Tirana renditet nga revista si pretendente serioze, përkrah Barcelonës, Brukselit apo Birminghamit, për të qenë një nga qytet me të pëlqyer dhe tërheqës të momentit në Europë. Madje autorja në hyrje të shkrimit të saj thekson se ka ardhur koha që të gjithë këto qytete duhet t’i lënë hapësirë Tiranës për të qenë në top-listë. Historia otomane, e shkuara dhe reliket komuniste, arkitektura, kultura, natyra, kuzhina e pasur, çmimet konkurruese, por edhe ngjyrat, janë ndërthurje që ngjallin kureshtje për këdo dhe që për autoren e këtij artikulli nuk do i gjesh në asnjë vend tjetër.
Më poshtë artikulli i plotë i revistës spanjolle “Condè Nast Traveler”
Për titullin “qyteti më “cool” i Europës” ka shumë pretendentë seriozë. Barcelona, Brukseli, Birminghami. Por, të gjitha këto duhet t’ia lënë vendin një tjetër kryeqyteti në listë, Tiranës.
A jemi vërtet në qytetin më “cool” të Europës?
Të duket e çuditshme? Atëherë tregohu i vëmendshëm! Tirana është jo vetëm kryeqyteti i Shqipërisë; është gjithashtu qendra e saj nevralgjike, aty ku e kaluara, e tashmja dhe kryesisht e ardhmja e këtij kombi që po rilind, përplasen në një vorbull historie, trafiku dhe arti.
Pas zgjimit në vitet ’90 nga thundra e një diktature komuniste, Tirana u shndërrua në një qytet që sot tregohet krahëhapur për ata që e vizitojnë. Mes relikeve otomane, italiane dhe politike, Tirana vjen si një copëz bulevardesh, rrethuar nga minare, murale socialiste dhe vepra arkitektonike që ngjallin kureshtje dhe që nuk do i gjesh në asnjë vend tjetër.
Magjia e veçantë e saj merr përmasa edhe më të mëdha në çdo perëndim dielli, me zhurmimin e shëtitjes së mbrëmjes, në një version shqiptar të “passeggiata-s”, që në ditët e sotme shënjon më tepër fillimin e një nate të paharrueshme, se sa fundin e një dite të zakonshme.
Gjithçka, me veçantinë karakteristike shqiptare, e cila do të të mundësojë të kuptosh se je duke zbuluar një nga sekretet e ruajtura më mirë në Europë.
Gjithçka rrotullohet rreth sheshit “Skënderbej”. Faktori “cool” i Tiranës fokusohet tek lagjja e Bllokut, shumë pranë qendrës së qytetit dhe sheshit “Skënderbej”, ku gjendet TOB-i dhe Galeria Kombëtare. Kjo zonë ishte e rezervuar për elitën politike të Shqipërisë përgjatë dekadave dhe hyrja në të ishte e ndaluar për pjesën tjetër të njerëzve.
Kur ra diktatura, në 1991, Blloku u shfaq për herë të parë para shqiptarëve dhe duke e parë tani, mund të imagjinojmë reagimin e njerëzve.
Me një ndërthurje rrugësh të gjera, vilash dhe hapësirash të gjelbra, Blloku nuk mund t’i largohej shumë stilit arkitektonik tradicional komunist. Me baret, restorantet dhe dyqanet të cilat do të zbehnin edhe 5th Avenue në Nju Jork, Blloku do të të bëjë të pyesësh sërish veten për çdo ide apo përshtypje që mund të kesh krijuar mbi Tiranën.
Dhe duke qenë se përmendëm baret… bëhu gati, sepse Tirana ka bare me shumicë. Ballkani në përgjithësi është një rajon i cili preferon shumë daljet nëpër kafe përgjatë ditës dhe Shqipëria nuk ngelet pas.
Çoko, në një vilë të vjetër të reformuar, në mes të Bllokut, për një moment do të të krijojë përshtypjen sikur je në Paris. Nëse preferon një ambient më autokton, Komiteti të çon detyrimisht përmes dekorit dhe menusë tipike shqiptare, në epokën e regjimit komunist. Të pëlqen tarraca? Shko në Lincoln Garden Café dhe ki kujdes që të mos e kalosh gjithë ditën në kopshtin e tij plot me pemë.
Nëse je i dashuruar pas ushqimit, apo thjesht të pëlqen të hash, që jo gjithçka duhet të ketë një markë, ndoshta ke arritur të pyesësh veten që do gjendesh në Tiranë. Kuzhina tradicionale shqiptare është tipike mesdhetare; shumë peshk, shumë perime. Megjithatë, nëse kërkon diçka me pak më shumë zjarre artificialë gastrononomike, Tirana është vendi më i mirë për ta gjetur.
Sa për të bërë një hyrje në kuzhinën shqiptare, janë të paktë restorantet që rekomandohen përveç “Era” dhe kjo jo pa një arsye; Ky restorant klasik në Bllok preferohet si nga vendasit dhe të huajt. Mos i humb qoftet e Korçës që gatuhen atje (plot me salcë), dhe është shumë më mirë nëse i shoqëron me raki kumbulle, produkt vendas)!
Ki kujdes që të mos të të kalojë gjithë dita këtu!
Nëse ke ardhur në Shqipëri për të marrë me vete edhe pak histori, kalo nga Hola Restorant. Ndoshta nuk ke ardhur deri këtu për të ngrënë një “paella” (ose po), por gjithsesi ia vlen si eksperiencë; shefi, Francisco të pret tek dera me një buzëqeshje dhe nëse ia kërkon, do të të tregojë edhe historinë se si u bë finalist në MasterChef Albania. Për të mos u humbur!
Pas darkës, mos kujto se do kthehesh në shtëpi! Është larg ajo kohë kur njerëzit ktheheshin në shtëpi në orën 20.00, ritual i vendosur përgjatë diktaturës. Tirana e sotme jeton natën me po aq shumë dëshirë, sa edhe ditën. Lëvizjet përqendrohen tek Blloku, në rrugën “Ismail Qemali” dhe nuk do e kesh problem të gjesh një lokal që përshtatet me preferencat e tua të ditës.
Ke dëshirë për një gotë në qetësi? Colonial të pret me një menu të pasur koktejlesh, e cila shkon nga varietet e panumërta të rakisë, deri Cosmopolitans manaferre. Nëse ke dëshirë për të shëtitur, Rozafa Club është një arsye për të mos shkuar të flesh deri në mëngjes.
Këtu mund të provosh kuzhinën e vërtetë shqiptare.
Ke dëshirë për një aktivitet ditor tipik tiranas? Sa i përket artit dhe aktraksioneve kulturore, Tirana ka veçantinë e saj. Duke lënë pas Galerinë Kombëtare dhe TOB, të cilat praktikisht krijojnë ofertën artistike tradicionale të kryeqytetit, ajo çka do të gjesh në Tiranë sa i përket ekspozitave artistike, nuk ngjan me asgjë që mund të kesh parë më përpara.
Për të filluar, një nga muzetë më të rëndësishëm në Tiranë ndodhet në një bunker bërthamor. Po, e ke lexuar mirë, një bunker!
Në fakt, nëse itenerari yt në Shqipëri të çon përtej kryeqytetit, do të shohësh që peizazhi i vendit është rrethuar me kupola të vogla, në formën e majës së ajsbergut, ekspozime të obsesionit të regjimit të vjetër komunist, ndaj një sulmi hipotetik nuklear në prag.
Edhe në Tiranë, gjenden shumë prej tyre, duke përfshirë edhe atë ku ndodhet sot “Bunkart 2”, një muze nëntokësor që i dedikohet historisë politike të Shqipërisë, duke përfshirë dëshmi të tmerreve të diktaturës. Nuk është një vizitë e lehtë, por që rekomandohet për të kuptuar më mirë karakterin shqiptar dhe arsyet se përse vendi vazhdon të jetë, në shumë forma, një e panjohur e madhe.
Një tjetër atraksion për të mos u humbur në kryeqytet është Piramida. Nuk ka asgjë të përbashkët me Keopsin apo Teotihuacán; kjo piramidë me një lloj shije futuriste është ndërtuar në 1988 si një muze në nder të diktatorit shqiptar Enver Hoxha dhe që më pas u shndërrua në një qendër konferencash dhe ekspozitash.
Tashmë, e mbushur me graffiti dhe pa ndonjë funksion të veçantë, ka një mision disi ndryshe; një vend i improvizuar për rrëshqitje. Çdo ditë të javës sheh atje fëmijë që ngjiten këmbadorazi përgjatë Piramidës, për të zbritur më pas duke rrëshqitur me kartonë. Mos hezito dhe bashkohu; Ia vlen kjo pamje nga maja e Piramidës!
Por nuk ka pse t’i drejtohesh një vendi në veçanti për të njohur shpirtin krijues të Tiranës. Një shëtitje e thjeshtë përgjatë Bllokut, sheshit Skënderbej dhe rrugëve që e rrethojnë mund të shndërrohej në një rrugëtim artistik. Ngado shesh ndërtesa murale, fasada të mbuluara me ylberë apo mollë të pikturuara në harmoni.
Nuk është rastësi. Këto ekspozime të artit tipik urban i përkasin një ish kryebashkiakut të Tiranës, tani kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Pasi u zgjodh si kryebashkiak në vitin 2000, Rama, me profesion artist, filloi një fushatë për t’i sjellë ngjyrat arkitekturës gri të Tiranës. Rezultati që vazhdon të jetë i dukshëm edhe 15 vite më vonë, vazhdon të jetë një dhuratë për pamjen dhe e shndërron një rrugë të thjeshtë në kryeqytet në një surprizë konstante, një prezantim i përkryer i eksperiencës për të vizituar Tiranën.
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com