/ATSH/.- Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot një delegacion rumun që po qëndron në Kosovë për t'u njohur me procesin e shtetndërtimit dhe zhvillimet politike e ekonomike në vend dhe rajon.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Presidentja Jahjaga thekson se "delegacionin nga Rumania e njoha me përpjekjet e institucioneve të Kosovës që të forcojnë demokracinë dhe sundimin e ligjit, të ndërtojnë një ekonomi të tregut të lirë dhe të konsolidojnë praninë e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke nënvizuar njohjet e pavarësisë së saj. Biseduam edhe për perspektivën evropiane të Kosovës dhe rëndësinë që kjo agjendë unifikuese bart për stabilitetin e Kosovës dhe të gjithë rajonit".
"Në këtë mes, përmenda edhe rolin konstruktiv që ka luajtur Kosova për të qenë faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon. Delegacioni rumun, në përbërjen e të cilit ishte senatorja e Senatit rumun, Gabriela Cretu dhe këshilltarë të kryeministrit dhe parlamentit të Rumanisë, po qëndron në Kosovë nën organizimin e British Council dhe Fondacionit për Shoqëri të Hapur, në kuadër të përpjekjeve për të krijuar raporte mes shteteve që nuk ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe vendit tonë", shprehet Jahjaga./k.s/