Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekreton dhënien e shtetësisë shqiptare për Imzot George Anthony Frendo, Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë–Durrësit e Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë.
Presidenti Meta e bëri publik vendimin, sot gjatë meshës së mbajtur në Katedralen e “Shën Palit” në Tiranë. Mesha e veçantë në Katedralen “Shën Pali” në Tiranë, u zhvillua me rastin e 25-vjetorit të vizitës së Papa Gjon Palit II në Shqipëri.
(Dekreti i dhënies së nënshtetësisë Imzot George Anthony Frendo)
Vlerësim kontributit dhe veprimtarisë së spikatur mbi 20-vjeçare të Imzot Frendo, në ringjalljen e besimit dhe forcimin e harmonisë fetare. Imzot Frendo u shërbeu dhe kontribuoi me shpirt për të ndihmuar të varfrit dhe familjet në nevojë. Imzot Frendo një nga frymëzuesit dhe arkitektët e shumtë të ruajtjes dhe forcimit të trashëgimisë së shkëlqyer shqiptare të bashkëjetesës dhe harmonisë së besimeve. Falë nismave dhe veprës së tij u është ofruar punë e shërbime qindra njerëzve në nevojë. Veprat e Imzot Frendo e shndërruan Kishën Katolike në një faktor multidinamik shpirtëror dhe faktor progresi në Shqipëri Nder e privilegj në këtë meshë kaq të veçantë, nëpërmjet së cilës, na u përcollën mesazhe paqeje, mirësie, dashurie e humanizmi. Vizita e Papa Gjon Palit II, një datë historike e një ngjarje e paharruar, jo vetëm për besimtarët katolikë, por për mbarë kombin shqiptar. 25 vite më parë, Papa Gjon Pali II vizitoi Shqipërinë për të bekuar një popull martir.
Papa Gjon Pali II frymëzoi e i dha shpresë e besim popullit tonë. Rikthimi tek besimi dhe tek Zoti do ta bënte shoqërinë shqiptare më të paqme dhe më të begatë. Papa Gjon Pali II ngjalli kurajën dhe ngrohu zemrat e shqiptarëve me mesazhet e tij. Me vizitën e Papa Gjon Pali II, përkujtojmë edhe shugurimin e katër ipeshkvijve të parë shqiptarë të Kishës Katolike: Imzot Frano Ilinë, Imzot Rrok Mirditën, Imzot Robert Ashtën dhe Imzot Zef Simonin. Katër ipeshkvijtë e parë do të mbahen mend dhe do të nderohen si pionierët e përçuesit e besimit hyjnor dhe të ringritjes së Kishës Katolike në Shqipëri.
Jeta dhe vepra e të ndjerit Imzot Rrok Mirdita, do të mbetet një shembull i përkushtimit të thellë ndaj njerëzve. Imzot Rrok Mirdita, simbol i solidaritetit dhe sakrificës, ringritjes kombëtare dhe ringjalljes shpirtërore. Përulemi me respekt dhe mirënjohje trashëgimisë së vyer të Imzot Rrok Mirdita.
Pjesë nga fjala e Presidentit të Republikës, Ilir Meta