Projektbuxheti 2018, ja bashkitë
që 'humbin' apo përfitojnë

Fondi i transfertës për organet e pushtetit vendor në Republikën e Shqipërisë do të jetë vitin e ardhshëm 7 për qind më i lartë se këtë vit. Kjo del nga shifrat e Projektbuxhetit 2018, që kanë mbërritur në Kuvendin e Shqipërisë, pasi kanë marrë miratimin në qeveri. Fjala është për fonde që bashkitë mund t’i përdorin sipas nevojës, por edhe për ato që mund të përdoren vetëm në përputhje me kushte të caktuara dhe që nuk mund të transferohen nga pushteti vendor nga një sektor në një tjetër.

Ndarjet
Metropolet, sipas këtyre shifrave, duhet të jenë të kënaqur. Fondi në total psh për Tiranën do të arrijë në 24 milionë euro më 2018, që u shtohen taksave që grumbullon vetë Bashkia. Rritja krahasuar me vitin në vazhdim është e konsiderueshme: 12.3 për qind. Rritja për Durrësin është pak më e vogël, në masën 7.9 për qind. Ndërkohë që për Elbasanin do të jetë edhe më e lartë, 10.8 për qind nga sivjet. Korça do të ketë gjithashtu një buxhet nga qeverisja qendrore 8.9 për qind më të lartë, gati sa edhe rritja e Fierit. Vlora gjithashtu do të ketë një rritje të konsiderueshme prej 10 përqindësh. Të gjitha këto janë bashki që drejtohen nga partia socialiste, tashmë e vetme në pushtet.

Por nuk është harruar Bashkia e Shkodrës, pavarësisht nga fakti se aty drejton “problematikja” Voltana Ademi e PD-së. Për qytetin verior buxheti parashikon një fond 9.7 për qind më të larta se këtë vit. Po kështu, edhe Tropoja, në të cilën aktualisht po kryhen pas shumë e shumë vitesh amullie investime të shumta, për vitin 2018 do të marrë 11.6 për qind fonde, pavarësisht nga stoicizmi i votuesve të saj për ta mbajtur si bastion të Partisë Demokratike.

Edhe Kavaja, pavarësisht nga “kthimi i pllakës” politikisht, nuk do të përballet me ndonjë hakmarrje nga ana e qeverisë, pasi për Bashkinë e saj, deri dje të drejtuar nga Elvis Roshi i PS, do të hidhen 5.5 për qind më shumë fonde tani, që drejtohet nga eksponenti i PD-së.

Rekordet
Rekordet në rritje i mbajnë bashki të minoriteteve. Sipas Projektbuxhetit, Bashkia e Dropullit do të marrë 32.6 më shumë fonde vitin e ardhshëm, ndërsa ajo e komunitetit maqedon, Pusteci, do të ketë 32.7 për qind rritje buxheti nga fondet e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara bashkë. Nuk do ta ketë këtë fat Finiqi, ku fondet do të pakësohen me 2.1 për qind.

Rritje të konsiderueshme do të ketë buxheti i Bashkisë Konispol me 22 për qind më shumë nga sivjet, ai i Bashkisë Libohovë, me 30.9 për qind, por edhe Roskoveci (+18.3%)  Saranda (15.9%), Memaliaj (15.3%), Përmeti (14.5%), Shijaku (12.1%), Kolonja (11.9%), etj.

Në terren negative, veç Finiqit, kanë kaluar Cërriku me 0.1 për qind më pak nga sivjet, Delvina me 2.7 për qind më pak, Patosi me 2.2 për qind më pak.

Rekordin negativ e mban Bashkia e Peqinit, që do të marrë 13.2 për qind më pak fonde. Ndërkohë, Bashkisë së Skraparit, të drejtuar nga ish-aleatja LSI, për vitin e ardhshëm do t’i akordohen 2.8 për qind më pak fonde nga ato, që janë planifikuar për vitin 2017.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arjan Hoxha nga selia blu: Rakip Suli ka dhënë leje ndërtimi në një zonë të shpallur të rrezikshme nga institucionet e shtetit, SPAK ta hetojë!

Arjan Hoxha nga selia blu: Rakip Suli ka dhënë leje ndërtimi në një zonë të shpallur të rrezikshme nga institucionet e shtetit, SPAK ta hetojë!