Presidenti: Nuk jam i varur nga Berisha

Presidenti: Nuk jam i varur nga Berisha
DEKLARA E PLOTË E PRESIDENTIT TOPI PËR FIKS FARE

Saimiri - Z. President, po bëhet gati një vit nga grushti i shtetit. A mbani ju përgjegjësi për dështimin e atij grushti shteti?

Presidenti - Me gjithë se ky emision ka sens humori, unë do ta vlerësoja këtë emision për një veçori që pak emisione televizive e kanë. Ju keni futur ne sfond humorin, por ju keni qenë vërtet një mekanizëm transparence i admirueshëm. Besoj se shqiptarët kur e shohin këtë emision nuk shohin thjesht sensin e humorit, por shohin vërtetësinë e mesazhit që ju përcillni tek publiku. Ato gjëra që nuk arrijnë të dalin...nuk jeni dakord me këtë?

Presidenti - Unë dëshiroj që këtë ngjarje ta trajtoj me seriozitetin e duhur. Ka qenë një ngjarje e hidhur, një ngjarje që askush nuk do të dëshironte ta përjetonte sepse brenda një dite ne kemi parë dy pamje. Njëra anë dhunim i institucioneve, tjetra të vrarë dhe të plagosur. Por, besoj kjo është një çështje e cila tashmë i takon institucioneve të drejtësisë që unë uroj ta trajtojnë me profesionalizëm dhe të japin drejtësi.

Saimiri - Z President, në fakt kjo është jashtë, e kam si shumë qytetarë. Dhunim institucionesh kemi parë dhe në vende të tjera, në Itali, në Francë, studentët hynë deri në parlamentin e Romës, të vrarë nuk kam dëgjuar andej!

Presidenti - Ky është moment shumë i dhembshur, shumë dramatik, por për delikatesën e kësaj çështjeje unë besoj që janë po aktorët e shtetit që janë drejtuesit e institucioneve të drejtësise që me profesionalizëm do të shprehen në momentin e duhur.

Doktori - Shiko, një pyetje kisha z. President. Po një herë që t’u dha rasti për grusht shteti dhe nuk e çove deri në fund!

Saimiri - Ishte jashtë konjukturës.

Presidenti - Më keni parë ndonjëherë që të godas veten time me grushte?

Saimiri - Jo, jo.

Presidenti - Kryetari i shtetit!

Saimiri- Kjo na bën përshtypje. Dy pjesëmarrës të puçit të shtetit janë institucione të pavarura sot dhe vazhdojnë të qeverisin vendin. Jeni ju dhe Prokuroria e Përgjithshme.

Presidenti - Unë besoj që ky është një moment që ka më shumë vend për të trajtuar me seriozitet se sa me humor.

Në bisedën e zhvilluar, kreu i shtetit është pyetur, me pak humor, nga prezantuesit e emisionit satiriko-investigativ nëse do të votonte kryeministrin Berisha apo kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli për president.
“Eksperienca ka treguar që vota e presidentit nuk është e fshehtë. Pavarësisht çfarë shpreh unë, janë të tjerët që shprehen në emrin tim. Edhe kur transparenca është e fshehur, atë e bëjnë të tjerët duke e modifikuar”, është shprehur Topi.
Pyetjet pikante të Sajmirit dhe Doktorit kanë vijuar, dhe në njërën prej tyre presidentit i është kërkuar një opinion mbi opsionin nëse presidenti do të varej nga kryeministri.
“Deri tani nuk parashikohet që presidenti të ketë vartësi nga kryeministri, por nëse bëhen ndryshimet kushtetuese, kjo edhe ndodh”, është përgjigjur presidenti.
Ai ka nënvizuar se nuk do t’i drejtohet për një mendim Gjykatës Kushtetuese për rastin e opsionit të zgjedhjes së presidentit, që kërkon tre raunde.
“Sipas ligjit dhe Kushtetutës, presidenti ka të drejtë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, por këtë e kanë edhe palët politike. Unë nuk do ta shfrytëzoj si president këtë atribut, duke qenë se e kanë edhe të tjerët. Presidenti është garant i Kushtetutës, por dihet që është gjykata ajo që e mbron atë”, ka theksuar kreu i shtetit.
Më tej, kreu i shtetit është pyetur edhe mbi zërat që sa vijnë e konfirmohen për partinë e tij të re, lidhur me të cilën ka dhënë një përgjigje të prerë.
“Për partinë time flasin të gjithë përveç meje. Fakti që këtë lajm e kanë gazetat dhe nuk e kam unë... Duhet të vendoset njëherë nëse do të shkohet në atë linjë dhe pastaj të shihet demokracia”, ka thënë Topi.
Ndërsa marrëdhëniet mes tij dhe kryeministrit, duke iu përgjigjur interesit të moderatorëve, ai i ka komentuar kështu: “Nëse do t’i analizoni, referojuni dokumentacionit që ka Top Channel në vite. Para meje kanë qenë edhe të tjerë presidentë dhe mund të verifikoni se cilat kanë qenë marrëdhëniet”.
Nuk ka munguar pa u prekur edhe çështja e pronave, e në veçanti infrastruktura e institucioneve që menaxhojnë këtë çështje, ALUIZNI dhe AKKP-ja.
“Është një çështje që e kam ngritur vazhdimisht. Infrastruktura zhvillohet aty ku janë problemet. Mesa duket nuk ka shumë probleme tek pronat e ish-pronarëve, që kanë mbetur me “ish” përpara dhe me letra nëpër duar. Shumë prej tyre janë plakur gjykatave dhe s’kanë marrë asgjë”, ka thënë Topi.
Përveç çështjeve politike, presidenti ka folur edhe për vetë emisionin “Fiks Fare”, duke vlerësuar punën e tij ndër vite, në veçanti denoncimet e aferave korruptive të zyrtarëve.
“Unë do ta vlerësoja “Fiksin” për një veçori, ju keni futur në sfond humorin por keni qenë një mekanizëm transparence të admirueshme. Qytetarët shohin edhe vërtetësinë e atyre gjërave që nuk arrijnë të dalin në sipërfaqe. Ju keni vlerësimin tim si qytetar”, ka vlerësuar Topi, i cili ka marrë edhe një çmim simbolik nga redaksia e emisionit të transmetuar në Top Channel.

Më poshtë vijon biseda e plotë e zbardhur mes z.Topi dhe drejtuesve të emisionit “Fiks Fare”

Saimiri - Kam kënaqësinë sot miq të nderuar t'ju them që do të jetë këtu mes nesh, zonja dhe zotërinj Presidenti i Republikës, i ftuar, z. Bamir Topi.

Saimiri - Në fakt më lejoni ta filloj me disa sekonda heshtje në kujtim të heshtjes që ju e thyet dhe se besoj t'i ktheheni më. Vetëm dhjetë sekonda.

Doktori - Mua më kanë thënë që keni bërë dhe një album për heshtjen.

Saimiri - Po një album. Rrimë pak. Mos u ktheftë më ajo heshtje.

Presidenti - Faleminderit.

Saimiri - Z. President i dërguat kartolinë kryeministrit për vitin e ri?

Presidenti- Unë jam i kujdesshëm gjithmonë në detyrimet e mia institucionale.

Saimiri - Pra i keni dërguar!

Presidenti - Sigurisht.

Doktori - Ju a ka kthyer kartolinën?

Presidenti - Unë kam këtu edhe njerëzit e protokollit, besoj që po.

Doktori- Ah, pse? As që nuk e keni hapur fare!

Presidenti - Por shiko. Unë i çoj kartolina të gjithëve, edhe përtej institucioneve, por marrë edhe shuma kartolina dhe kam vlerësim për të gjithë ata që më çojnë urime, dhe nuk marr vetëm listën por shikoj edhe përmbajtjen.

Saimiri - Dmth nuk ka marrë! Që ta kuptosh ti.

Presidenti - Jo, nuk e thashë.

Saimiri - Nuk e tha. Dakord.

Presidenti - Jam i bindur që aty është kartolina.

Saimiri - Z. President, po bëhet gati një vit nga grushti i shtetit. A mbani ju përgjegjësi për dështimin e atij grushti shteti?

Presidenti - Me gjithë se ky emision ka sens humori, unë do ta vlerësoja këtë emision për një veçori që pak emisione televizive e kanë. Ju keni futur ne sfond humorin, por ju keni qenë vërtet një mekanizëm transparence i admirueshëm. Besoj se shqiptarët kur e shohin këtë emision nuk shohin thjesht sensin e humorit, por shohin vërtetësinë e mesazhit që ju përcillni tek publiku. Ato gjëra që nuk arrijnë të dalin...nuk jeni dakord me këtë?

Presidenti - Unë dëshiroj që këtë ngjarje ta trajtoj me seriozitetin e duhur. Ka qenë një ngjarje e hidhur, një ngjarje që askush nuk do të dëshironte ta përjetonte sepse brenda një dite ne kemi parë dy pamje. Njëra anë dhunim i institucioneve, tjetra të vrarë dhe të plagosur. Por, besoj kjo është një çështje e cila tashmë i takon institucioneve të drejtësisë që unë uroj ta trajtojnë me profesionalizëm dhe të japin drejtësi.

Saimiri - Z President, në fakt kjo është jashtë, e kam si shumë qytetarë. Dhunim institucionesh kemi parë dhe në vende të tjera, në Itali, në Francë, studentët hynë deri në parlamentin e Romës, të vrarë nuk kam dëgjuar andej!

Presidenti - Ky është moment shumë i dhembsur, shumë dramatik, por për delikatesën e kësaj çështjeje unë besoj që janë po aktorët e shtetit që janë drejtuesit e institucioneve të drejtësise që me profesionalizëm do të shprehen në momentin e duhur.

Doktori - Shiko, një pyetje kisha z. President. Po një herë që t’u dha rasti për grusht shteti dhe nuk e çove deri në fund!

Saimiri - Ishte jashtë konjukturës.

Presidenti - Më keni parë ndonjëherë që të godas veten time me grushta?

Saimiri - Jo, jo.

Presidenti - Kryetari i shtetit!

Saimiri- Kjo na bën përshtypje. Dy pjesëmarrës të puçit të shtetit janë institucione të pavarura sot dhe vazhdojnë të qeverisin vendin.Jeni Ju dhe Prokuroria e Përgjithshme.

Presidenti - Unë besoj që ky është një moment që ka më shumë vend për të trajtuar me seriozitet se sa me humor.

Saimiri - Z. President kalojmë tek kjo pjesa e jonë që të jesh ndoshta më komod. Z. Berisha dhe Znj. Topalli e kanë deklaruar publikisht votën e tyre kundra presidentit në qoftë se do të kandidoni përsëri. Në qoftë se ju do të ishit ne pozitën që do të votonit ose z. Berisha ose Znj. Topalli për president, do ta votonit?

Presidenti - Eksperienca ka treguar që vota e presidentit nuk është e fshehtë.

Pavarësisht çfarë shpreh unë, janë të tjerët që shprehen në emrin tim.

E rendësishme është që njerëzit kanë kuroja që të shprehen me transparencë.

Saimiri - Transparenca e juaj është po!?

Presidenti - Edhe atje ku vota juaj është e fshehur, ju siguroj që transparencën e bëjnë të tjerët. Sigurisht duke e modifikuar.

Saimiri - Dmth do të votoj për të votuar, por kur të hapet kutia do të shohim për kë ke votuar.

Doktori - Tek votimi, desha ta pyesja kush do ta numëroj votën tuaj edhe në rast se votoni.

Presidenti - Mos kini merak sepse ka njerëz të specializuar për të numëruar votën time.

Saimiri - Është momenti që do zgjidhet presidenti, në fund të mandatit tuaj. Siç e keni theksuar do të jeni deri ne momentin e fundit president dhe do t'ju uroja vërtet të jeni i tillë. Dhe do të jeni jam i sigurt. Megjithëse ka një problem mes juristësh, konfliktet 71, 81, shumica, e ku e di unë çfarë tjetër! Është vendi ose momenti që ju t'i kërkoni gjykatës kushtetuese të bëj një interpretim të ligjit! Apo ngaqë nuk do jeni më president të bëjnë çfarë....

Presidenti - Sipas ligjit, sipas kushtetutës, natyrisht që ka presidenti të drejtë që t'i drejtohet gjykatës kushtetuese. Por këtë të drejtë e kanë edhe palët politike. Me qenë se ky debat ka lindur tek palët politike ato kanë edhe mundësinë që t'i drejtohen gjykatës kushtetuese. Për të qenë i drejtpërdrejt me ju, unë nuk do ta shfrytëzoj si president këtë atribut të presidentit për sa kohë e kanë të tjerët.

Saimiri- Jo, duke qenë se presidenti është mbi palët politike, dhe duke parë nga palët politike, siç keni parë dhe ju dhe gjithë shqiptarët, vazhdojnë në një vrimë të zezë pa krye e pa dalje. Mos ndoshta është momenti që presidenti të marri atë statusin e tij e t'i thotë gjykatës kushtetuese shprehu, e të shpëtojnë të gjitha palët. Në këtë rast palët janë populli i majtë dhe i djathtë.

Presidenti - Shpesh herë, kanë thënë që presidenti është garanti i kushtetutës. Por ato që duhet ta njohin mirë për ta shprehur, Gjykata Kushtetuese është garant i kushtetutës.

Në rast se dikush kërkon pastaj të bëjë interpretim gjykatës është i lirë që ta bëj.

Doktori - Koleg i dashur je drejtuar gabim me pyetjen. Që të binim rehat z.President mos do të ishte më mirë që të ishte presidenca nën varësi të kryeministrit? Binim rehat edhe ju, edhe ne, edhe populli edhe të gjithë rehat.

Presidenti - Deri tani nuk parashikohet, por po të ketë ndonjë risi të marrëveshjes së 21 Prillit për ndryshimet kushtetuese ndoshta edhe bën vaki.

Saimiri - Z. President a mendoni dhe a duhet bërë publike që personalitetet, e kam për kolegun tim Doktorin, herë pas here duhet t'i nënshtrohen vizitave mjekësore, për gjendjen e tyre psiko-motorike, shëndetësore etj...A duhen bërë publike këto?

Presidenti - Unë e shikoj që ju po më shikoni me shumë kureshtje për të parë gjendjen time

Presidenti - Unë në fakt e prisja këtë pyetje që nga ana tjetër të ma bënit (drejtohet nga Doktori). Gjëja e parë që të orienton për të shkuar në një klinikë është pikërisht specialisti.

Doktori - Unë quhem mjeku tani!

Presidenti - Në rastin konkret mjeku. Unë besoj se në rastin se ju keni ndonjë suspekt për mua mund të ma thoni, sepse unë jam i hapur, jam transparent. Nëse ju shikoni ndonjë lëvizje në pjesën psiko-motorike mund të ma thoni.

Saimiri - Unë nuk do jua them direkt por do them mëshiroje o zot. Nuk do ta them direkt.

Presidenti - Gjithsesi çdo njeri në edukatën shëndetësore që e merr qysh në fëmijëri, është mirë që ta ndjek vetveten.

Saimiri – Z. President, si e komentoni, sepse ju vini nga një familje tiranase me prona, dhe të gjithë jemi që prona të shkojë tek i zoti, si e komentoni këtë situatë në Shqipëri që Aluizni që është një institucion që duhet të legalizojë tokat e marra dhe ndërtimet pa leje ka godina luksoze, ka punonjës pa fund, ndërsa AKKP –ja ka dy zyra dhe mund të ketë nja 10 punonjës? Pra, ato që duhet të marrin tokat e tyre kanë kaq pak persona?

Presidenti – Në pyetjen tuaj kishte shumë përgjigje. Më shumë se çdo të jepja unë. Është një çështje që unë e kam ngritur vazhdimisht, zakonisht, infrastruktura zhvillohet aty ku janë problemet. Me sa duket nuk ka më shumë probleme tek pronat e ish pronarëve, që për fat të keq kanë mbetur gjithmonë me ish përpara. Kanë këtë pjesën tjetër dhe mesa duket, kjo është një gjë e hidhur, që duhet ta themi. Që pronarët kanë mbetur fatkeqësisht vetëm me letra nëpër duar. Janë plakur gjyqeve. Një pjesë të të cilëve i kemi parë të jenë shumë të devotshëm për të respektuar shtetin, për të respektuar letrat, dokumentet. Por fakti që nuk është i njëjti kujdes do të thotë që prioritet është diçka tjetër.

Doktori – Nejse jemi ne 2012 dhe të kërkosh tokën tënde është një turp i madh.

Presidenti – Sigurisht.

Saimiri – Dhe është vetëm fillimi. Z. President, si kryetari i një partie të re, këtë nuk e them vetëm unë se jo më larg se shtypi i sotëm, i ditës...

Presidenti – Jo, jo. Këtë e thotë cilido por vetëm unë s’e them.

Saimiri – Epo prandaj. Shtypi i ditës, Metropol, thotë “ Partia e Topit, zonat ku ka më shumë influencë”. Koha jonë – “ Gjana- Partia e Topit, pse nuk shkakton dot firo në PD”. Ose kalojmë tek Panorama thotë- Biberaj – Drejtimi i partisë së Topit deri në vjeshtë me komisionin nismëtar si PD e ’91. Tirana Observer – “ Formësohet partia e Bamir Topit, zbulohen detajet sekrete për themelimin”. Zbardhet edhe programi i Partisë se Topit ke “SOT”. Vetëm ke Shqiptarja.com partia e Topit – Tritan Shehu thotë – Nuk na dëmton, nuk është si LSI-ja. Dhe në fund fare Gazeta Shqiptare thotë – Berisha president.

Presidenti – Atëherë unë duhet të shoh pak gazetat për tu orientuar nëse unë do të merrem me politikë pas mbarimit të mandatit, të orientohem për të ndërtuar programin. Sepse fakti që e kanë gazetat dhe nuk e kam unë është një mundësi për ta pasur.

Doktori – Detajet i ke ne gazetë, edhe të fshehtat.

Sjamiri – Meqë do të rishikoj programin z. President për partinë e re, ku do jetë dhe kryetar besoj. Besoj. Se që të bej unë një parti dhe të jetë kryetar doktori unë nuk e pranoj dot.

Presidenti – Duhet të vendosim një herë nëse do të shkojmë në atë linjë. Do të shohim edhe pjesën e demokracisë.

Saimiri – Nëse do të shkosh në atë linjë, partie, në statusin tuaj do të jetë që kryetari i partisë të ndërrohet çdo katër vjet? Apo do të merret programi nga ai i Partisë Demokratike që është i përjetshëm kryetari.

Presidenti – A keni ndonjë shembull më të mirë, që shtatë muaj para mbarimit të mandatit unë të deklaroj që nuk rikandidoj më për president.

Saimiri – Do të kemi një parti, do të ketë zgjedhje!

Saimiri – Z, President, se kjo është dhe shumë qytetare, se Z. Bamir është edhe qytetar dhe i pari i republikës, kam një kureshtje dhe mund të ma shuash. Si përgatitet hashurja?

Doktori – Rubrika speciale e kuzhinës.

Saimiri – Keni folur diku në një emision për festën e hashures por...(futet kronika ku presidenti i Republikës, z.Bamir Topika dhene se :”baza e hashures është gruri”)

Presidenti – Unë ju falënderoj që e risollët për ta argumentuar. Në mos gaboj unë atë ditë kam qenë në selinë e kryegjyshatës dhe kuptohet që mbas çdo vizite në evenimente festash patjetër që shprehen dhe për mediat. Nëpër medias ne përcjellim urimet për të gjithë besimtarët. Në rastin konkret për besimtarët bektashianë. I jam referuar pikërisht simbolikës së asaj dite. Të gjithë në themi dita hashures por simbolika ka të bëjë me betejën e Qerbelasë. Që është një nga momentet më të dhimbshme për besimtarët bektashianë. Është momenti kur i biri i Imam Aliut, Imam Hyseni, ishte dhe nipi i profetit Muhamet vritet dhe kjo ngjarje mori pastaj një simbolikë të veçantë. Dhe mbas përfundimit të ritualit doli, në teqetë u përgatit dhe hashurja. Dhe prandaj pikërisht mbetet dhe konsiderohet dita e hashures. Si një ëmbëlsirë e përmotshme e cila në bazën e saj si simbolikë ka grurin sepse është konsideruar si element i vazhdimësisë së jetës. Natyrisht unë nuk di ta përgatis hashuren. E konsumoj. Por brenda kësaj simbolike gjejmë edhe vërtetimin sepse në përfundim të ngrënies së hashures mund të mbetet edhe ndonjë kokërr gruri në gojë.

Saimiri – Jo. Unë kuptova vetëm një gjë z. President që unë do filloj të ha vetëm hashure në këtë situatë që kemi.

Presidenti - Për dietë.

Saimiri – Po,po. Për dietë. Do ta lë hallvën dhe do ha vetëm hashuren.

Saimiri – E dëgjuat dmth, më gjatë z. President foli për hashuren sesa për partinë, Kushtetutën e këto...Dakord sepse je i ftuar edhe si qytetar.

Presidenti – Gjërat që kanë rëndësi për ndjeshmërinë e besimit besoj se ka nevojë të sqarohen deri në fund.

Saimiri – Absolutisht po. Udhëheqësi ynë i nderuar e ka personalisht me ju? Me paraardhësit tuaj? Apo me presidencën si institucion, luftën e tij?

Presidenti – Ju mund të keni rast që ta pyesni drejtpërdrejt por nëse do të analizoni marrdhëniet referojuni edhe dokumentacionit që besoj edhe Top- Channel ka në vite. Sepse unë kam filluar president në vitin 2007, në vitin 2012 në korrik unë e lë presidencën. Por para meje kanë qenë edhe të tjerë dhe ju mund të vlerësoni në mënyrë integrale të gjithë marrëdhënien që ka ekzistuar midis institucioneve politike, institucioneve të tjera, me presidencën.

Doktori – I madhi, vetëm me pasardhësit nuk e ka, por me paraardhësit e ka.

Saimiri – Me pasardhësit s’mund ta ketë ai sepse mund të jetë edhe vet.

Saimiri – Z. President meqë jemi tek udhëheqësi, deklaroi publikisht që z. Bamir Topi për ju, në presidencë, si president i republikës nuk ka zbatuar statusin e PD-së.

Doktori – Urdhëro? Deri këtu ka arritur? Deri këtu?

Presidenti – A mund ta kemi në sinkron sepse unë nuk e kam ndjekur këtë pjesë?

Sink Berisha : “Z . Topi gjatë presidencës së tij ka ndërmarrë një seri aktesh do të thosha të pa pajtueshme kryekeput me programin e partisë demokratike. Ka shkelur disa nga parimet e mëdha programore të saj.

Doktori – Më falni z. President por deri këtu keni arritur?

Presidenti – Unë e kisha dëgjuar, por e parë kështu sinkron ndihem vërtet i lumtur që marrë këtë konsideratë sepse ditën kur kam shkuar për tu betuar në parlament, për të qenë president i të gjithë shqiptarëve, për të respektuar kushtetutën, kam bërë dorëheqjen nga të gjitha funksionet e mija partiake. Fakti që unë kam shkuar atje më jep kënaqësi që të interpretohet ne këtë mënyrë.

Doktori – Por jo të shkelni statutin e PD-së?

Saimiri – PD ju bëri president, apo ishit konsensual? Nejse! Me logjikën e udhëheqësit tonë duhet, mund të ishit dhe presidenti, duke respektuar programin e PD-së?

Presidenti –Unë jam i bindur që jam president dhe i shumë demokratëve që militojnë në partine demokratike, sepse fryma e ligjeve dhe e sjelljes patjetër është edhe fryma që përcjellin demokratët. Por nga ana tjetër qoftë në atë që thotë kushtetuta, por edhe në sjelljen time, presidenti është jashtë partive, por edhe duhet të jetë presidenti i të gjithëve. Qoftë i atyre që merren me politikë, atyre që nuk merren me politikë, atyre që kanë fobi nga politika, ato që kanë alergji nga politika. Unë jam president i të gjithëve. Kjo është parë në të gjithë ambientet. Qoftë në ambientet zyrtare, qoftë edhe në ambiente të tjera. Në stadium. Në ambiente të institucioneve kulturore. Në rrugë. Unë jam njësoj si më parë. Në gjithë marrëdhëniet me njerëzit.

Saimiri - Pra president jeni presidenti i të gjithëve?

Presidenti – Po, patjetër.

Saimiri – Edhe i qeverisë?

Presidenti - Patjetër edhe i qeverisë, sepse përderisa i kam dekretuar. Jam dhe i qeverisë.

Doktori – A? Je dhe i qeverisë?

Presidenti - Po natyrisht. I kam dekretuar, i kam dhënë besim.

Saimiri - Po mund edhe të mos i dekretoje?

Presidenti – Po në varësi të gjykimit të presidentit. Patjetër hyn në atributet e presidentit. Fakti që i kam dekretuar, nuk kam keqardhje. I kam dekretuar.

Saimiri – I ke dhënë bekimin?

Presidenti – Patjetër i kam dhënë bekimin në funksion të qeverisjes së të gjithë shqiptarëve.

Saimiri – Dikur, kur banonit tek shtëpia juaj e vjetër tek rruga e barrikadave kalonit nga rr. e Barrikadave, ke partizani i panjohur, dhe kalonit në presidencë. Para PD-së.

Saimiri – Aty kalonim të gjithë ne, kalonte presidenti. Pastaj me lëvizjet e reja në sinjalistikë dhe në qarkullim dhe jo tuajat. Ajo rrugë u bë me sens unik. Nuk lejohet më. Juve ju kanë çuar te banka e Shqipërisë, tek PS-ja dhe në presidencë. Kam hallë mos është pak e qëllimshme.

Presidenti – Unë nuk besoj të jetë e qëllimshme, por këtu ka një sens shumë paradoksal ndonjëherë. Rrugët e gjera bëhen me sens unik, ndërsa rrugët e ngushta ku bën pjesë edhe shtëpia ime e vjetër tek RR. E Barrikadave aty ku mezi këmbehen dy makina, aty lehet me sens të dyfishtë. Nuk besoj të ketë ndonjë paragjykim politik. Por gjithsesi më vjen keq që nuk e shfrytëzoj sensin tjetër. Në drejtim të parlamentit. Apo në drejtim të pjesës që është një nga pjesët më të bukura të Tiranës.

Doktori – As unë nuk eci dot më andej.

Saimiri – Si e kuptoni dhe e komentoni ju pavarësinë e gjyqësorit? Që një gjykatës të bëjë çfarë të dojë? Apo një drejtoreshë ë një shërbimi qeveritar në rastin konkret në Vlorë, që thotë nuk i njoh vendimet e gjykatave por vetëm ato të qeverisë. Kush është për ju pavarësia e një gjyqësori?

Presidenti – Natyrisht që nuk bëhet fjalë, nuk mund të diskutohet, bile do të thoja që është aq absurde saqë nuk duhet të pyetet. Sepse absolutisht sistemi i drejtësisë është sistemi që prevalon mbi çdo lloj sistemi tjetër. Kjo është arsyeja se, ju e keni parë edhe në vendimet e gjykatave asnjëherë unë si president nuk kam ndërhyrë për të komentuar vendimet e gjykatave. Drejtësia është ndërtuar në mënyrë të tillë për të dhënë drejtësi. Pra drejtësia është mbi të gjitha pushtet e tjera sepse e drejta buron nga e drejta themelore e njeriut për të pasur drejtësi. Dhe shteti i së drejtës prandaj quhet shteti i së drejtës. Askush, asnjë lloj institucioni, asnjë lloj personi nuk mund të dali mbi vendimet e drejtësisë.

Presidenti - Tek gjyqtari janë dy elementë. Është profesionalizmi dhe integriteti. Bile para se të shkosh te profesionalizmi duhet të kesh integritetin. Dhe unë besoj që shumë gjyqtar këtë e kanë, por ai që nuk e ka le të bëhet objekt edhe i emisionit tuaj.

Saimiri – Siç janë bërë edhe do bëhen. Z. President për çfarë e ndiqni fiksin dhe pse ju pëlqen fiksi? Se jam unë, se është doktori, se janë vajzat, apo sepse kemi kamerat e fshehta?

Presidenti – Jo. Unë preferoj sikurse e thashë edhe në fillim të këtij komunikimi filozofia e këtij emisioni. Dhe dëshiroj që vërtet t’ju jap përgëzimet e mia jo si president por si qytetar. Sepse këtë emision e kam ndjekur pa u bërë president. Është një emision që të jep mundësinë të informohesh edhe për gjëra që ndoshta media ka edhe një lloj frenimi për të mos e transmetuar. Unë besoj që është një emision jo vetëm në funksion të publikut por edhe për zyrtarët për të korrektuar veten e tyre. Vërtet zyrtari mendon se asnjëherë nuk gabon, por ne jemi të sigurt qe jemi qenie njerëzore që në punën tonë ka edhe gabime por është shumë e rëndësishme që dikush ta verë në dukje gabimin. Në rast se një zyrtarë rrethohet vetëm më servilë dhe thonë, shiko se e bëre mirë, atëherë nuk ka rast që të korrigjohet. Fakti që ju jeni një emision i hapur, keni një strukturë emisioni shumë interesante sepse përzieni pjesën e mesazhit që është shumë serioz më një sfond humori dhe një sfond spektakli që e bëni të pa mërzitshëm. Sepse keni kaq shumë vite që dilni dhe asnjëherë nuk ka thënë askush që nuk dëshiroj ta shkoj më këtë emision. Kështu që unë e vlerësoj për këtë lloj filozofie që ka emisioni dhe ju uroj që të keni vite të tjera në transmetimin e suksesshëm të këtij mesazhi publik.

Saimiri –Me kushtetutë faljen e të dënuarve e ka institucioni i presidentit. Ju. Ndërsa ka kaluar tek ministria e Drejtësisë?

Presidenti – Ka pasur një rregullim ligjor që kërkesat që vinin direkt nga administrata e burgjeve në presidencë tani kalojnë në Ministrinë e Drejtësisë. Pra një ndryshim i proçedurës, por tek e fundit atributi i faljes qëndron tek institucioni i presidencës. Vjen një listë zyrtare me të gjitha kërkesat që administron Ministria e Drejtësisë. Bëjnë ato komentet e tyre patjetër, sepse kërkohet që dosja për secilin të jetë një dosje e plotë. Por atributin e faljes në fund fare, sikurse është edhe në kushtetutë e ka presidenti.

Saimiri – Në fund të emisionit, kjo është vërtet qershia mbi tortë. Ne të gjithëve u japim simbolin tonë. Për kontributet e tyre. Simbol që zhvilloi njerëzimin. E kam shoqëruar me një motivacion tepër interesant dhe me lejoni që në emër të departamentit ta lexoj unë z. President. Presidentit të Republikës së Shqipërisë Z. Bamir Topi – Departamenti i emisionit “Fiks Fare” i dhuron simbolin e tij me këtë motivacion “ Për sakrificën e madhe që keni bërë duke thyer heshtjen katër vjeçare, dhe për kontributin që dhatë në dështimin e puçit të 21- Janarit 2011. Drejtori i emisionit, këtu është një emër tjetër por ki parasysh që jam unë.

Presidenti –Ju falënderoj. Tani ju duhet të dini miqtë e mi që problemi më i madh tek një njeri që ka një vendim marrje është të administrojë heshtjen e tij. Unë e kam administruar heshtjen por ju e dini gjithashtu se heshtja ndonjëherë flet më shumë se sa një fjalim që mund të zgjasë edhe me orë. Ju e dini, heshtja është atribut i njerëzve të ekuilibruar. Por jo gjithmonë heshtja. Ju ma dhatë këtë motivacion tani...

Saimiri – Po, po e keni thyer heshtjen.

Presidenti – Dhe të jeni i sigurt që nuk do kem shumë raste për të heshtur.

Saimiri – Absolutisht pasi nuk është atribut i njerëzve që merren me politikë.

Presidenti – Do të jetë rasti për të folur më shumë.

Saimiri – Z. President ne e bëmë tonën, ju akoma nuk e keni bërë tuajën! Keni atje në presidencë, medalje për trimëri, për gazetari investigative, mjeshtër i madh, Skënderbeu etj. Nga ato të floririt!

Presidenti – Atëherë, këtu thotë Drejtori i emisionit Fiks Fare Filip Çakuli. Para se ta bënit ju e kam bërë unë me Filipin.

Saimiri – E kupton kush e ka marrë Mjeshtër i Madh d.m.th, dhe ne rrimë këtu.

Presidenti – Me siguri unë do të bëj timen prapë për ju.

Saimiri – Pra e morëm vesh. Do të kemi një medalje trimërie dhe një investigative.

Presidenti – Me siguri.

FUND

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Nga Korridori blu, tek pista e garave Formula 1 në Elbasan/ Rama rendit projektet për mandatin e katërt

Nga Korridori blu, tek pista e garave Formula 1 në Elbasan/ Rama rendit projektet për mandatin e katërt