/ATSH/.-Filharmona e Kosovës, në 15 vjetorin e themelimit, mbrëmë në Prishtinë dha një koncert me mbi 120 performues të veprës "Njeriu me Armë: Meshë për paqe" ("The Armed Man:Mass for peace") , të kompozitorit nga Mbretëria e Bashkuar, Karl Jenkins.
Kompozitorit Jenkins, të veprës deri më tani të interpretuar mbi 1 mijë herë në 43 vende të botës, të ardhur nga Anglia, Presidenca e Republikës së Kosovës i dha Medaljen Presidenciale të Meritave, e cila u jepet personave që me punën e tyre kanë kontribuar në fusha të veçanta.
Vepra i është kushtuar viktimave të luftës së fundit në Kosovë.
"Kompozitori Jenkins për këtë vepër ka qenë i shtytur nga ato pamje tragjike të vitit 1999 të dramës kosovare", është shprehur drejtoi i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari.
Filharmonia e Kosovës eshtë themeluar në vitin 2000 dhe organizon rreth 25 koncerte brenda një viti. Një fill i saj ishte më herët, Orkestra Simfonike e Radio Televizionit të Prishtinës, nga viti 1975 deri në vitin 1990 kur edhe ky institucion u përfshi nga masat e dhunshme të regjimit të Beogradit dhe dëbimi i shqiptarëve nga puna dhe shkollat. "Pas luftës së vitit 1999, një grup muzikantësh, të cilët kanë qenë edhe anëtarë të Orkestrës, kanë vendosur që të mblidhen dhe ta rikthejnë institucionin, kësaj radhe në formën e Filharmonisë së Kosovës", ka theksuar drejtori në një intervistë televizive, me rastin e 15 vjetorit.