Pritet nga Veliaj, Thaçi: Krenar
për punën e shkëlqyer në Tiranë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti sot në një takim zyrtar Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili shoqërohej nga Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi dhe Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku.
 
Kryebashkiaku Veliaj i uroi fillimisht Presidentit Thaçi mirëseardhjen në Tiranë, ndërsa vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve tona. Gjatë takimit, u theksua se zbatimi i marrëveshjeve dhe nismave bashkëpunuese që dy qeveritë qendrore dhe ato lokale kanë arritur mes tyre, do të rrisin edhe më tej përfitimet e shqiptarëve në të dy anët e kufirit.
 
“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme që pritëm presidentin e Kosovës, mikun tonë Hashim Thaçin, mikun e të gjithë qytetarëve të Tiranës. Kjo është shtëpia jote e dytë dhe jemi gjithmonë të lumtur të presim në Tiranë. Më vjen mirë se kemi pasur disa rastësi shumë të bukura këtë javë: Sapo kemi përfunduar rrugën më të mirë, më të bukur dhe më të çmuar në qytet, quhet rruga e “Kosovarëve”.
 
Mezi pres që bashkë me ambasadën t’ia kushtojmë posaçërisht miqësisë me Kosovën, për të gjitha njohjet, krushqitë, vëllazëritë dhe familjet që janë krijuar nga kjo lidhje. Rruga e vendosur në një zonë shumë të bukur të Tiranës, pranë liqenit, por një zonë që ka edhe shumë histori, sepse aty ka qenë kampi më i madh i refugjatëve nga Kosova në Tiranë dhe ndoshta ka qenë momenti ku çdo shqiptar i Shqipërisë dhe i Kosovës është ngritur në lartësinë e thirrjes së kombit dhe vëllazërisë për njëri-tjetrin”, u shpreh Veliaj.
 
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pasi falenderoi kryetarin e bashkisë për mikpritjen, vlerësoi ndryshimin që po pëson Tirana nën drejtimin e tij.

“Edhe për mua është një kënaqësi e veçantë që sot takohem me mikun, vëllain, kryetarin e Bashkisë në Tiranë, të cilin dëshiroj që ta uroj dhe përgëzoj për punën e tij të shkëlqyer, brilante dhe fantastike që po bën për të ndryshuar dhe modernizuar Tiranën, që secilin prej nesh të na bëjë të ndihemi mirë dhe shumë krenarë me Tiranën e re, me Tiranën europiane.

Një Tiranë të cilën e kemi ëndërruar, shpresuar të gjithë, e këtë ëndërr të të gjithëve ne, po e bën realitet Erioni. E uroj dhe e përgëzoj, urimet më të mira!”,
u shpreh Presidenti Thaçi në fjalën e tij.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Në punë mund të hasni disa pengesa...çfarë kanë rezervuar yjet për sot

Në punë mund të hasni disa pengesa...çfarë kanë rezervuar yjet për sot