Zaret për Presidentin u hodhën, edhe Sali Berisha e bëri të vetën, duke nxjerrë një kandidat nga fusha e drejtësisë. Dalja me emrin e Xhezair Zaganjorit e vjetëroi një pjesë të diskursit shumëmujor për presidentin. Kandidatët politikë u sfumuan, Ilir Meta u kap me përllje. Duke i mbajtur fjalën e dhënë apo gjysmën e fjalës së dhënë, Berisha i vështirësoi atij lojën me dy karrige- edhe majtas, edhe djathtas. Për hir të iluzioneve që mbolli në kampin socialist, Ilir Meta po mundohet të qëndrojë në mes, por logjikisht, pasi e ka arritur atë që ka dashur- shmagien e një kandidature të fortë politike nga PD- nuk ka gjasa të kërkojë me shumë dhe të rrezikojë shfaktorizimin e tij duke bërë punëtorin e opozitës, që nuk e ka as në program. Ai e di se pretendimet e tepërta në pozicionin ku ndodhet e nxjerrin fishek nga loja. Është tjetër gjë po të kishte kredon e një misionari. Por kjo tashmë është një ëndërr e vdekur.
Si përfundim, gjithë çfarë arriten për momentin lojtarët e mëdhenj të presidencialeve mund të përblidhet me ketë ligjeratë: u prenë rrugën për të marrë postin e kryetarit të shtetit politikanëve, që e mendojnë dhe e shërbejnë natyrshëm gjatë gjithë karrerës së tyre këtë ambicie kulmore; u hapën rrugën burrave dhe grave të mira në këtë vend, që janë me qindra e mijëra, por që nuk e kanë menduar e shërbyer asnjë ditë këtë ambicie. Se sa e ndihmon politikën shqiptare ky reduktim i funksioneve të saj organike për të prodhuar udhëheqës dhe burra shteti në arenë, kjo mbetet për t’u parë. Në planin teorik ky reduktim fuksionesh e dëmton politikën. Rezervohemi ta themi këtë në planin praktik, pasi në këtë plan politika jonë është dukshëm banale.
Sidoqoftë, kjo histori e stërzgjatur e presidencialeve shqiptare po i afrohet epilogut Nuk ka dyshim se nesër, kur ta kemi Presidentin e ri, edhe do të qeshim me gjithë gjithë këtë harxhim energjish, që nuk gjen përligjie në faktin se jemi thjesht një republike e vogël parlamentare me një president kryesisht ceremonial. Nëse shumica qëndron e bashkuar dhe nuk lëshon në zgjidhjen që ka hedhur, beteja për ketë edicion mbyllet këtu për t’u hapur në një formë tjetër në vijimësi.
I kemi mëshuar dhe vazhdojmë t’i mëshojmë marrëveshjes, konsensusit. Është shumë i mirë padyshim. Por duhet të rrimë shtrembër e të flasim drejt. Kemi patur një kushtetutë që diktonte marrëveshje. Në vitin 2008 parlamenti votoi me konsensus ndryshimin e saj. Me kushtetutën e re marrëveshja mbetet në vullnetin e shumicës politike që ka qeverinë. Shumica merr përgjegjesinë për zgjedhjen që bën, publiku e gjykon me votë nëse ka zgjedhur mirë apo keq. Kaq. Në këtë betejë opozita ka detyrimin të thotë të vetat, të kërkojë të respektohet, të mbrojë dhe avancojë opsionin e saj dhe kandidatin e saj, nëse del me kandidat. Sa të jenë në fuqi dispozitat që kemi për zgjedhjen e presidentit, nuk ka hapësirë për protagonizëm të metejshëm.
Kur ne kërkojmë me forcë konsensus u referohemi praktikave të mira të republikave parlamentare të Europës, fjala vjen Italisë, Greqisë apo Gjermanisë. Në këto vende zgjedhja e kryetarit të shtetit me marrëveshje është një prirje kostante e klasës politike, prirje që finalizohet herëpashere. Por atje nuk është si te ne, ku opozita kërkon, ndërsa shumica mendohet apo refuzon. Është ndryshe ekuacioni. Është shumica ajo që ka interes për një president konsensual. I duhet për të paqtuar një gjendje, për të ulur tensione, për të bashkuar popullin. Në planin politik i duhet për t’i hequr municion elektoral nga vezmet opozitës. Këtu te ne shumica nuk e mendon fare në këtë prizëm ngaqë Presidenti i duhet për të bashkuar pushtetet e ndara , ndërsa zgjedhjet mendon t’i marrë në tavolinë, me manipulime e marifere ligjore.
Opozita ekziston për të ardhur në pushtet. Zgjedhjet e lira janë kryfjala e aksionit të saj. Programi është kallzuesi. Ky është binomi që duhet të marrë energjitë kryesore të opozitës politike. Vendit dhe opozitës u duhen sot me shumë se asgjë një reformë eletorale që garanton zgjedhje të lira, një KQZ e ekulibruar me një kryetar të paanshëm. Në lidhje me Presidentin, kjo opozitë, shumica, apo faktorët e rinj politikë që priten të votohen në zgjedhjet e ardhshme kanë një betejë për të hapur: zgjedhjen e tij nga populli. Jemi i vetmi vend ku populli voton vetëm për autobuzat e listave partiake, zgjidhja hileqare që kanë gjetur kastat e partive të mëdha për të shmangut përballjen e drejtpërdrejtë me zgjedhësit. Sëpaku ta kompensojnë me zgjedhjen e Presidentit nga populli.