Me anë të një mesazhi të bërë publik, Kreu i Shtetit, Bujar Nishani uron të gjithë besimtarët bektashinj me rastin e Festës së Hashures.

Nishani ka shkruar ''kjo datë e bekuar dhe e shenjtë e kalendarit islamik shenjohet edhe nga tradita e bukur e bektashinjve shqiptarë, sepse ajo përfaqëson jo vetëm një vlerë të rrallë njerëzore, por edhe një shembull domethënës të respektit ndaj tjetrit që është ndryshe e të bashkëjetesës dhe harmonisë fetare që ne gëzojmë prej shekujsh në vendin tonë''. 

 Urimi i Kreut të Shtetit  me rastin e festës së Hadhures:

“Të dashur besimtarë bektashinj shqiptarë kudo ndodheni,
 
Dita e sotme për ju shënon një kremtim kuptimplotë, Festën e Hashures. Më lejoni që në këto çaste të harésë dhe ngazëllimit tuaj të përbashkët, t’ju shpreh urimet e mia më të sinqerta e të përzemërta njëkohësisht, për ju, familjet dhe njerëzit tuaj të dashur!
 
Kjo datë e bekuar dhe e shenjtë e kalendarit islamik shenjohet edhe nga tradita e bukur e bektashinjve shqiptarë, sepse ajo përfaqëson jo vetëm një vlerë të rrallë njerëzore, por edhe një shembull domethënës të respektit ndaj tjetrit që është ndryshe e të bashkëjetesës dhe harmonisë fetare që ne gëzojmë prej shekujsh në vendin tonë.
 
Kjo ditë e shënuar, por edhe festimi i përbashkët që ne të gjithë i bëjmë asaj, pavarësisht se cilës fe mund t’i përkasim, shfaqet me gjithë madhështinë dhe shenjtërinë e saj, kur vëmë re me kënaqësi shpalosjen e dashurisë e të mirëkuptimit për njëri-tjetrin, shtrirjen e dorës së ndihmesës ndaj më të vobektëve e të pafatëve, shkëmbimin e të mirave materiale dhe shpirtërore, përkujdesjen ndaj të moshuarve e fëmijëve, duke u dhuruar atyre më tepër dashuri e ngrohtësi njerëzore.
 
Gëzuar dhe përshumëvjet Festën e bekuar të Hashures!” – theksohet në mesazhin e urimit të Presidentit të Republikës.

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com