Sali Berisha i ka dalë në mbrojtje Ilir Metës për projektligjin e PS për ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Ish kryeministri e cilson si ligji 'anti-Meta', që sipas tij bazohet në shpifje. Pyetjes të gazetares së Report Tv, Danjela Maloku, ish kryeministri iu përgjigj në konferencën për media duke thënë se PD është e gatshme që ta kthejë ligjin e lustracionit. Në këtë mënyrë, Berisha e konsideron draftin e mazhorancën për ish-spiunët si një ligj që po bëhet vetëm kundër ish-Presidentit Meta, i cili në dosjen e Autoritetit të Dosjeve rezulton si ish bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. 

“PD gjatë periudhave të saj në pushtet ka miratuar 2 ligje për lustracionin. Në praktikën botërore dhe europiane, ligjet e dekriminalizimit janë tjetër, të lustracionit janë tjetër. Me lustracionin, PD përjashtonte nga funksionet publike të gjithë bashkëpunëtorë, agjentë dhe informatorë të Sigurimit të Shtetit. Ky ligj është vënë në zbatim në vitin 1996 dhe është kopje e plotë e ligjit të miratuar në çekosllovakinë e asaj kohe dhe u amendua nga socialistët në pushtet duke hequr komponentin lustracion.

Për këtë arsye, PD në vitin 2008 miratoi në Parlament ligjin e lustracionit. Për hir të së vërtetës, identik me atë që ishte sepse ishte ligj me një mbështetje të plotë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë por dhe një lloj miratimi nga institucionet ndërkombëtare. Vec kësaj, shumica e PD miratoi në vitin 1995, një vit para lustracionit, ligjin për dënimin e krimeve kundër njerëzimit. Mbi bazën e këtij ligji u dënuan 73 zyrtarë duke nisur nga Presidenti tek një komandant që zvarriti trupat e të pushkatuarve në kufi. Ky ligj i dërguar nga PS u quajtur Kushtetues dhe është edhe sot në fuqi. Ne kemi qenë dhe do jemi për ligjin e lustracionit. Atë që bën PS, duket se është ligj që po ta quajmë ndryshe, ligji anti-Meta, por kjo është një gjë, e cila bazohet në një shpifje të qartë, të hedhur poshtë nga vetë autori për të cilin akuzohet zoti Meta. Nëse PS është e gatshme të rikthejë ligjin e lustracionit, autoriteti i hapjes së dosjeve ekziston, nuk ka nevojë të ngrihet. Ne jemi për lustracionin”, tha Berisha.

Ndër të tjera, sfidoi qeverinë Rama duke thënë se nëse në projektligjin e PS do të shtojnë personat e shpallur non grata nga SHBA dhe shtetet europiane, atëherë hovi dhe vrulli përballë tyre do të rritet.

"Ka standarde evropiane të qarta, ka rezoluta për për të gjitha këto, nëse do bëjnë një ligj anti Berishë, të provojnë, i siguroj se vrulli dhe hovi vetëm do të rritet. Në draftin e tyre që më kanë sjellë bashkëpunëtorët e mi ata kanë Lustracionin”, tha ish kryeministri.

Projektligji i PS

Report Tv ka siguruar dokumentin e plotë, ku në nenin 4 të ligjit të dekriminalizimit, është shtuar edhe një pikë e re në të cilën u ndalohet kandidimi dhe ushtrimi i funksioneve të larta publike personave ndaj të cilëve provohet nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, se kanë qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit.

Sa i përket atyre që aktualisht janë duke ushtruar këto funksione, propozojnë që t’u ndërpritet mandati dhe të shkarkohen automatikisht nga detyra. E thënë ndryshe, në rast se vërtetohen akuzat se Meta ka qenë bashkëpunëtor i Sigurmit të Shteti, atëherë do i ndalohet me ligj kandidimi. Duhet theksuar se drafti paraprak është në fazën e propozimeve. Ai do të depozitohet në kuvend për t’u diskutuar më pas në komisionet parlamentare në muajin shtator.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:13
A ka mbështetjen e deputetëve të PD për zëvendësimin e Alibeajt? Berisha ‘ngec’ para pyetjes së Report Tv: Përgjigjen e jap kur të kemi rezultate

 

Sali Berisha nuk dha një përgjigje konkrete nëse në shtator do të zëvendësojë Enkelejd Alibeajn si kryetar të grupit parlamentar të PD dhe nëse ka mbështetje të deputetëve demokratë për këtë vendim.

Pyetjes së Report Tv iu përgjigj shkurt duke thënë: “Ka një komunikim për të gjitha problemet me deputetët e PD, të cilat do t’i mësoni dora dorës sipas produktit dhe rezultateve. Kjo është përgjigja ime.”

Ora 12:38
Koalicion me Metën? Berisha: Do përcaktohen rregullat! Ne nuk heqim dorë nga primaret

 

Sali Berisha, i cili shpesh herë ka marrë në mbrojtje Ilir Metën, e ka bërë të qartë dhe me plot bindje se do të ketë një koalicion me Partinë e Lirisë.

"Koalicion unë vlerësoj se do të ketë. Koalicioni do përcaktojë rregullat e tij, por çfarë do jetë në këtë koalicion për Partinë Demokratike, aksionet e PD, ato të gjitha do të zgjidhen me primare. Ne nuk heqim dorë kurrsesi. Ne konsiderojmë primaret si risinë e dytë më të madhe pas vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri. Vendosja e pluralitetit brenda partive është fundi i kryetarokracisë, forma më e vërtetë e demokracisë brenda një partie. Për ato që jemi zotuar, ne qëndrojmë plotësisht", tha Berisha.