Në një aktivitet për here të parë të kësaj natyre, 8 gra janë impenjuar për të performuar në skenën e Teatrit Kombëtar me anën e një organizimi midis Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Qendrës së Artit "M.A.M. Foundation", me drejtoreshë artistike Ema Andrean, si pjesë e projektit të quajtur "Prag".
Për here të pare në vendin tonë protagonistet në skenë nuk janë aktorët e rinj apo të njohur, por disa gra të burgosura. Sakaq, regjisorja e njohur Ema Andrea ka menduar t'u japë një mundësi këtyre femrave, për ta treguar ndryshe jetën e tyre, si një mundësi reflektimi, por dhe dëshire për të kapërcyer atë prag ku ndodhen.
Dje pasdite, në skenën e Teatrit Kombëtar nën masa të rrepta sigurie 8 të burgosurat kanë hyrë në skenën e teatrit për të bërë provën e fundit përpara premierës së sotme që nisi në orën 19.00.
Regjisorja Ema Andrea ka vendosur që tekstin t'ua lërë në dorë vetë personazheve që ka zgjedhur për të interpretuar, duke i lënë të lira ta shndërrojnë skenën e teatrit, në një skenë të jetës së tyre të përditshme nga dhomat e burgut ku ndajnë jetën.