TIRANE-Kreu i shtetit Ilir Meta mblodhi mëngjesin e sotëm për rreth 60 minuta në Presidencë Këshillin e Sigurisë Kombëtare pas tërmetit tragjik që goditi vendin të martën e kaluar duke lënë 51 viktima. Kryeministri Edi Rama dhe ministrat përgjegjës iu përgjigjën ftesës së Presidentit me përjashtim të Bledi Çuçit, që është ministri fuqiplotë për emergjencën, por nuk shkoi në mbledhje. Në mbledhjen me dyer të mbyllura u diskutua për situatën e emergjencës dhe reagimin e të gjitha institucioneve për marrjen e masave.

Presidenti Ilir Meta tha se vendi ndodhet në kushte emergjence prandaj e thirri mbledhjen, ndërsa kërkoi një koordinim më të ngushtë midis të gjitha institucioneve për përballimin e situatës dhe mbështetjen e prokurorinë që të çojë përpara hetimet dhe të vendosë para përgjegjësisë penale të gjithë ata që do të rezultojnë përgjegjës për ndërtimet abuzive.

"Jemi në kushte emergjence. Falenderoj të gjitha institucionet për gjithcka që bënë për operacionet e kërkim shpëtimit, por edhe partnerët që ndihmuan menjëherë. Sot në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, diskutuam për një bashkëveprim dhe koordinim më të ngushtë midis të gjitha institucioneve për përballimin e emergjencës deri në rivendosjen e normalitetit të plotë.

E mbështetëm prokurorinë të çojë përpara hetimet dhe të vendosë para përgjegjësisë penale të gjithë ata që do të rezultojnë përgjegjës. Të sigurojmë burimet e brendshme dhe mbështetjen e duhur ndërkombëtare për tejkalimin e pasojave të rënda të këtij tërmeti të tmerrshëm" tha Meta. Në përfundim të mbledhjes kryeministri Rama u largua me makinë duke mos dhënë asnjë prononcim, ashtu sikundër edhe ministrat dhe anëtarët e tjerë të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare.


 

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë morën pjesë:
Presidenti - Ilir Meta
Kryeministri - Edi Rama
Kryeparlamentari - Gramoz Ruçi
Kreu i SHISH - Helidon Bendo
Kryeprokurori - Arta Marku 
Kryetari i komisionit të Sigurisë - Ermonela Felaj
Ministri i Brendshëm - Sandër Lleshaj
Ministri i Drejtësisë - Etilda Gjonaj 
Ministrja e Mbrojtjes - Olta Xhaçka 
Ministri i Ekonomisë dhe Financave - Anila Denaj
Ministri i Energjetikës - Belinda Balluku
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu
Ministrja e Arsimit Besa Shahini
Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu
Drejtori i Emergjencave Civile Haki Çako

Momenti i largimit te kryeministrit Rama pas perfundimit te mbledhjes