Prishet për kafene lapidari
i dëshmorëve në Buz të Tepelenës

Prishet për kafene lapidari<br />i dëshmorëve në Buz të Tepelenës
TIRANE- Kush vë dorë mbi simbolet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare duhet ndëshkuar….

Viti 2014 është  viti i 70-vjetorit të çlirimit të Atdheut nga bisha nazifashiste. Në këtë fitore historike edhe banorët e zonës së Buzit në Tepelenë kanë kontributin e tyre modest. Si gjatë gjithë historisë edhe në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare ata nuk qëndruan sehirxhinj para fateve të vendit, por u treguan në lartësinë e detyrimeve që u takonte në këtë ngjarje. Disa ditë para Konferencës së Pezës, që bëri thirrje për luftë kundër fashizmit pa dallim feje, krahine e ideje; në këtë krahinë u krijua Çeta e Verikullit, një nga aksionet e para të së cilës ishte dhe djegja e zyrave Komunës fashiste të Buzit më 22 qershor 1943. Në këtë ngjarje morën pjesë Rebani Shehu, Sefedin Lime, Ismail Xhemaliu (dëshmor), Tefik Abazi (dëshmor).

Vërtet zyrat  e komunës u dogjën, por nga dokumentet e saj u ruajt regjistri i gjendjes civile, i cili pas çlirimit iu dorëzua Muzeut të Luftës Nacionalçlirimtare nga Sefedin Limja. Për përjetësimin e kësaj ngjarje, më 1969, në Buz u ngrit një lapidari, për t’u dëshmuar brezave ndihmesën e buzjotëve në luftën për çlirim. Edhe pse para viteve ’90 u bënë ndërtime të shumta, lapidar nuk u prek. Ai i shpëtoi edhe valës së revanshit kundër simboleve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare që shpërtheu pas viteve ’90, por u shkatërrua pikërisht në 2014-ën, kur pushtetin e kanë forcat e  majta, që trumbetojnë me të madhe se i kanë të shenjta idealet dhe ata që bënë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Është e turpshme që ky lapidar të shkatërrohet për interes personale të ndonjë individi me pushtet në Buz, duke shtuar territorin e  lokalit të tij privat për të shitur kafe e raki.

Më konkretisht, ky veprim është kryer nga drejtoresha e shkollës së Buzit, T. Mërtiri. përfaqësuese e LSI-së, parti nismëtare për restaurimin e simboleve të Luftës në kuadër të 70-vjetorit të çlirimit. Të çudit fakti që edhe i shoqi, S. Mërtiri, i cili ka patur poste të ndryshme partiake e shtetërore, bir i një ish-partizani të nderuar nga zona e Krahësit, të ndërmarrë një veprim të tillë. I papranueshëm është dhe qëndrimi i deputetit Dashamir Kamberi, për atë veprim të ulët që ka ndodhur me lapidarin në fjalë.

Nuk do shqetësoheshim as ne për këtë ngjarje, nëse lëvizja e lapidarit do të bëhej për interesa publike. E pafalshme është edhe për përfaqësuesit e pushtetit vendor, që kanë lejuar një veprim të tillë, duke e hequr pllakën përkujtimore nga objekti ekzistues dhe duke e vendosur atë disa metra më tutje sikur të ishte një plakë e thjeshtë guri e panevojshme. Shtrohet pyetja: Kjo sipërfaqe toke, ku ngrihej lapidari, a është paguar nga pronari i lokali në afërsi, që e ka zaptuar tashmë atë?

Si pasardhës i njërit prej atyre që luftuan për lirinë e këtij vendi, në kuadër të 70-vjetorit të Çlirimit, në mënyrë që dhe banorët e Buzit Tepelenë të kenë ku të vendosin një kurorë me lule më 29 nëntor kërkoj rikthimin e lapidarit në gjendjen e mëparshme në mënyrë vullnetare, sa më shpejt të jetë e mundur, në të kundërt do të kërkojë nga organet kompetente që personat përgjegjës të vihen para përgjegjësisë ligjore. U bëj thirrje gjithë banorëve të Buzit që të mbajnë qëndrim ndaj këtij veprimi banditesk, duke e konsideruar këtë ngjarje tepër të shëmtuar dhe fyese për traditën dhe kulturën e tyre.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 21 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Trafik armësh drejt Britanisë së Madhe, GJKKO lë në 'arrest me burg' 3 të arrestuarit, 3 të tjerë në kërkim

Trafik armësh drejt Britanisë së Madhe, GJKKO lë në 'arrest me burg' 3 të arrestuarit, 3 të tjerë në kërkim