Probleme me pasurinë dhe figurën/ Shkarkohen drejtuesit e gjykatave të Korçës dhe Beratit

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra drejtuesit e gjykatave të Korçës, Admir Belishta dhe të Beratit Agron Vavla. Drejtuesi i gjykatës së Beratit u shkarkua për mosjustifikim pasurie. Ndërkohë që për Belishtën përpos KPK konstatoi probleme me deklarimin e pasurisë dhe figurës. Sipas ILDKPKI Belishta kishte bërë deklarim të pasaktë, s’kishte burime të ligjshme financiare, ndërsa gjithashtu kishte kryer fshehje të pasurisë dhe ka bërë deklarim të rremë. Belishta nuk kishte deklaruar burimin e ligjshëm për blerjen dhe mobilimin e një apartamenti 107 metra në Korçë në vitin 2009 me vlerë 6 milionë lekë. Po ashtu u vu në dukje se kishte mospërputhje në deklarime në lidhje me shpenzimet mbi këtë pasuri.

Në seancën dëgjimore, Belishta tha se burimi i krijimit të pasurisë ishte i ligjshëm. Ai i tha KPK-së se kishte qenë beqar dhe për këtë arsye nuk “i është dashur mobilim i plotë” dhe se e kishte deklaruar vit pas viti në ILDKPKI shpenzime shtesë që sipas tij ishin shpenzimet e mobilimit. Ai tha se ishte ndihmuar në fillimet e tij nga dhurimi prej 1.2 milionë lekësh nga familja. Belishta tha se kjo ishte pasuria e prindërve të tij e ndarë për dy fëmijët. Ndërkohë sipas KPK-së, probleme të ngjashme për Belishtën kishin dalë nga hetimi rreth një shtëpie 62 metra katrorë në një fshat të Maliqit. Sipas relacionit edhe në këtë rast Belishta nuk kishte deklaruar burimin e ligjshëm të 2.6 milionë lekëve që ishin përdorur për ndërtim e mobilim të shtëpisë. Po ashtu në këtë rast relatorja vuri në dukje se gjyqtari kishte bërë “deklarim të rremë” sa i përket mënyrës së përfitimit të tokës.  Gjyqtari kishte mungesë të ardhurash edhe sa i përket blerjes së një makine për 600 mijë lekë për të cilën KPK kishte dyshime edhe mbi fiktivitet të vlerës dhe për mosdeklarim prej vitit 2013 e në vijim të tokës bujqësore që i takonte bashkëshortes. KPK tha se Belishta e kishte justifikuar mosdeklarimin me harresë, por sipas relatores bashkëshortja kishte hequr dorë nga kjo pronë vetëm 5 ditë para plotësimit të deklaratës.

Përsa i përket pastërtisë së figurës, DSIK përcolli dy raporte të ndryshme për Belishtën, ku gjyqtari është cilësuar “i papërshtatshëm”. Ai po ashtu ritheksoi faktin se nuk e njihte personin të cilit i kishte blerë makinën dhe se i vetmi kontakt me të kishte qenë momenti i blerjes. Këmbënguljes së relatores gjatë pyetjeve se si e kishte rigjetur këtë person pas shumë vitesh për t’i marrë një deklaratë noteriale në lidhje me vlerën e mjetit, Belishta iu përgjigj se kishte përdorur ndërmjetësin që i kishte prezantuar për shitjen e makinës.  Ai tha se nuk e kishte takuar personin as në këtë rast dhe kishte marrë deklaratën noteriale te noteri pa pasur kontakt me lëshuesin. Por pas shqyrtimit të të gjitha deklaratave dhe raporteve, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin e tij nga detyra.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Fredi: 21/12/2018 14:06

    Burg!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

NBA/ LeBron fiton 'betejën' me Curry-n, mposhten kampionët e Boston

NBA/ LeBron fiton 'betejën' me Curry-n, mposhten kampionët e Boston