Sokol Stojani i liruar nga detyra më 19 shtator, për shkelje siç argumenton Prokuroria e Përgjithshme, rezulton të jetë një nga njerëzit më të rëndësishëm në organin e prokurorisë. Ai njihet si bashkëpunëtori më i afërt i ish-kryeprokurores Ina Rama, ndërsa arriti të fitonte edhe besimin e kryeprokurores së re Arta Marku.

Në janar të vitit 2018, me emërimin e kryeprokurores së re Arta Marku, prokurori Stojani, u bë një nga bashkëpunëtorët më të afërt të saj. Pas shkrirjes së Drejtorisë së Hetimit dhe përfshirjen e saj në atë të Inspektimit, Sokol Stojani është emëruar në krye të saj. Ky prokuror, në kohën kur akuza drejtohej ndaj Ina Rama ka qenë në krye të Drejtorisë së Hetimit.

Pavarësisht besimit që i dha zonja Marku më 19 shtator ai rezulton të jetë liruar nga detyra. Gazetari Elton Qyno raportoi për Shqiptarja.com dhe Report TV se një vendim i tillë bëhet për shkak se ai nuk pranoi të hetonte prokurorët rebelë që s’pranun dosjen Shullazi. Prokuroria e Përgjithshme e mohon një fakt të tillë. E deri në zbardhje ne së vërtetës mund të themi që Stojani është një nga njerëzit me karrierën më të gjatë brenda organit qendror të akuzës. Ai ka hetuar çështje me peshë si 21 janari, tragjedia e Gërdecit apo skandali i pasaportave.