Procesverbali / Alibeaj i PD-së dhe Avokatja e Popullit Ballanca ‘qanë hallin’ e Vetingut të Marsida Xhaferllarit në mbledhjen e KED

Procesverbali / Alibeaj i PD-së dhe Avokatja e Popullit Ballanca ‘qanë hallin’ e Vetingut të Marsida Xhaferllarit në mbledhjen e KED

Enkelejd Alibeaj, Marsida Xhaferllari dhe presidenti Ilir Meta

TIRANË- Marsida Xhaferllari, e emëruar disa ditë më parë nga Presidenti Ilir Meta anëtare e Gjykatës Kushtetuese, përmes një dekreti që nuk njihet nga Kuvendi, kandidoi në fund të vitit 2017 për postin e Inspektores së Lartë i Drejtësisë. Në 2018, Xhaferllari kandidoi edhe për një vend vakant në Gjykatës Kushtetuese, i shpallur nga Presidenti Meta në 4 mars 2018. Për rrjedhojë, Xhaferllari u përfshi në dhjetor të 2017 në një listë prioritare me 57 emra, për t’ju nënshtruar Vetingut, ndonëse statusi i saj ishte i paqartë. Sipas ligjit, kandidatë për anëtar i Kushtetueses, duhet të kalojë Vetingun. Në 11 mars të 2019, Komisioni i Vetingut vendosi të mos marrë asnjë vendim për Marsida Xhaferllarin, me argumentin se kishte humbur statusin e gjyqtares, duke mbajtur pozicione të larta drejtuese në Ministrinë e Drejtësisë, jashtë afatit të parashikuar në ligj.  

Por, dy muaj më para këtij vendimi, në 15 janar të 2019, ish-deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj dhe Avokatja e Popullit Erinda Balanca kanë ‘qarë hallin’ se si do të bëhej Vetingu i kandidatëve për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, që vijnë jashtë sistemit të drejtësisë. Rastësi apo jo, Alibeaj dhe Balanca këmbëngulin gjatë në këtë pikë, për të gjetur një zgjidhje, ndërsa theksonin herë pas here se kandidati për në Kushtetuese duhet të kalojnë Vetingun për pasurinë. Shqetësimi tyre adreson pikërisht problemin e Marsida Xhaferllarit. Ndër të tjera Alibeaj shprehet se “ligji për Gjykatën Kushtetuese përcakton në nenin 7/A të tij kushtet dhe kriteret. Pika 1 shkronja “dh”, thuhet të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe familjare të tij sipas ligjit”. Megjithatë, Partia Demokratike dhe Avokatja e Popullit Erinda Balanca u pozicionuan ditët e fundit në krah të Presidentit Ilir Meta, i cili emëroi Marsida Xhaferllarin në Gjykatën Kushtetuese pa kaluar Vetingun, jashtë afatit 30 ditor të parashikuar në ligj dhe për më tepër në një pozicion që konsiderohet i plotësuar nga Arta Vorpsi.

Po pse ish-deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj dhe Avokatja e Popullit kanë adresuar indirekt ‘hallin’ e Marsida Xhaferllarit në mbledhjen e KED, ku merrnin pjesë? Së pari, rezulton se Marsida Xhaferllari ka punuar si këshilltare e Enkelejd Alibeajt, kur ky i fundit ka qenë ministër i Drejtësisë në qeverinë Berisha. Gjithashtu, Xhaferllari ka përfaqësuar si avokate qeverinë Berisha, për të mbrojtur marrëveshjen e detit me Greqinë në Gjykatën Kushtetuese. Më tej, Marsida Xhaferllari ka mbajtur postin e Kryeinspektores pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke punuar pranë Bujar Nishanit dhe më pas Ilir Metës. Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka propozuar në 2017  Erinda Balancën në krye të institucionit të Avokatit të Popullit. Më parë, Ballanca ka qenë avokate e vjehrrit të Lulzim Bashës, për dëmshpërblimin nga shteti për shembjen e pallatit të Vlorë.

Pjesë nga procesverbali i mbledhjes së KED në më 15.01.2019

-Erinda Ballanca: Kam një pyetje që më ka shqetësuar vazhdimisht. Ju falënderoj njëherë shumë për panoramën e të gjithë emrave dhe kandidimeve. Nuk e kam çështje verifikimi. Kjo është një tabelë e cila nuk përbën një dokument zyrtar që ne do ta miratojmë apo nuk do ta miratojmë, kjo është një panoramë, e cila nëse ka çështje që duhen saktësuar, rregulluar, mund të saktësohen. Ajo që unë shikoj dhe që ve re është numri i madh i kandidaturave që ju duhet të vlerësoni dhe unë do të jem pjesëmarrëse bashkë me ju për efekt të vlerësimit nga jashtë sistemit të drejtësisë. Pra ka një numër të lartë kandidatësh për të cilët KED duhet të bëjë vlerësimin, pra Vetingun ta bëjë ajo, atë që ka hyrë si fjalë, rëndom, si Veting. Unë gjykoj që standardi i Vettingut duhet të jetë i njëjtë me standardin, i cili është përcaktuar për gjyqtarët, pra Këshilli i Emërimeve në Drejtësi standardi duhet të jetë shumë i lartë dhe, në fund të ditës, nuk ka pse persona jashtë sistemit të kenë një standard besueshmërie tek publiku të ndryshëm nga persona brenda sistemit. E nëse ky do jetë standardi që ky organ do zbatojë , unë dua të di se me çfarë kapacitetesh njerëzore do ta bëjë këtë punë? Ky është një problem shumë i madh sepse sado që ne të përgatitemi, edhe pa papërcaktuar rregullat, duhet ta kemi të qarte dhe pa u marrë vendimi i rregullave, duhet të jemi të qarte, se do të duhet të keni në këtë organ persona të specializuar dhe të bëjnë punën reale të verifikimit dhe ne do të duhet të dërgojmë, menjëherë mendoj, kërkesat buxhetore në lidhje me këtë çështje. Në qofte se nuk identifikojmë kërkesat për burimet njerëzore për këto kapacitete, së pari duhet të pyesim Kryetarin e Gjykatës së Larte nëse i ka ai këto kapacitete, sepse ligji e përcakton atë si individin parësor Por unë nuk kam parë ndonjë rritje në buxhetin e Gjykatës se Larte në lidhje me këtë çështje apo ndonjë përcaktim buxhetor apo zë në lidhje me këto çështje, në mos duhet të bëjmë kërkesat buxhetore që ti japim mundësi Kuvendit që, në një mënyrë apo në tjetër, ta adresojnë këtë problematikë. Sepse pa personel unë e shoh, edhe sikur full time të punojmë ju dhe ne, është e pamundur me këtë numër të madh kandidaturash dhe me një proces të tillë vlerësimi që me sa duket do të jetë me standard i caktuar, besoj që do të duhet të kemi domosdoshmërisht persona me kapacitete, burime njerëzore të cilat duhet të jenë në dispozicion të këtij organi për këtë çështje.

-Ardian Dvorani: Faleminderit Zonja Ballanca. Në fakt e kemi vendosur si pikë të fundit të rendit të ditës. Kjo ka qenë logjika e rendit të ditës, pra të marrim informacion dhe për çka na nevojitet për ta bërë këtë punë. Prandaj unë e vlerësoj shumë që ju e ngritët por e kemi pjesë të programit. Nuk e di. A ka ndonjë koment tjetër paraprak?

-Enkelejd Alibeaj: Ajo që parashtroi Avokatja e Popullit unë mendoj se është një nga çështjet me të rëndësishme që do të përcaktojë mbarëvajtjen apo dhe suksesin e veprimtarisë eventuale të KED. Kam përshtypjen që nga çështjet me të rëndësishme do të duhet të jetë kjo për tu përballur nga ju. Ligji për Gjykatën Kushtetuese përcakton në nenin 7/A të tij kushtet dhe kriteret. Pika 1 shkronja “dh”, thuhet të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe familjare të tij sipas ligjit. Më poshtë, bëjmë një referencë, tashmë jo si kusht por si kriter, tek aftësitë profesionale dhe integriteti i tij moral. Çështje që duhet ti përballojë KED-ja. Ndërkohë, kandidat për Gjykatën Kushtetuese ka jo gjyqtarë, anëtarë nga ju dhe magjistrat, për shkak të Kushtetutës dhe procesit që është në vazhdim ata janë duke iu nënshtruar një procesi rivlerësimi në tre kritere sipas ligjit, disa prej të cilëve janë, ose e kanë kaluar, ose do ta kalojnë.  Çështja që duhet të zgjidhet, sipas mendimit tim, është cili do të jetë autoriteti që do të ezaurojë, së paku, kushtin e pikës 1 shkronja “dh”, procesin e kontrollit dhe të verifikimit të pasurisë. Sepse janë vendosur dy kritere e tjera janë vendosur si kritere kualifikuese e duhet ta bëj dallimin midis kushtit dhe kritereve. Duhet ta bëni ju apo do të bëjnë organet e Vetingut sipas ligjit. Nuk jam duke marrë pozicionin, o njëri o tjetri, veçse së paku po ngre problematikën. Nëse do ta bëni ju, siç edhe ligji thotë, rreziku më i madh është që nëse do ta bëni të përshpejtuar e do ta bëni vetëm për pasurinë, dhe eventualisht kandidati magjistrat për në Gjykatën Kushtetuese rezulton i suksesshëm, të keni parasysh që procesi paralel që zhvillohet prej Vetting-ut mund të mos ketë të njëjtin përfundim. Besoj që është një figurë e shëndetshme që mund ta bëjë Këshilli. Alternativa tjetër është që ta bëjmë organet e Vetingut, për sa kohë që referenca është sipas ligjit, e cila, nga ana tjetër, sjell një tjetër implikim, çështjen e barazisë para ligjit apo të diskriminimit që Avokatja sapo e tha. Si standard kushtetues, detyrues, nëse je magjistrat dhe kandidon për në Gjykatën Kushtetuese dhe nëse i nënshtrohesh rivlerësimit prej organeve të vetting-ut, të njëjtin fat duhet të kenë edhe të tjerët e askush nuk duhet ti shpëtojë. Implikimet ju besoj i kuptoni vetë dhe nuk ka nevojë që ti them. Por kjo, sjell një implikim tjetër, akoma dhe më të rëndë, parë ritmin e veprimtarisë së organeve të vetting-ut, nuk po i futem cilësisë. Vetëm ritmit. Duke parë edhe numrin e atyre që kanë kandiduar, prej magjistratëve, apo nëse do ti nënshtrohen, të të gjithëve, kam përshtypjen që nuk e ngremë dot Gjykatën Kushtetuese, edhe sikur ta kërkojnë me ngulm Presidenti a Kuvendi. I solla këto në vëmendje thjesht dhe vetëm për tu matur temporitmin e veprimtarisë. Ndoshta dhe mund të shkojë deri edhe pamundësia fizike për të verifikuar  kandidatë, përveç të tjerëve. Të mbahen në vëmendje, pastaj për zgjidhjen e situatës mendojeni ju më mirë.

-Ardian Dvorani: Nëse ne vendosim me vendim skualifikimin, kandidati ka të drejtë të shkojë në gjykatë...

-Enkelejd Alibeaj: Më fal Kryetar, e thashë edhe njëherë në pozicionin që jam, e ngrita si çështje dhe do të doja që diskutimi do të vazhdojë, do doja një sqarim nëse dikush mund të ma thotë apo nëse është një çështje që do të vendoset më vonë. Dhe çështja për të cilën nuk jam i qartë të them të drejtën është kjo, do të procedohet me një vetting paralel, pra në një autoritet tjetër, juve, ndryshe nga organet kushtetuese që po e realizojnë këtë apo jo? Përse po pyes, sepse unë nuk e kam për interes personal por është çështje e cila e implikon, sipas mendimit tim, situata kushtetuese dhe jo vetëm. Këtë e kam për ta analizuar nëse ju bëni si KED bëni një vetting paralel, për një komponent, që do të thotë ligji, siç unë e lexoj, a nuk do të kishim paragjykim për ata magjistratë, të cilat janë në ezaurim e sipër të procesit të vetting-ut, kur atje ende s’ka mbaruar? Unë besoj se kjo është çështje me implikim kushtetues. Tjetra, ata të cilët e kanë përfunduar tashmë, po themi fatkeqët të cilët janë  Këshilli i Emërimeve në Drejtësi rrëzuar, me çfarë pashë unë, të paktën njëri është kandidat, tani atij do ti merret i mirëqenë fakti që vettingu e ka rrezuar dhe i pengohet kandidimi në Gjykatën Kushtetuese, meqenëse është dhënë një vendim apo jo? Edhe ky është një implikim i natyrës kushtetuese. Nëse ka ndonjë përgjigje për këtë unë jam shumë i interesuar, sot apo javës tjetër, por meqenëse po shoh që po diskutohet çështja rreth kësaj situate.

-Ardian Dvorani: Faleminderit.

-Enkelejd Alibeaj: Më fal. Pse po e them? Edhe njëherë po e them sepse nëse do të njëra apo tjetra alternative, po e them që nuk është faji juaj as problemi juaj, por është faji i ligjit i shkruar keq, pa i harmonizuar atëherë kur bëheshin këto projektligje në mënyrë të njëanshme. Zgjidhja e vetme në situata të tilla që tejkalon kapacitetet tuaja në këtë pozicion eventual apo edhe të mirëbesimit, ngelet vetëm tek ndryshimet ligjore. Sigurisht kjo nuk është lënda apo brumi në diskutimin tuaj. Por e thash, në këtë pozicion që jam, duhet të marr perceptimin dhe ndjesitë tuaja që mund pastaj ti përcjell aty duhet, ku jam si përfaqësues i Kuvendit. Për këtë arsye e bëra dhe këtë ndërhyrje.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Amnistia e gjobave/ Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë: Barazi dhe drejtësi për të gjithë

Amnistia e gjobave/ Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë: Barazi dhe drejtësi për të gjithë