Problemet e telefonisë:
Politika dëmtoi tregun

Problemet e telefonisë:<br />Politika dëmtoi tregun
TIRANE- Një kompani e njohur ndërkombëtare, me bazë në Bruksel, që pajtohet edhe nga Bashkimi Evropian për të bërë vlerësime tregu në fushën e telekomunikacioneve dhe energjetikës, konstaton se në Shqipëri ndërhyrja e politikës në punën e autoritetit rregullator dhe mungesa e stabilitetit institucional kanë ndikuar negativisht në tregun e komunikimit.

Sipas raportit të Caler International, vendi ynë, ndër vendet që kanë shprehur interes për të aderuar në Bashkimin Evropian, ka një vonesë në adoptimin e kuadrit të nevojshëm ligjor për bashkërendimin me kuadrin përkatës të Bashkimit Evropian në fushën e telekomunikacioneve. Procesi "acquis communitaire" në këtë fushë ka nisur relativisht vonë, sipas raportit, në vitet 2008 deri në 2010-ën. Ndërkohë, qeveria shqiptare ka përgatitur edhe amendime në ligjin përkatës për të adoptuar normat rregulluese evropiane, por miratimi i tyre është shtyrë në kohë.
AKEP
Një kritikë e fuqishme bëhet për vendin tonë përsa i përket funksionimit të entit rregullator të sektorit. Në Shqipëri, që nga viti 2000, ka një autoritet në këtë drejtim, konstatojnë ekspertët e Cullen International. Por, funksionimi i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP) në praktikë është penguar nga fakti që Kuvendi ka ndërruar të gjithë drejtuesit e tij, me nismë të qeverisë, madje, një gjë e tillë ka ndodhur shpesh. Autoriteti është pajisur me burime të kufizuara nga ana e shtetit.
LIBERALIZIMI
Një kritikë tjetër ka të bëjë me vonesat në liberalizimin e tregut të celularëve dhe këtë kompania e sheh në vonesën e qëllimshme të dhënies së lejes për të gjithë operatorët e fushës që të aplikojnë teknologjinë e fundit 3G në shërbimet e internetit në telefoninë celulare. Sipas raportit, AKEP-i, në fakt, kishte përgatitur një strategji përkatëse, sipas së cilës mund të jepeshin nga ana e qeverisë katër licensa njëherësh për katër operatorët, që në vitin 2010.
Një gjë e tillë nuk është përfillur nga ministry, thekson raporti, i cili në atë vit ka dhënë autorizimin vetëm për një licensë 3G. Më pas është dhënë edhe një licensë e dytë dhe duket se qeveria është e prirur të vonojë procesin, ndonëse një gjë e tillë do të sillte edhe më shumë konkurrencë në treg dhe, rrjedhimisht, një shërbim më cilësor për shqiptarët, si dhe fitime më të mëdha për kompanitë e sektorit dhe për arkën e shtetit, nëpërmjet taksave.
STRUKTURA
Mbulimi i telefonisë fiske dhe i brezit të internetit me bazë të gjerë është ndër më të ultit në rajon, konstatohet në analizën e ekspertëve të kompanisë belge. Në sektorin e telefonisë celulare, ndonëse ka katër operatorë, tregu vazhdon të dominohet ndjeshmë nga dy prej tyre, që kanë marrë licensat para të tjerëve. Këto të fundit janë futur në treg vetëm në vitet 2008 dhe 2010.
Ndërkohë, ka patur pengesa ligjore për kompanitë që punojnë në sektorin e komunikimit kabllor për të përdorur komunikimin zanor, si dhe shërbimin e internetit. Pozitive është arritja e transferueshmërisë së numrit cellular, nga një operator, tek tjetri.
KOSTOT
Për një përdorim mesatar të celularit, me një konsum mujor 115 minuta dhe 50 mesazhe të shkruara në muaj, në Shqipëri paguhet mesatarisht 13-22 euro, ndërkohë që në BE mësatarja është 15.3 euro, theksohet në raport.
TREGU
Si konkluzion, thuhet se vitet e fundit është vënë re një lëvizje më e shpejtë drejt adoptimit të normave komunitare, me synime ambicjoze, por zbatimi i tyre në parktikë shpesh është bllokuar nga mungesa e stabilitetit institucional ose nga ndërhyrja e politikës në aktivitetin rregullator të tregut. AKEP ka nevojë për burime shtesë për mbështetjen e konkurrencës në sector, si dhe për të bërë më të zbatueshme vendimet e tij, sugjeron dokumenti.

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Shpejtësi, alkool e celular në timon, rreth 9 mijë gjoba për një javë në Tiranë! Rrugorja bën ‘blinacin’

Shpejtësi, alkool e celular në timon, rreth 9 mijë gjoba për një javë në Tiranë! Rrugorja bën ‘blinacin’