Zgjedhja e Presidentit po kthehet ne eventin më të rëndësishëm politik të stinës, pas betejës së Berishës me ambasadoren amerikane kuptohet.

Diskutimet janë fokusuar në parimet dhe identikitin që duhet të këtë kreu i ri i shtetit, por harrohet elementi që është më thelbësori, eksperienca dhe qasja që mund të ketë pasur në detyrat e mëhershme. Kushtetua njëjtë ka qenë, problemet kanë dalë nga interpretimi i shtrembër, sidomos në Presidencën e Ilir Metës! Po të shikohet mënyra se si janë zgjedhur presidentët e kaluar, gjithmonë në muajt e parë të 'mjaltit' me qeverisjet, kanë qenë më të miri! Të gjithë pa përjashtim janë  konsideruar si presidenti mbi palët, që do garantonin ruajtjen e Kushtetutës.

Por pas vetëm 1 viti, maskat iu ranë dhe papritur ata që ishin kandidatët më të përkryer, u kthyen në horra bulevardi, të shitur, të partisë etj! Lumenjtë me akuza nuk kishin të sosur. E vërteta është se Ilir Meta në presidencën e tij, i mishëroi të gjitha kritikat që çuan deri në shkarkimin për herë të parë nga mazhoraca, por ish-Presidentët e tjerë besoj pak ose aspak! Si me angazhimin por edhe me heshtjen e tyre! E megjithatë, asnjë nuk doli i pa lagur nga ‘problemet’ në Presidencë. Por a mundet që kjo të shmanget në të ardhmen? Padyshim që jo.

Asnjë president i ardhshëm, nuk mund të mos mbajë qëndrime të forta që do ja diktojnë rrethanat e të ardhmes, që mund të çojë në ‘mërzitjen’ e forcës që do e zgjedhë, duke e shpallur më tej armik ose tradhtar.

Thënë sa më lart, por parë edhe mungesën e konsensusit nga opozita e ndarë në disa thela dhe me një problem të madh me SHBA, socialistët janë të ‘detyruar’ ta zgjedhin të vetëm presidentin e ri. Pavarësisht diskrecionit në votimin e 3 kandidatëve për Presidentë nga deputetët e PS, disa informacione kanë rrjedhur.

Mimi Kodheli ish-ministre e Mbrojtjes ka dalë më e votuara, mes emrave si Vali Bizhga, e panjohur shumë për publikun e gjëre, por shumë e njohur nga kreu socialistëve Edi Rama, ish-deputetja dhe kryetarja e parë e Grupit Parlamentar të socialistëve Valentina Leskaj apo edhe Majlinda Bregu ish-ministre e Integrimit në qeverinë Berisha, që ka marrë pak vota, 2 më konkretisht. Pra, mes ‘presioni’ të brendshëm dhe atij të jashtëm për një emër jo politik, duket sikur gjasat janë për një emër jashtë saj.

Por, sa e sigurt është që edhe pse i jashtëm, presidenti i ri të jetë mbi palët? Siguria është e njëjtë me parashikimet e sakta për tërmetet, pra zero! Kushdo që të jetë emri i ri, duke parë edhe situatën e diktuar nga koniunktura të jashtme apo brendshme është i/e destinuar të jetë i ashpër me qeverinë dhe kritik me opozitën në veçanti nëse ajo do të zgjedhë përsëri Berishën në krye.

Edi Rama do e kishte më të lehtë t'i gjente argumentet ndaj një Presidenti kritik se sa ndaj një presidenti kritik ish-bashkëpunëtor. Kjo e bën më të lehtë zgjedhjen, por jo bashkëjetesën, që me shumë gjasa pas muajve të parë do të jetë problematike.