STRASBURG- Sipas Gjykatës, që ka marrë ankesat e aplikantëve nen për nen, nuk mund të konstatohen shkelje nga ana e gjykatave shqiptare të të gjitha niveleve që kanë dënuar me burgim e dy ish-oficerët e Policisë së Tropojës.
Sa më poshtë vijon i zbardhur vendimi i marrë nga trupi gjykues.
 
Lidhur me ankesën e aplikuesve për aksesin e avokatëve të tyre në dosjet e gjyqit, Gjykata konstatoi se, pas njohjes me akt-akuzën kundër Ismet Haxhisë, avokatit iu dha e drejta të konsultojë dosjen voluminoze të hetimit. Gjykata lejoi edhe kohë shtesë për të studjuar këtë dosje, pas kërkesës nga avokati. 
Ndërkohë, Jaho Salihi fillimisht ka kërkuar të mbrohet vetë, ndonëse i është komunikuar e drejta për të zgjedhur një avokat. Më pas gjykata kishte pranuar caktimin e një avokati prej tij, që kërkoi vijimin e gjykimit, pasi u konsultua me një pjesë të materialeve të dosjes.

Lidhur me akuzën për pranim të provave të siguruara në rrugë të paligjshme, Gjykata konstatoi se gjatë gjyqit dy dëshmitarë u refuzuan për shkak se thëniet e tyre ishin kontradiktore dhe jo të besueshme, duke përfshirë edhe dëshmi të marrë nëpërmjet një lidhjeje me video. Nga ana tjetër, Ismet Haxhia ishte lejuar të merrte pjesë në seancën ku u dha dëshmia në videolidhje.
Gjykata mendon se riklasifikimi i akuzës nuk shkel të drejtën e mbrojtjes, në rast se i akuzuari gjatë procedimeve të rishikimit do të ketë mundësi të mjaftueshme të mbrohet.
Si Haxhia, ashtu edhe Salihi kundërshtuan burgimin dhe riklasifikimin e veprës penale në procesët e apelimit, por gjykatat përkatëse, pasi i shqyrtuan, i hodhën poshtë pretendimet e tyre. Nga ana tjetër, të dy aplikuesit patën mundësinë që të njiheshin paraprakisht me faktin që akuzat ndaj tyre do të riklasifikoheshin, para se prokuroria të paraqiste konkluzionet e fundit. Ata patën kohën dhe mundësitë e duhura për të përgatitur mbrojtjen e tyre ndaj akuzave të riformuluara në procedurat e apelimit.

Dënimi i Salihit u bazua mbi dëshmitë e katër dëshmitarëve dhe Gjykata nuk mundi të konstatojë arbitraritet në paraqitjen e provave. Kurse dënimi i Ismet Haxhisë u bazua në thëniet e tre dëshmitarëve. Gjykata e Apelit e rihapi shqyrtimin gjyqësor dhe i plotësoi disa nga kërkesat e tij për pranim të provave shtesë, ndërkohë që refuzoi shtyrjen.
Gjykata nënvizoi se gjykatat në vend ruajtën fshehtësinë lidhur me pranimin e provave dhe nuk mund të kritikohen se kanë rrëzuar kërkesa të Ismet Haxhisë kur mendonin se kishte mjaft prova për të marrë një vendim.  Gjykata konkludoi se nuk ka patur shkelje të nenit 6 paragrafi 1 dhe 3 në asnjë nga dy rastet.

Shkrimi u publikua sot (09.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)