Presidenti Bajram Begaj, përkujtoi sot 106-vjetorin e Kongresit të Lushnjës, duke e cilësuar atë si një nga momentet vendimtare në historinë e shtetit shqiptar.
Në një postim në rrjetet sociale, Kreu i Shtetit thekson se në një moment kritik për ekzistencën dhe pavarësinë e shtetit të ri shqiptar, përfaqësues nga të gjitha trevat dhe besimet fetare u mblodhën në Lushnjë për të mbrojtur sovranitetin dhe tërësinë territoriale të vendit.
Sipas Presidentit Begaj, Kongresi i Lushnjës dëshmoi pjekurinë politike të shqiptarëve për t’u ngritur mbi ndasitë dhe përçarjet, për të marrë në dorë fatin e tyre dhe për të ringritur institucionet demokratike të shtetit, të sfiduara nga anarkia dhe luftërat, duke i dhënë Shqipërisë formën e një shteti modern dhe sovran.
Presidenti shprehu nderim dhe respekt për atdhetarët dhe burrështetasit shqiptarë, pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjës, të cilët certifikuan lindjen e shtetit modern shqiptar.
Postimi i plotë:
106 vjet më parë, në një moment kritik për ekzistencën dhe pavarësinë e shtetit të ri shqiptar, një grup përfaqësuesish nga të gjitha trevat dhe besimet fetare u mblodhën në Lushnje në mbrojtje të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të kërcënuar të vendit.
Kongresi i Lushnjës dëshmoi pjekurinë politike të shqiptarëve për t’u ngritur mbi ndasitë dhe përçarjen, për të marrë në dorë fatin e vet, duke ringritur institucionet demokratike të shtetit, të sfiduar nga anarkia dhe luftërat, duke i dhënë Shqipërisë formën e një shteti modern dhe sovran.
Nderime dhe respekt për atdhetarët dhe burrështetasit shqiptarë, pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjës, që certifikuan lindjen e shtetit modern shqiptar!
Nga data 21 deri në 31 janar të vitit 1920 mbajti në Lushnjë punimet kongresi i thirrur për të përcaktuar fatet e Shqipërisë moderrne.
Ndonëse ishte shtet prej 1912-ës, Shqipëria formën reale e mori nga ky kongres, i cili hodhi bazat e para të shtetit modern shqiptar. Në këtë ditë ka bërë një vizitë në shtëpinë muze të kongresit të Lushnjes Princi Leka, i shoqëruar nga drejtues të partisë Lëvizja e Legalitetit.
Nga shtëpia muze e Kongresit të Lushnjes, Princ Leka është shprehur se patriotët shqiptarë sakrifikuan veten dhe pasuritë e tyre për për të ngritur shtetin shqiptar, ndryshe nga sot.
“Më lejoni t’ju uroj gëzuar 106 vjetorin e Kongresit të Lushnjës. Kongresi i Lushnjës në historinë e shtetit shqiptar, është fillimi i shtet-formimit. Ka qenë koha që ne kemi pasur politikanët që kanë sakrifikuar stoqe, për të financuar vetë nga xhepat e tyre një shtet të ri në Europë. Prandaj mesazhi më i mirë që ne mund të marrim në këtë kohë që ka kaq shumë trazira e vështirësi, si dhe çështje të SPAK, është se shqiptarët kanë një histori dhe kanë ditur si të bëjnë vetë shtet, pa korrupsion, por vetëm sakrificë. Bashkimin e familjes së zakonshme me politikanët, me elitat e biznesit në të gjitha sferat. Prandaj duhet të jemi shumë krenarë për këtë datë historike të historisë tonë. Jeta dhe fati im është lidhur me shtetin tonë”, tha mes të tjerash Princ Leka.
Nga ana e tij kryetari i partisë lëvizja e legalitetit, Shpëtim Axhami theksoi se Partia Lëvizja e Legalitetit ka dhënë dhe jep kontribut të vazhdueshëm në jetën politike shqiptare dhe forcimin e institucioneve shtetërore.
Komente









