Kriza që ka përfshirë bujqësinë dhe industrinë po ndryshon edhe strukturën e ekonomisë së vendit. Sipas shifrave të fundit Institutit të Statistikave, bashkimi i dy sektorëve që lidhin kryesisht me ‘real estate’, ndërtimi dhe pronat e kanë kaluar sektorin me më shumë punonjës në vend të dytë. Në rënie edhe industria nxjerrëse.
***
Ekonomia shqiptare po orientohet çdo ditë e më shumë drejt llaçit, tullave, kullave shumëkatëshe e shitjes së pronave me çmime që rriten disa herë më shpejt se kostot e ndërtimit apo pagat e shqiptarëve.
Bazuar në të dhënat e Institutit të Statistikave, pesha e bujqësisë në Prodhimin e Brendshëm Bruto po zbehet vit pas viti, duke i lënë vendin sektorit të ndërtimit dhe të aktiviteteve të pasurive të paluajtshme.
Për vitin 2024, pesha që zinte bujqësia në strukturën e prodhimit kombëtar ishte 15.45%, ndërsa ndërtimi ishte me 11.92% dhe të patundshmet 4.95%. Pra këto dy të fundit së bashku (16.59%), e kalojnë bujqësinë për peshën që zënë në PBB.
E përkthyer në vlerë, Prodhimi Kombëtar vjet arriti në 25.1 miliardë euro, ku gati 3.9 miliardë euro ishte kontribut i bujqësisë, ndërsa i dy sektorëve të tjerë, ndërtimit e pasurive të paluajtshme arriti në 4.2 miliardë euro.
Kriza në sektorin bujqësor është thelluar edhe më shumë në 5-vjeçarin e fundit, dhe për këtë faktorët janë të shumtë, nga financimi i pamjaftueshëm, skema e TVSH-së që favorizon importin, emigrimi i popullsisë nga zonat bujqësore e deri tek puna e fokusuar në makineri të vjetra.
Referuar shifrave në një dekadë, pesha e bujqësisë në Prodhimin e Brendshëm Bruto është tkurrur me afro 4%, ndërkohë që rënia vijon edhe përgjatë këtij viti. Vjet 15.45% e prodhimit vinte nga bujqësia, nga 19.12% që ishte në vitin 2014.
Por jo vetëm bujqësia. Në rënie të fortë, me mbi tre herë, ka pasur edhe pesha që ka në PBB, industria nxjerrëse nga 3.99% para një dekade në 1.10% në fund të vitit të shkuar.
Sektorët që prodhojnë ‘ekonomi’, mijëra vende pune dhe kontribut në prodhimin kombëtar, prej vitesh janë në krizë, e për pasojë po ndikojnë negativisht edhe në rritjen ekonomike. Me 2.6% ra bujqësia në gjashtëmujorin e parë të këtij viti në raport me vjet dhe me 3.7% u tkurr edhe industria.
Për ekspertët, përqendrimi i ekonomisë në sektorë që nuk prodhojnë të ardhura e punësim, nuk garanton qëndrueshmëri.
Aktualisht bujqësia punëson 432 mijë persona, ndërsa ndërtimi ka vetëm 93 mijë punonjës.
Pak ditë më parë Banka e Shqipërisë sugjeroi të merren masa strukturore nga institucionet për të fuqizuar sektorin e bujqësisë.
Komente












Ndertimi (krimi i organizuar) ska sjell asnje fitim. Jane taksa te procesit te pastrimit te parase.
Përgjigju