Nëse nuk do të ketë tensione që do të detyronin mazhorancën të mbyllnin seancën pa debat, deputetët do të nisin këtë të mërkurë në orën 10:00 një seancë parlamentare dy ditore për të shqyrtuar paketën fiskale dhe buxhetin e vitit 2026.
Kjo është paketa ligjore më e rëndësishme e vitit, që kësaj radhe vjen së bashku me atë që quhet paqja fiskale, dhe falja e detyrimeve të prapambetura për qindra biznese.
Opozita e kundërshton paketën fiskale, duke thënë se ajo ka ardhur vonë në Kuvend dhe nuk ka kohë në dispozicion për një shqyrtim serioz.
“Projektligjet u dalin krahë evazorëve fiskalë, hajdutëve të parave të shqiptarëve që me bekimin e qeverisë pastrohen prej 2 miliardë eurosh, nga borxhi më i madh i krijuar ndonjëherë ndaj shtetit! Partia Demokratike është kundër kësaj paketa fiskale dhe u bën thirrje të gjithë bizneseve të ndershme të reagojnë ndaj kësaj padrejtësie", tha Bozdo.
Pr.buxheti i vitit 2026, është 8.8 miliardë euro, dhe shoqërohet me 8 projektligje si paketë fiskale, që u diskutua në komisione parlamentare me procedurë të përshpejtuar.
Opozita shënoi një fitore në Konferencën e Kryetarëve, ku pas shumë refuzimesh, mazhoranca i dha të drejtën të zhvillojë një mocion me debat për nivelin e kriminalitetit. Dy orëshi për këtë çështje, u la për seancën e 18 dhjetorit.
Demokratët e depozituan kërkesën për mocion 4 ditë më parë, duke kërkuar sqarime nga qeveria për masat e ndërmarra për të luftuar krimin. Demokratët, në kërkesë, iu referuan raporteve ndërkombëtare përfshirë raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit që flet për pastrim parash në ndërtim.
Komente











