Në Kuvendin e Shqipërisë po vijon diskutimi sipas rendit të ditës. Në fillim të seancës janë zhvilluar 2 interpelanca, ndërsa u rrëzua ajo e kërkuar urgjentisht me kryeministrin Edi Rama për çështjen e AKSHI-t.
Deputeti i PD Eno Bozdo kërkoi nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi për rezervat e naftës ndërsa interpelanca tjetër ishte kërkuar nga demokratja Ina Zhupa drejtuar ministrit të Kulturës Blendi Gonxhja për muzeun arkeologjik nëntokësor në zonën e sheshit ‘Nënë Tereza’ në kryeqytet.
Me dakordësimin e mazhorancës dhe opozitës në Kuvend, dy projektligjet për taksat kombëtare dhe akcizën u bashkuan në një. Ministri i Financave, Petrit Malaj, tha se akti normativ për uljen e akcizës me 20% sa herë çmimi naftës kalon 220 lekë për litër dhe i benzinës mbi 200 lekë litri është i përkohshëm, i domosdoshëm dhe synon mbrojtjen e konsumatorit.
“Në rast përshkallëzimi të krizës, prioritet do të kenë shtresat në nevojë. Çdo plan masash që do të merret do të konsultohet edhe me FMN. Ky akt normativ është instrument i përkohshëm, i domosdoshëm dhe në përputhje me Kushtetutën që synon të amortizojë goditjen e krizës dhe mbrojë qytetarët shqiptarë”, tha Malaj.
Sali Berisha e quajti aktin "absurd" dhe "politikë shpopullimi", kurse Gazment Bardhi "alibi të qeverisë për të mos ulur taksat."
“Rama është bërë ortak i krizës, sepse kur çmimet rriten, qytetarët paguajnë më shumë dhe shteti fiton më shumë, dhe Rama refuzon të heqë dorë nga fitimet duke u sjell si aksioner i çdo litri naftë. Kjo mazhorancë nuk ka interes për uljen e çmimit sepse për ta nafta është industri gjigande fitimi", tha Bardhi.
Debate u zhvilluan dhe për projekt-rezolutën për Shqipërinë e hartuar nga raportuesi i vendit tonë Andrea Schieder dhe i miratuar në Komisionin e Parlamentit Evropian me 58 vota pro. Ashtu si dhe në seancat e tjera, deputetët kërkuan që të zhvillohej debat mbi raportin dhe procesin e integrimit drejt BE.
Njw debat u zhvillua mes Erion Braçes dhe Sali Berishws për çmimin e naftës. Deklaratave të Braçes se taksa e qarkullimit e solli qeveria e tij, Berisha iu përgjigj duke i thënë se sot pritet që ligjvënësi të niste grevën e urisë për naftën pa taksa që iu hoq fermerëve. Ndërsa e akuzoi Braçen se nuk shqetësohet më për fermerët që pasi Belinda Balluku e largoi nga Fieri.
Një nga shqetësimet që Erion Braçe ngriti në Kuvend ishte rieksporti i naftës nga Shqipëria në Kosovë. Duke u kthyer përgjigje akuzave të Berishës se “mbron interesat e tregtarëve”, deputeti socialist tha se gjatë 2025 janë rieksportuar 731 milionë litra naftë dhe dyshon se lënda djegëse nuk tregtohet në Kosovë, por në Shqipëri.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi gjatë fjalës së tij tha se Avokati i Popullit zgjodh në zyrën e Taulant Ballës.
“Integrimi Europian ka ngelur tek varësia e institucioneve që kushtetuta dhe ligji në fuqi i ka dizenjuara si të pavarura. Çdo emërim në institucionet e pavarura kushtetuese e keni bërë në mënyrë të njëanshme duke i politizuar të gjitha. Ky Kuvend ka kryer 11 emërime. Ka emëruar 5 anëtarë të këshillit mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, ka emëruar avokatin e popullit, ka emëruar anëtarin e komisionit të konkurencës vetëm me votat tuaja - nga grupi parlamentar i PS. Janë propozime të një shumice dhe këtu nuk ka pavarësi, por varësi dhe kjo e dëmton integrimin europian.
Kjo është kapje totale e shtetit nga Partia, më thoni njëherë ku keni marrë mendim nga opozita, askund. Jo më Taulant, Avokati i Popullit u zgjodh në zyrën tënde, ka ardhur në mënyrë të vijueshme, ka marrë udhëzsime nga ju, dhe ky është emërim ekskluziv i juaj. Ju keni në Bankën e Shqipërisë bordin drejtues të bankës 9 emërime të PS. Por ky është koncepti juaj për pushtet”, tha Bardhi.
Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku thotë se avancimi i Shqipërisë drejt integrimit evropian është një fasadë e sajuar nga qeveria. Tabaku nga foltorja iu referua raportit të Parlamentit Evropian për Shqipërinë duke thënë se nuk mund të trajtohet si propagandë pasi aty Shqipëria kritikohet për nivelin e lartë të korrupsionit, zgjedhjet e kapura nga pushteti si dhe ekonomia që i shërben vetëm qeverisë.
“Sot përballë shqiptarëve ekzistojnë 2 vizione të kundërta: nga njëra anë, një qeveri që përpiqet të ndërtojë fabulën e integrimit pa probleme. Një fabul ku integrimi reduktohet në miratime ligjesh me porosi, që mbrojnë interesa dhe propagandë institucionale. Nga ana tjetër është opozita, shoqëria civile, qytetarët që kërkojnë ndërtimin e Evropës këtu në Shqipëri, si një standard jetese, demokracie e shteti.
Integrimi nuk është marketing politik, as garë deklaratash, as numër ligjesh të miratuara në errësirë; është ekonomi funksionale, sundim ligji, ndarje pushteti, zgjedhje të lira dhe respekt për qytetarin, e jo një parti që kontrollon shtetin.
Pas gjithë kësaj fshehtësie ekziston edhe frika që qeveria ka nga standardet, transparenca dhe vetë procesi i integrimit. Raporti i PE nuk është propagandë, është një pasqyrë politike dhe demokratike e vendit. Na thotë që Shqipëria ka rënë 11 vende në indeksin e korrupsionit në vend. Sistemi që mbron të fortët nuk duhet të ekzistojë, propaganda nuk zëvendëson rezultatet.
Raporti flet edhe për zgjedhjet. Kemi referimin për OSBE-ODIHR, që flet për terren jo të barabartë zgjedhor, për blerje votash dhe presion ndaj qytetarëve. Raporti ndalet edhe te media, ku situata është alarmante. PE dënon sulmet ndaj gazetarëve të pavarur, si dhe presionin ekonomik. Demokracia vdes kur mbytet fjala e lirë.
Një qeveri që beson te Evropa nuk i frikësohet debatit, opozitës dhe transparencës. Evropa nuk ndërtohet me propagandë, por me standarde”, tha ndër të tjera Tabaku.
Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi është përplasur me disa deputetë të Partisë Demokratike. Ishte Albana Vokshi, e cila i kërkoi Peleshit të nxirrte jashtë sallës punonjësit e Gardës së Republikës, pasi ky i fundit e kishte penguar deputeten të akesonte sekretarinë në sallë, që është e pozicionuar në pjesën e sipërme pas karrigeve të ministrave.
Aty keni vënë një punonjës të Gardës, kjo është skandaloze. Në asnjë parlament të botës nuk ka punonjës të gardës brenda në sallë. Nga kush ruheni ju kryetar, nga ne? Kur e trajtoni deputetin e opozitës si armik... Trajtojeni opozitën në mënyrë më miqësore”, tha ndër të tjera Vokshi.
Në debat është përfshirë dhe Gazment Bardhi e Gent Strazimiri, të cilët i kanë kërkuar kryetarit të Kuvendit që të nxjerrë jashtë Gardën. Peleshi është shprehur se të urdhërojë Gardën e Republikës, nuk është target i tij.
“Pse u kujtuat sot pas 36 vitesh, u kujtuat që të merreni me Gardën të vendosur te dalja apo hyrja e godinës, siç ka qenë historikisht. Në fakt më parë qëndronin dy gardistë aty përpara e tani nuk ka më”, tha Peleshi.
Një nga shqetësimet që Erion Braçe ngriti në Kuvend ishte rieksporti i naftës nga Shqipëria në Kosovë. Duke u kthyer përgjigje akuzave të Berishës se “mbron interesat e tregtarëve”, deputeti socialist tha se gjatë 2025 janë rieksportuar 731 milionë litra naftë dhe dyshon se lënda djegëse nuk tregtohet në Kosovë, por në Shqipëri.
Sipas Braçes, në këtë kontrabandë janë përfshirë zyrtarë të të dyja vendeve duke bërë që çmimet e naftës të jenë të larta.
“Ajo që mua më shqetëson është ajo që po ndodh me rieksportin e hidrokarbureve nga Shqipëria në Kosovë që s’e hap gojën kush për këtë se cenohen ata që mbron zotëria e me demek që mbroj unë. Për 2025, importi i hidrokarbureve ka qenë diku te 609 milionë kilogramë, diku te 700 milionë litra. Rieksporti në drejtim të Kosovës është 731 milionë litra, ku gati 1/3 e bën vetëm një kompani. Afërmendsh që kam dyshime të forta që kjo naftë nuk shkon në Kosovë, kjo naftë tregtohet brenda vendit. Një histori e turpshme e kontrabandës midis të dyja vendeve janë përfshirë zyrtarë të të dyja vendeve që bëjnë këtë punë me të njëjtët operatorë, arkëtojnë atje. Patjetër, kontrabanda është një element shumë i rëndësishëm që mban çmime të larta. Çmimet e ulëta s’kanë asnjë vlerë për kontrabandën. Ky është një problem që duhet ta adresojnë institucionet tona fiskale me qëllim që t’i japim një goditje përfundimtare kësaj historie”, tha Braçe.
Deputeti i Partisë Demokratike Saimir Korreshi në foltoren e Kuvendit solli shqetësimet nga qyteti i Lushnjës. Korreshi kërkoi investime në infratrukturën rrugore, në spitale, në sistemin energjetik si dhe në uljen e naftës.
“Po nga mbron qeveria nga Irani. Na jepni ne ndonjë palë llastiqe të vrasim ndonjë harabel të hamë bukë. Meqë ministri i Financave ka bërë gjëra të mira. Meqë hoqëm naftën nga bujqësia të fusim dhe nga një gomar.Ja e rritët naftën, por këto vagonat me naftë që dalin nga Bankers ku shkojnë këta? Po pse paskemi 500 mln për t’ia dhënë një ekipi për të shkuar në kategori të tretë? Po të marrë lapsin ministri, problemi është nëse jeni kthyer ë të ndihmuar fshatin, mirë është se i në 2 rrugë me nga 250 metra.
Një lopatë lek do për të bërë pushimin e shoferit dhe kryqëzimin e Savës. Shpëton i gjithë jugu. Si ka mundësi që nuk llogarisni sa lekë i marrim fermerëve taksë toke, sa lekë kanale keni pastruar nga Myzeqeja? Na futët në përralla se e kishit spango linjën elektrike. A pyesni ndonjëherë sa lekë marrin pensionistët në Lushnjë? Uleni naftën se është turp. Kur të vini vërdallë nëpër Lushnjë, sillni ndonjë gozhdë e ta ngulni në mur”, tha ndër të tjera Korreshi.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka akuzuar qeverinë se po bashkëpunon me oligopolet e karburanteve për të mbajtur artificialisht të larta çmimet e naftës në Shqipëri, duke rënduar drejtpërdrejt ekonominë e qytetarëve shqiptarë.
Gjatë fjalës së saj në seancën plenare të ditës së sotme, Tabaku deklaroi se propozimi i qeverisë për uljen e akcizës së karburanteve është një masë e vonuar dhe pa efekt real, ndërsa theksoi se problemi i vërtetë lidhet me modelin ekonomik të ngritur në vend. Deputetja e PD solli në vëmendje edhe barrën fiskale mbi karburantet, duke theksuar se mbi 60% e çmimit të naftës përbëhet nga taksat. Ajo u ndal veçanërisht tek taksa e qarkullimit, e cila sipas saj është rritur me 20 lekë krahasuar me vitin 2013 dhe u kushton shqiptarëve mbi 200 milionë euro në vit.
“Qeveria ka ardhur sot me një propozim për të ulur akcizën mbi karburantet si pasojë e krizës së krijuar nga lufta në Gjirin Persik dhe tensionet në ngushticën e Hormuzit. Por përtej kësaj krize globale, ajo që mësojmë sa herë shpërthen një konflikt ndërkombëtar është tragjedia shqiptare. Tragjedia e një vendi që jeton në një sistem ekonomik dhe politik që i ka lënë qytetarët peng të monopoleve nga njëra anë dhe të një pushteti fiskal të pandershëm nga ana tjetër. Një sistem që ledhaton të fortët dhe ndëshkon të dobëtit.
Çdo krizë ndërkombëtare ka nxjerrë zbuluar të njëjtën gjë: dështimin e modelit ekonomik që është ndërtuar në Shqipëri. Sepse në Shqipëri çmimi i naftës nuk përcaktohet vetëm nga tregu. Përcaktohet nga një kartel politiko-ekonomik që ka interes të mbajë çmimet lart. Nafta mund të bjerë në bursat ndërkombëtare. Mund të bjerë në Mesdhe. Mund të bjerë në rajon. Por në Shqipëri ajo mbetet ndër më të shtrenjtat në Europë. Dhe mbetet e tillë sepse sistemi e favorizon.
Mbi 60% e çmimit të karburantit janë taksa. Dhe një pjesë e madhe e tyre vijnë nga taksa e qarkullimit, e cila sot është 20 lekë më e lartë se në vitin 2013. Një taksë që mblidhet çdo ditë në pompë dhe që i kushton shqiptarëve mbi 200 milionë euro në vit.
Realiteti është ky: shqiptarët paguajnë çmime europiane me paga ballkanike. Madje shpesh edhe më keq se Ballkani. Sa herë ka krizë, qeveria del me të njëjtën propagandë për rezervat e naftës. Por nuk ka asnjë strategji ekonomike. Nuk ka asnjë politikë reale për qytetarët. Nuk ka asnjë vizion për të ulur barrën fiskale.Sepse ky sistem nuk është ndërtuar për qytetarët. Është ndërtuar për të mbajtur në këmbë një aleancë mes pushtetit dhe oligarkisë”, tha ndër të tjera Tabaku.
Deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho, duke folur për aktin normativ të uljes me 20% të akcizës a herë çmimi i naftës shkon 220 lekë, tha se ky propozim nuk i vjen aspak në ndihmë qytetarëve dhe se vendi ndodhet në prag të një krize ekonomike.
Xhixho i kërkoi shpjegime ministrit të Financave Petrit Malaj për investimin që shteti prej 50 mln euro do të bëjë për ndërtimin e një stadiumi të përkohshëm për mbajtjen e koncertit të këngëtarit Kanye West në Tiranë.
“Keni alokuar ju 50 mln euro për një koncert që do të bëhet në tiranë, për një stadium montim, çmontim? Në kolaps të krizës ju vendosni 50 mln euro për një koncert? A është e vërtetë? A mbani ju përgjegjësi që kur nuk ulni çmimin e naftës të çoni lekë për propagandë dhe koncerte?”, tha Xhixho.
Ministri Malaj e mohoi atë shifër duke thënë se shteti do të investojë 0 lekë në këtë aktivitet.
“Ku e keni dëgjuar këtë shifër. I gjithë buxheti i ministrisë së Kulturës është 70 mln euro. Është fake news. Buxheti është miratuar në fund të vitit dhe ju si deputet jeni në dijeni se kush janë fondet dhe ku shkojnë fondet. Dhe i gjithë buxheti i ministrisë së Kulturës është 70 mln euro. Është zero”, tha ministri Malaj.
Deputeti i PD Agron Gjekmarkaj akuzoi qeverinë me në krye Edi Ramën se e ka kthyer Shqipërinë në shërbim të ‘klientëve’ e vetes së tyre. Gjekmarkaj përmendi çmimin e naftës duke thënë se në Shqipëri shitet më shtrenjtë se gjithë rajoni dhe askush nuk rimbursohet. Deputeti i PD e mbylli fjalën e tij duke thënë se protesta është e vetmja shpresë për popullin.
“Bllokohet nga korrupsioni, paaftësia, klientelizmi e delirimi. Shqipëria është një vend i bllokuar. Shikoni absurdin: në një kohë krize pas bllokimit të Hormuzit, ku çmimet e naftës dhe të jetesës janë rritur, e kudo janë të rimbursueshme dhe qeveritë u qëndrojnë pranë popujve, shqiptarët paguajnë karburantin më të shtrenjtë në rajon. Nafta në Shqipëri është çështje monopoli. Kur kjo qeveri, që ua ka mbyllur gojën artistëve shqiptarë, ku shumë prej tyre gjallojnë vetëm me dasma, mendon të ndërtojë një stadium të përkohshëm me 50 milionë euro për një këngëtar që vjen nga Amerika, i njohur për predikimet shoviniste kundër hebrenjve.
Në një vend ku rrugët kombëtare janë plagë të hapura, ku veriu trajtohet si periferi elektorale, por ama 50 milionë jepen për një spektakël që nesër mund të dalë histori korrupsioni. Shqipëria ka rrugë që nuk bëhen kurrë. Nuk shkon dot në veri se mbetesh në Milot, nuk shkon dot në Korçë se mbetesh në Elbasan. Shumë zhurmë, shumë tabela e pak Shqipëri reale. Veriu diskriminohet prej vitesh, kosovarët trajtohen si turistë sezonalë. Socializmi juaj është tashmë shakaja më e madhe e kohërave moderne. Këtu miratohen ligje me ritëm fabrike dhe shumë pak e marrin vesh se çfarë janë. Protesta është e vetmja rrugë morale. Aty ku protestohet, ka ende shpresë”, tha ndër të tjera Gjekmarkaj.
Përplasja nga foltorja e Kuvendit mes Erion Braçes dhe Berishës u zhvendos pasi deputeti socialist shkoi te vendi ku qëndron kryetari i PD që po mundohej t’i tregonte diçka në tabletin e tij.
Mësohet se mes tyre ka vijuar diskutimi lidhur me çmimin e naftës. Gjatë fjalës në foltore, Braçe tha se ishte qeveria e Berishës që vendosi taksën e qarkullimit. Më pas, Berisha iu përgjigj “S’ka vend në botë me taksën 1.1 euro për litër nafte, lexojeni dhe gjejeni një vend.”
Të dy larg mikrofonit dhe foltores, kanë vazhduar të flasin për këtë ku Braçe, me letra në dorë, i ka treguar Berishës një artikull të Wall Street Journal që tregon se Gjermania e Norvegjia kanë taksën më të lartë për naftën.
Por kreut të PD s’i kanë pëlqyer argumentet, ndaj ka marrë tabletin dhe i është përgjigjur deputetit me ‘të besuarin’ e tij: ChatGPT.
Nga diskutimi midis tyre, lëvizjet e buzëve të Braçes formësojnë fjalë si “çfarë janë këto, më tregon mua ti?, teksa i tregon artikullin dhe sërish kuptohet vetëm “ja ku e ke”, duke shprehur qartazi indinjatën e deputetit për veprimin e Berishës që zgjedh t’i besojë ChatGPT para një gazete prestigjioze.
Berisha vijoi t’i tregonte herë tabletin e herë celularin dhe i është përgjigjur “je kundër Diellës”, por ka marrë mbrapsht veç një reagim indiferent nga Braçe që më pas u largua për në karrigen e vet.
Deputetja e PD, Ina Zhupa foli në Kuvend për helmimin e studentëve të Akademisë së Sigurisë, duke thënë se jetojmë në një ku përzgjidhen edhe fituesit e tenderëve të ushqimeve. Çfarë kontrollesh kemi për sigurinë ushqimore?, pyeti Zhupa duke thënë se jo vetëm që paguajmë çmimet e ushqimeve më të larta në rajon, por paguajmë edhe helm.
“Nuk është ngjarje për ta anashkaluar dhe për të mos reflektuar dhe për të kuptuar se si jeta është e pasigurt. Jemi duke jetuar në një vend ku përzgjidhen edhe fituesit e tenderëve të ushqimeve, jo në bazë të standardeve por në bazë të njohjeve, ofertës më të lartë, allishverishit të radhës. Mungonin kontrollet reale mbi kompaninë që ushqente studentët shqiptarë, mungonin standardet me të cilat do duhet të konkurronte dhe të fitonte për të garantuar ushqimin. Çfarë kontrollesh kemi për sigurinë ushqimore? Vese paguajmë çmimet e ushqimeve më të larta në rajon, paguajmë edhe helm, paguajmë ushqime të cilat janë të pakontrolluara, ushqime që helmojnë fëmijët tanë, studentët tanë, ai që përfiton atë tender, janë të lidhur me qeverinë, klientë të pushtetit dhe nuk ka nevojë nëse kanë standarde apo jo”, tha Zhupa.
Deputeti socialist Erion Braçe dhe kreu i PD, Sali Berisha u përfshinë në debat në Kuvend për çmimin e naftës. Deklaratave të Braçes se taksa e qarkullimit e solli qeveria e tij, Berisha iu përgjigj duke i thënë se sot pritet që ligjvënësi të niste grevën e urisë për naftën pa taksa që iu hoq fermerëve. Ndërsa e akuzoi Braçen se nuk shqetësohet më për fermerët që pasi Belinda Balluku e largoi nga Fieri.
Deputeti iu përgjigj se është e tepërt që të flasin njerëz që për 14 vite nuk i dhanë një litër naftë bujqve pa akcizë. Braçe tha se qeveria socialiste ka dhënë për të paktën 6 vite naftë falas për fermerët, ndërsa kritikoi skemën e re që heqë subvencionin e naftës.
“Gjatë qeverisë sime ka pasur 32 licenca nafte, por nuk ka patur 400 mijë tonë kont qeveritare nafte. Gjatë asaj periudhe ka pasur 400 mijë automjete dhe janë zhdoganuar 720 mijë tonë naftë dhe prodhoheshin në vend 200 mijë ton naftë në ballash, kurse sot 400 mijë ton vijnë nga Libia, kush e merr atë? Atë e marrin vetëm qeveritarët, ato shkarkohen për qeveritarët. Kjo është problemi i naftës. Nëse edhe në taksën më të lartë në botë je mëkatari më i madh ndaj qytetarëve të ty, ndaj fermerëve të tu. Po të mos ishe hipokrit, prisja të nisje grevën e urisë për çmimin e naftës për fermerët, por të hoqi Lubia nga Fieri dhe nuk pyet më për të fare”, tha Berisha.
“Kur flasim këtu kam një diferencë të madhe me njërin, unë flas me letra, ai flet me mend. Nëse është një diferencë mes të vërtetës dhe gënjeshtrës, nëse flasim për modelin. Të çohen njerëz që për 14 vite, kurrë nuk i dhanë një litër naftë bujqve pa akcizë, është e tepërt, minimumi 6 vjet rresht bujqit kanë marrë naftë falas, pa lekë fare. A jam unë dakord me këtë që u bë tani, jo s’jam dakord, veçanërisht me argumentin se abuzohej. Abuzohet, ndëshkohet dhe politika shkon deri në fund”, iu përgjigj Braçe.
“Ato që them unë janë të vërteta. S’ka vend në botë me taksën 1.1 euro për litër nafte, lexojeni dhe gjejeni një vend”, replikoi Berisha.
Duke folur për modelin e taksave, Erion Braçe tha se tarifa fikse e akcizës dhe taksa e qarkullimit te nafta janë produkte të qeverisë Berisha.
“Ne kemi tatim mbi vlerën e shtuar, e kemi pasur edhe kur drejtonit ju. Kemi akcizë, në kohën tuaj ka qenë me përqindje mbi çmimin e naftës para akcizës. Edhe me këmbënguljen e operatorëve dhe tonën, e çuat me tarifë fikse siç e kemi edhe sot. Taksën e qarkullimit e sollët ju brenda çmimit të hidrokarbureve, nuk e kemi sjellë ne!”, tha Braçe.
Berisha nisi t’i përgjigjej nga vendi, por Braçe ia ktheu me tone të ashpra:
“Kush po abuzon mo? Hajde këtu more fol ti që më thua mua që po më tregon mua që po mbroj interesat e tregtarëve? Hajde zëri me gojë ti se s’i ke zënë me gojë!”, i tha deputeti.
Më tej shtoi se tarifat e ulëta që do opozita, favorizohen konsumatorët e mëdhenj.
“Çmimi 7 lekë nuk është njësoj si për atë që konsumon pak karburant, si për atë që konsumon shumë! Jemi munduar të bëjmë drejtësi se me tarifat e ulëta që keni ju, keni favorizuar konsumatorët e mëdhenj!”, u shpreh Braçe.
Çmimi i lartë i naftës nuk vjen nga qeveria, por nga situata e luftës në Lindjen e Mesme, tha deputeti Erion Braçe. Ai nënvizoi se akti normativ për taksën kombëtare dhe akcizën nuk ka ndikim pasi peshën kryesore e ka mbajtur Bordi i Transparencës. Edhe pse e lëvdoi punën e Bordit, Braçe tha se ka rezerva për transparencën pasi fsheh modelin e tregut.
“Çmimet e larta të naftës lidhen me situatën në një rajon të botës që është edhe ndër më prodhueset. Çmimet nuk erdhën nga qeveria, por erdhën të larta për shkak të një situate në një rajon prodhues të naftës, me ndikim në të gjithë botën. Akti është pa ndikim, është përdorur nga data 3-8 prill dhe 8-9 prill dhe efekti ka qenë 37 milionë lekë. Ai që ka pasur ndikimin më të rëndësishëm ka qenë Bordi i Transparencës dhe ka bërë një punë të lavdërueshme në aspektin e përcaktimit të çmimeve. Frekuenca e mbledhjes së Bordit dhe shqyrtimi i çmimit të hidrokarbureve ka bërë që të kemi kontroll më të mirë të çmimit, edhe pse mbeten të larta. Ajo që kam rezervë në raport me Bordin lidhen me transparencën. Mungesa e transparencës fsheh modelin e tregut që kemi, një broker që furnizon me naftë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, depoziton naftën në depozita dhe kjo sasi nafte ka një çmim nafte nga dita që del për të shkuar në pompë. Në këtë skemë ka edhe paspagim, edhe para që jepen me interesa, para që gjenden për ta blerë këtë sasi nafte. Brokeri bën shpeshherë edhe rolin e bankës, e palejuar”, tha Braçe.
Deputeti socialist adresoi edhe rieksportin e naftës në Kosovë duke thënë se “janë përfshirë zyrtarë të të dyja vendeve” dhe çmimet e larta i bëjnë nder kontrabandës.
Duke iu rikthyer Bordit të Transparencës, Braçe kërkoi llogari për standardin e “naftës greke” që shitet deri në 13 lekë më shtrenjtë.
“Shikoj që ka dy çmime në tabelë dhe shkon në diferencë deri në 13 lekë për litër. Çfarë standardi nafte është ky që shkruhet në tabelë naftë greke? Çfarë standardi është që shënohet në tabelë dhe është 13 lekë më e shtrenjtë?”, tha Braçe.
Ndërsa në Kuvend po diskutohej për aktin normativ për uljen e akcizës kur çmimi i naftës kalon 220 lekë/litri, kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama se refuzon të shkojë në Kuvend pasi shqetësimi i tij nuk është rritja e çmimeve për qytetarët, por si të pengojë drejtësinë të luftojë korrupsionin. Aktin normativ ai e quajti një alibi të qeverisë për të mos ulur taksat.
“Rama nuk është këtu, ai nuk vjen në Kuvend, nuk vjen për debat, sepse shqetësimi kryesor i shqiptarëve, çmimet e larta që ndikohen nga rritja e çmimit të karburantit nuk janë shqetësim i tij. Në 6 muaj ka ardhur vetëm njëherë kur pengoi SPAK të luftojë korrupsionin e Ballukut, sepse ky është i vetmi shqetësim që ai ka, të pengojë luftën ndaj korrupsionit.
Ka rritur taksat për çmimin naftës dhe refuzon ti ulë. Rama është bërë ortak i krizës, sepse kur çmimet rriten, qytetarët paguajnë më shumë dhe shteti fiton më shumë, dhe Rama refuzon të heqë dorë nga fitimet duke u sjell si aksioner i çdo litre naftë. Sa më e mbushur të jetë arka, aq më shumë tenderë për qeverinë, Belindat, Ergysët e Ramës, fatura e korruptimit te qeverisë. Kjo mazhorancë nuk ka interes për uljen e çmimit sepse për ta nafta është industri gjigande fitimi.
Nga njëra anë kemi tallje me shqiptarët, që ndërhyn në akcizë vetëm kur çmimi shkon 220 lekë për litër, kur aktivizohet kur çmimi dhe jashtë kontrollit, qeveria pret që qytetarët të i gjen mirë dhe me pas ti japë ujë. Kjo është alibi për të mos ulur taksat. Çmimet e ushqimeve janë arritur, transporti po, kosto për çdo familje është rritur. Kemi 3 propozime të PD që ulin çmimin e naftës e zbusin krizën, janë mekanizëm i vërtetë europian qe vepron për të parandaluar rritjen e kostos”, tha Bardhi.
Në përgjigje ndaj akuzave të bëra nga Sali Berisha për raportin e PE për demokracinë, kreu i Grupit Parlamentar i PS, Taulant Balla ka ironizuar kur tha se PD ankohet edhe për vjedhje brenda partisë. Më tej, i kujtoi skualifikimin e Mereme Selës si mosrespektim të barazisë gjinore.
“Sa i përket pjesës së demokracisë, ankoheni që po ju vjedhin votat brenda partisë suaj. Një çikë respekt për barazinë gjinore, një grua si Meremja e shkretë kërkoi të kandidonte, e skualifikuat. Një kandidat nga gjinia tjetër do të bënte mirë”, tha Balla.
Në përgjigje të deklaratave të Berishës për projektrezolutën e PE për Shqipërinë se në të janë bërë 300 ndërhyrje, Taulant Balla tha se ishin 300 amendamente, pjesa më e madhe e të cilëve u rrëzuan. Mes tyre, edhe amendamente që ishin nisur me email nga Tirana, vijoi Balla. Lidhur me projektrezolutën, ai pati vetëm një rezervë, të drejtat e minoriteteve, pasi ligji shqiptar parashikon mbrojtjen më të mirë të tyre.
“U tha nga njëri që ishin 300 ndërhyrje, ishin mbi 300 amendamente. Komisioni rrëzoi pjesën më të madhe të amendamenteve. Edhe pse ndonjë amendament ishte nisur me email nga Tirana, nuk e kaloi dot filtrin e Komisionit të Jashtëm. Kam vetëm një koment, te pika 12. Shqipëria është një model i respektimit të të drejtave të minoriteteve. Nuk bie dakord, pavarësisht se e dini fare mirë kush e ka shkruar ose propozuar këtë amendament, por mendoj se Shqipëria në Ballkan është vendi që respekton minoritetet. Ligji që kemi bërë së bashku në vitin 2017 për minoritetet, është më i miri. Komisioni rekomandon që pika 12 të rishikohet”, tha Balla.
Kreu i grupit parlamentar të PS tha se Kuvendi duhet të përforcojë kapacitetet, ndaj për këtë bëri ftesë për të vijuar me ndryshimet e rregullores.
“Përshpejtimi i procesit duhet të shoqërohet me progresin substancial duke theksuar se përafrimi i legjislacionit duhet të shoqërohet me forcimin e kapaciteteve të monitorimit të ligjeve dhe zbatimit të tyre. Ftesa për ndryshime në rregulloren e Kuvendit është gjithmonë e hapur. Një prej propozimeve që nuk resht së përsërituri është depolitizimi i numëruesve ose të rikthehemi te numërimi në qendrat e votimit që rezultati të dalë sa më shpejt”, tha Balla.
Kreu i PD iu rikthye thirrjeve që t’i dorëzojnë SPAK-ut, ish-zv.kryeministren Belinda Balluku.
“Mbrojtje e Lubisë, dorëzoni Lubinë në Prokurori dhe Gjykatë, sepse ky raport është fund e krye damkosës për farsën elektorale, damkosës për mbrojtjen e korrupsionit, për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, iu përgjigj Berisha.
Kreu i PD, Sali Berisha hodhi akuza ndaj mazhorancës se me vendimin për të mos ia dorëzuar Belinda Ballukun, SPAK-ut, do të bllokojë procesin e integrimit.
“Absurdi më i madh është injorimi i raportit të PE, lexojeni mirë dhe del secili nga ju të kuptojë se më atë votë krimi që ka dhënë për ballukun, i ka futur një thikë pas shpinë procesit të integrimit europian të shqiptarëve. Mediat informojnë se janë bërë mbi 300 ndërhyrje në komision. Lexojeni se nis dhe mbaron me sikur ta kishte shkruajtur opozita në kuptimin e denoncimeve të saj, të vërtetave të saj, por kjo s’ka ndodhur, nuk është produkt i opozitës. Është produkt i atij misioni fakt mbledhës që edhi këtu i përbërë nga socialistë popullor, liberalë, komunistë fare të majtë. Lexojeni mirë atë raport se me atë votë krimi që keni dhënë për ballukun i keni futur thikë pas shpine procesit të integrimit”, tha Berisha.
Akt absurd dhe politikë shpopullimi e quajti Sali Berisha aktin normativ për uljen e akcizës me 20% sa herë çmimi naftës kalon 220 lekë për litër dhe i benzinës mbi 200 lekë litri, i cili po diskutohet sot në Kuvend. Berisha tha se është akt cinik ndaj shqiptarëve që sot jetojnë me djersën e ballit dhe e sjellin në Kuvend në një kohë që qeveria ka hequr subvencionet për naftën.
“Nuk ka akt më absurd se kjo që propozoni sot në Kuvend, akt cinik ndaj shqiptarëve që jetojnë me djersën e ballit. Vini këtu pasi keni hequr subvencionet e naftës për fermerët në kulmin e krizës së naftës. Vini këtu, sillni këtë akt të turpshëm, ulim akcizën kur të kalojë mbi 220 lekë/litri. Kjo është politikë shpopullimi, politikë antishqiptare, fermeri i Maqedonisë e merr me 100 lekë naftën, qytetari me 150 lekë litri. Si e shpejtoni ju këtë. Kryehajduti i Shqipërisë me taksën me të lartë mbi litrin e naftës e detyron shqiptarët. Në Gjemani dje nafta në pompë pardje ishte 2 euro, në Shqipëri 2.2 euro”, tha Berisha.
Komente












Buçe! Mos harr tymueset,benzinen në qant që fute në Parlament mi prostitut e ndyrë.Prtia juaj është parti krimit prandaj Garda nuk ka besë tek ju se ju e bëni sherrin menjëherë.
Përgjigju