhe pse nuk i bëri ndonjë shërbim të madh Shqipërisë, të paktën nuk pati ambicie t’i bënte dëm a të bënte pazare në kurriz të saj.

Në kujtimet e Syrja Bej Vlorës vlen ta shkëpusim edhe këtë profil të shkurtër më shumë se për çdo gjë tjetër, për një detaj të marrëdhënies së tij me Ismail Qemalin dhe Esad Pashën, të cilët i njihte që të dy, dhe nuk kishte kundërshtime me ta, por që e shprehte hapur se të dy ishin të dëmshëm për Shqipërinë.

Profili i Preng Bib Dodës është shkëputur nga libri me kujtime i Syrja bej Vlorës, i sapobotuar me titullin “Historia e Shqipërisë nga invadimi osman më 1400 deri në Luftën e Vlorës dhe çlirimin e saj nga okupacioni italian më 1920”, me redaktim shkencor dhe të përgatitur për botim nga Akademiku i asociuar Marenglen Verli dhe dr. Ledia Dushku.
 
Syrja bej Vlora
 
Princ Dodë Pasha - Princ [Preng Bib] Dodë Pasha ishte shtylla e fortë e mirditorëve, bilonjë e shquar i një familjeje fisnike dhe të vjetër. Me shtatin e gjatë, karakteristik për malësorët dhe me fytyrën e ëmbël, njihej e respektohej në çdo vend. Me mendjen e hollë, kënaqte e gëzonte tërë rrethin. Kishte mjaft dijeni mbi literaturën perëndimore, mbi jetën shoqërore të botës së qytetëruar dhe e njihte situatën ndërkombëtare.

Nuk e donte hipokrizinë dhe nuk i besonte asnjë njeriu. Më shumë se gjërat serioze, i pëlqenin shakatë dhe talljet. Lexonte dhe shkruante turqisht, italisht, frëngjisht. Kurdoherë ishte i çelur dhe i buzëqeshur. Ishte i zoti në fjalë e biseda. Romuzet, që i thoshte në formë shakaje, ishin aq të holla dhe me vend, saqë një mijë kritika dhe shpjegime të tjera nuk mund ta shfaqnin atë kuptim. Me Ismail Beun shkonte mirë.

Edhe me Esat Pashën nuk dukej të ishte kundërshtar. Por që të dy nuk i donte dhe e shprehte hapur se ishin të dëmshëm për Shqipërinë. Duke ngrënë bukë, të tre së bashku në Pallat me Princ Vidin, në mes të shakave të tjera i tha Princit: “Nëse ke vendosur ta rregullosh Shqipërinë, përfito nga rasti dhe zhdukna të treve, mua, Ismail Qemalin dhe Esat Pashën, sepse cilido nga ne të tre që do të mbetet gjallë, as ty, as Shqipërinë nuk do ju lerë rehat”. Kjo shaka dy të tjerëve nuk u pëlqeu, megjithatë u detyruan të heshtnin.

J. Bourcart, një shkrimtar francez, në një vepër të botuar tani vonë, thotë:
“Princ Bib Doda ka një trup të fortë e të shëndoshë, ka një inteligjencë të hollë, por para influencës së priftit të Oroshit ishte i humbur, nuk ishte i zoti të luante ndonjë rol të madh. Ismail Qemali, megjithëse ishte i zhveshur nga pasuria personale, kishte influencë. Ishte një diplomat i zoti, shumë i ditur e i kulturuar, e njihte fare mirë politikën evropiane dhe dëshironte të ngrinte një administratë perëndimore, por ndodhej nën ndikimin e zakoneve të këqija, që kishte marrë në Stamboll.

Sa për Esat Pashën nga trupi ishte i shëndoshë, binte në sy, ishte aktiv dhe tepër inteligjent, por kundrejt dijeve evropiane ishte krejt larg. Xhahil, prish me të katër duart, çapkën, i pangopur me gjë e pasuri, lakmues për nam (famë). Kishte rënë pas të këqijave, një feudal i pamëshirshëm dhe çnjerëzor. Rrethimi i Shkodrës dhe çështja e dorëzimit të qytetit në dorë të Malit të Zi i kishin shkaktuar shumë armiqësi në Shqipëri. Në politikë ishte tepër i paqëndrueshëm.

Në Luftën e Përgjithshme anonte nga ana e Grupit të Marrëveshjes (Antantës). Pranoi copëtimin e vendit të tij dhe ia nguli sytë vetëm administrimit të Shqipërisë së Mesme, të cilën donte ta mbante për vete. Heshti ndaj vendimeve të Konferencës së Londrës dhe marrëveshjes Tittoni-Venizelos. U mjaftua duke mbajtur nën sundim të tij vetëm Shqipërinë e Mesme”. Preng Pasha ishte internuar në Kastamoni dhe për shumë vjet hoqi mundimet e kurbetit. Por asnjëherë nuk u ankua nga vuajtjet në jetë.

Lavdërohej me gradat që kishte marrë nga Perandoria Osmane dhe gjithmonë mbante në kokë feste të kuqe. Në Shkodër, gjatë Luftës së Përgjithshme një kolonel austriak dhe një major hungarez donin t’ia cenonin këtë dukje osmane. Me këtë rast Bib Doda, foli për të ardhmen e luftës dhe iu drejtuar majorit hungarez: Nuk e kuptoj me ç’qëllim u futën hungarezët në luftë? Në rast se fitojnë gjermanët, austriakët do t’i shtypin; në rast se gjermanët do të munden, hungarezët nuk do të jenë të zotë të mbrojnë ekzistencën kombëtare.

Preng Dodë Pasha nuk kishte besim në të ardhmen e vendit. Po ashtu nuk besonte se krerët e tri feve do të arrinin të kishin ndonjë qëllim të përbashkët. Nga ky shkak, hezitonte të pranonte detyra me rëndësi në Shqipëri. Nuk lakmonte nam e pozitë. Pas armëpushimit u vra tradhtisht nga bashkatdhetarët e tij.

Preng Dodë Pasha, sado që Shqipërisë nuk i bëri ndonjë shërbim me rëndësi, ishte dashamirës, i mençur dhe mirëbërës, ishte burrë me besë, me zemër shqiptari, sakrifikohej për ata që i kishte miq. Ndaj meje ishte mirënjohës, sepse unë kisha ndërmjetësuar si për lirimin e tij nga Kastamonia, gjithashtu edhe për dhënien e rrogave të prapambetura.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 05.07.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Ministri Andonovski: Venezuela të dëshmojë se ka pasur sulm hakerësh nga Maqedonia e Veriut në zgjedhjet e saj

Ministri Andonovski: Venezuela të dëshmojë se ka pasur sulm hakerësh nga Maqedonia e Veriut në zgjedhjet e saj