Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, zhvillon sot raundin e tretë të takimeve me liderë të subjekteve politike parlamentare, para vazhdimit nesër të seancës konstituive të Kuvendit, ku për herë të tretë është në rend dite zgjedhja e kryeparlamentarit.

Mësohet se, e para në takim te Presidentja edhe sot është PDK, partia fituese e zgjedhjeve, e cila po përfaqësohet nga kryetari Hashim Thaçi.

Gatë ditës së djeshme, Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës është mbledhur në një takim në zyrat e selisë qëndrore në Prishtinë, ndërsa takimi i liderëve të koalicionit paszgjedhor LDK-AAK-Nisma dhe VV-së është mbajtur në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Në këto takime të mbajtura njëkohësisht janë diskutuar përgatitjet dhe planet për vazhdimin e seancës konstituive dhe angazhimet drejt krijimit të insitucioneve të reja të zgjedhjeve të 8 qershorit.

Sipas zhvillimeve të deritashme, subjektet shqiptare të dy koalicioneve, parazgjedhore e paszgjedhore, nuk kanë ndryshuar pozicionet e tyre në synimet për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë e re, Lista Serbe është shprehur se "nëse PDK i bën 52 vota, mund të llogarisë në 9 votat tona", ndërsa nga ana e përfaqësuesve të subjekteve të komuniteteve të tjera pakicë është deklaruar gatishmëria të votojnë kandidatin e cilitdo koalicion për kryeparlamentar, për të zhbllokuar konstituimin e Kuvendit.

Ndërsa, koalicioni paszgjedhor thekson qëndrimin "për të vijuar projektin e shumicës parlamentare, me qëllim që institucionet e reja të krijohen sa më parë".
Në pikën 127 të Aktgjykimit të Kushtetueses thuhet se, "është e drejtë dhe detyrë e të gjithë deputetëve të Kuvendit që të gjejnë mënyrën për të zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët të Kuvendit, në pajtim me dispozitat kushtetuese në Iidhje me Rregulloren relevante te Kuvendit dhe të bëjnë Kuvendin funksional".

ATSH