TIRANË- Presidenti Ilir Meta ka vijuar sulmet ndaj Reformës në Drejtësi. Në ndryshim nga ndërkombëtarët, të cilët e kanë vlerësuar maksimalisht sipas së cilëve po jep frytet e saj, për kreun e shtetit kjo Reformë nuk ka qenë aspak e suksesshme. Ai ndalet në ligjin që zgjat afatin e koncesionit të aeroportit 'Nënë Tereza' me 13 vjet, të cilin e cilëson si një aferë e pastër korruptive, e që sipas tij, kjo nuk do të ndodhte nëse kjo Reformë do të funksiononte vërtetë. Një reagim i tillë vjen vetëm pak ditë pasi Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) vlerësoi me çmim, ish- kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, (KED) Ardian Dvoranin, me të cilin Meta ka pasur përplasje pasi ai ishte i vetmi gjykatës që u shpreh kundër tij në procesin e skandalit të video-përgjimit të Dritan Priftit. Përplasjet me Dvoranin vijuan edhe për procedurën e emërimeve në Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ).

"Nuk ka asnjë diskutim që nëse do kishim pasur vërtetë një Reformë në Drejtësi të suksesshme, kurrë nuk do të kishin guxuar, ministrat, qeveria , por edhe vetë Kuvendi të bënte këto gjëra, dhe që ju ftoj t'i lexoni,  ashtu si kurse nuk do kishin bërë edhe afera të tjera, megjithatë të jeni të sigurt pas 25 prillit do të ndiqet me rigorozitet të plotë. Çdo dëm që i është bërë interesit publik, interesit të qytetarëve, çdo shkelje, çdo falsifikim që është bërë prandaj ftova edhe forcat politike që garojnë në zgjedhje ta lexojnë me vëmendje", tha Meta.

Në konferencën që zhvilloi me gazetarët, të disatën herë brenda një jave, Meta u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që të reflektojnë dhe të mos kalojnë ligjin që zgjat afatin e koncesionit të aeroportit 'Nënë Tereza' me 13 vjet, edhe pse për këtë shprehet se është dyshues. Kjo sepse sipas tij, vendi është në prag të zgjedhjeve, e sipas Metës deputetët janë të gatshëm që të votojnë çfarë u thotë kryetari për të siguruar një vend në lista.

"Sikundër paralajmërova, dje i përcolla edhe zyrtarisht Kuvendit dekretin për kthimin për rishqyrtim ligjin për aeroportin e Rinasit. Kjo marrëveshje është në dëm të interesit publik, shtetëror e kombëtar pasi bie ndesh me parimet e Kushtetutës dhe është provë e kapjes së shtetit. kuvendi duhet të kërkojë vënenien para përgjegjësisë të gjithë funksonarëve që kanë shkelur ligjin, kjo marrëveshje në dëm të interesit kombëtar.  I bëj thirrje cdo deputeti e zyrtari të lartë të reflektojë me shumë qetësi për këtë nismë dhe të respektojë kushtetutën dhe ligjet e saj. Paralajmëroj se për cdo vepër penale të konsumuar nuk do të ketë kurrë amnisti, por vetëm drejtësi, veçanërisht pas 25 prillit, kuvendi do të kthehet njëherë e përgjithmonë në shinat e së drejtës. Po u jap mundësi deputetëve të reflektojnë dhe të përmbushin detyrimin për të ruajtur interesin publik të shtetasve shqiptarë duke e kthyer mbrapsht këtë nismë. Po ndaj 34 faqet me argumentet ligjore, me shpresën dhe dëshirën që të gjeni kohën e mjaftueshme për t'i lexuar, pa ngritur kartonin dhe duke ulur kokën, siç keni vepruar në shumë raste.  Është një ftesë për të gjithë deputetët ta lexojnë, të mos thonë ‘nuk dinim gjë’., por edhe opinioni publik le të njihet me këtë ‘kryevepër’ të kapjes së shtetit. Lidhur me këtë sjellje të Kuvendi që nuk reflekton ndaj kthimeve, unë bëj detyrën time në emër të institucionit që përfaqësoj, shpresoj që të ketë reflektim edhe pse gjasat janë të pakta se jemi prag bërjes së listash, edhe u premtohet të gjithëve për të qenë për lista duke ngritur kartonin dhe duke ulur kokën për cështje që rëndojnë interesin publik dhe të qytetarëve. Megjithatë, për të gjitha çështjet, këtu dokumentacioni është shumë i qartë, paralajmërimet janë bërë të mirëdokumentuara. nuk ka asnjë diskutim që nëse do kishim pasur vërtetë një ", tha Meta.

Tre ditë më parë, kreu i shtetit ktheu ligjin koncesionit të aeroportit 'Nënë Tereza', ku paralajmëroi deputetët dhe ministrat që kanë firmosur sipas tij "marrëveshje të fshehtë në Kamëz", se do të mbajnë përgjegjësi.