PRISHTINË, 27 Shtator /ATSH-B.Jashari/.-Presidentja kosovare, Atifete Jahjaga, në takim sot në New York me ministrin e Jashtëm të Botsvanës, Phandu Skelemani, tha se synimi i Kosovës është anëtarësimi në institucionet mdërkombëtare, posaçërisht në OKB, dhe e vlerësoi të rëndësishme njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Botsvana.
Ministri i Jashtëm i Botsvanës i vlerësoi të arriturat në Kosovë dhe theksoi përparimin në procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se vendi i tij i vlerëson pozitivisht zhvillimet në Kosovë që hap mundësinë e shqyrtimit të njohjes së saj, thekson njoftimi zyrtar dërguar nga Presidenca kosovare.
Presidentja Jahjaga dhe ministri Skelemani biseduan për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, konsolidimin ndërkombëtar të saj dhe njohjen nga Botsvana. Presidentja Jahjaga e njoftoi ministrin Skelemani për të arriturat e Kosovës, rolin e saj të faktorit të stabilitetit në rajon dhe promovuesit të fqinjësisë së mirë. z.t/