Qeveria ka dorëzuar në Kuvend një projektligj, në thelb të të cilit është mbrojtja më e mirë e interesave të konsumatorëve në kushtet e ndryshimeve të teknologjisë së tregut.
Objektivi i përgjithshëm i projektligjit është fuqizimi i konsumatorëve nëpërmjet informimit të tyre për shitjet dhe shërbimet që ofrohen në treg, si dhe një mbrojtje më e madhe për ta, duke siguruar që mosmarrëveshjet ndërmjet tyre dhe tregtarëve të trajtohen nga struktura jashtëgjyqësore, që ofrojnë procedura të zgjidhjes alternative të mosmarrëveshjeve, të paanshme, transparente, efektive dhe të drejta, pa i kufizuar të drejtën konsumatorëve për t’iu drejtuar gjykatës, duke kontribuar, kështu, në funksionimin e mirë të tregut të brendshëm.
Detyrimi për informacion, i vendosur nga projektligji për tregtarët, minimizon asimetrinë e informacionit që ndeshet ndërmjet dy palëve; asaj të mirëinformuar për shërbimet dhe mallrat që ofron, tregtarëve, dhe palës që nuk ka të njëjtat mundësi, konsumatorëve.
Në ditët e sotme, të ndryshimeve të teknologjisë dhe stilit të jetesës, mallrat dhe shërbimet nuk ofrohen vetëm në mënyrën tradicionale, sikurse nëpërmjet qendrave të tregtimit, por edhe jashtë tyre, si në rrugë, festime, eskursione, në qendrat e punës, apo në banesat e konsumatorëve, si dhe në largësi, nëpërmjet mjeteve më moderne të komunikimit, sikurse janë telefoni, fax-i, TV, interneti, etj.
Për më tepër, lindja e formave të reja të shitjeve dhe shërbimeve jashtë qendrave tregtare apo në largësi kërkon një rregullim të posaçëm legjislativ si dhe ndërtimin dhe mirërregullimin e elementeve të posaçme të së drejtës kontraktore, sikurse është e drejta e heqjes dorë nga kontrata.
Detyrimet
Projektligji thjeshtëson listën e detyrimeve për informacion, që duhet të japin tregtarët ndaj konsumatorëve në treg dhe qartëson kërkesat formale për kontratat jashtë qendrave të tregtimit dhe ato në largësi.
Sipas klauzolave të tij, konsumatorët do të jenë në gjendje të marrin një informacion të përshtatshëm, që mund t'i fuqizojë ata në vendimmarrjen e tyre për blerjen e produkteve dhe shërbimeve në treg, duke rritur konkurrencën e ndershme.
Projektligji parashikon detyrimin për informacion në kontrata tё ndryshme nga ato tё lidhura nё largësi apo jashtë qendrave të tregtimit. Për të gjitha llojet e kontratave konsumatore kërkohet që informacioni që duhet të jepet konsiston në karakteristikat kryesore, çmimin e plotë, identitetin e tregtarit, rregullimet për pagesën, garancitë; afatin; funksionalitetin në rastet e përmbajtjes dixhitale; ndërveprueshmërinë e sistemit operativ në rast se shërbimi apo e mira (malli) ofrohet në përmbajtje dixhitale. Po ashtu, këto detyrime zbatohen edhe për kontratat e furnizimit me ujë, gaz, energji, ngrohje lokale, përmbajtje digjitale.
Por, gjithashtu, parashikohet edhe informacioni për të drejtën e heqjes dorë dhe mënyra e afati i ushtrimit të kësaj të drejte; shpenzimet për kthimin e mallrave; asistencën pas shitjes; garancitë financiare, mundësitë për zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve, etj.
Konsumatori do të ketë të drejtë të heqë dorë nga kontratat jashtë qendrave të tregtimit dhe në largësi brenda 14 ditësh. Afati 14-ditor fillon nga dita kur konsumatori merr në dorëzim mallin, në rastin e kontratave të shitjes, dhe dita e lidhjes së kontratës, në rastin e kontratave të shërbimit. Në rast të mosdhënies së informacionit për të drejtën e heqjes dorë nga kontrata, konsumatori ka të drejtë të heqë dorë brenda 12 muajsh.
Por, edhe konsumatori ka detyrime të reja në rast të ushtrimit të heqjes dorë nga kontrata. Konsumatori detyrohet për shpenzimet e kthimit të mallit. Po ashtu, në rast se konsumatori e ka përdorur mallin në një mënyrë të ndryshme nga ajo që mund të përdoret në dyqan për ta provuar e për ta parë a kontrolluar cilësinë e natyrën e tij, atëherë ai detyrohet për vlerën e pakësuar të mallit. Po ashtu, konsumatori detyrohet për aq sa e ka përdorur shërbimin.
Por ka edhe raste kur e drejta e heqjes dorë nuk mund të ushtrohet. Raste të tilla përfshijnë: kontratat e shërbimit, kur shërbimi është kryer plotësisht; rastet e shitjeve, ku çmimi varet nga luhatjet e tregut; furnizimet e bëra sipas specifikimeve të konsumatorit; sendeve që skadojnë apo prishen shpejt; sendeve të vulosura, të cilave u është hequr vula; sendeve që janë përzier në mënyrë të pandashme me të tjera; pijeve alkoolike, ku çmimi varet nga luhatjet e tregut dhe nuk mund të kontrollohen nga tregtari; kontratave ku konsumatori ka kërkuar shprehimisht vizitën nga tregtari për riparim në shtëpinë e tij; etj.
Një nen i veçantë parashikon dorëzimin e mallit. Ky nen parashikon afatin 30-ditor, brenda të cilit duhet të dorëzohet malli, përndryshe konsumatori mund të zgjidhë kontratën. Në rastet kur afati është thelbësor, konsumatori mund ta zgjidhë menjëherë kontratën, pa i lënë një afat tjetër kohor tregtarit. Përveç rimbursimit të plotë, konsumatori mund të mbështetet në dispozitat e Kodit Civil për të kërkuar shpërblimin e dëmit.