Ish-drejtuesi i prokurorisë së Tiranës Petrit Fusha dërgohet në gjyq për akuzën e deklarimit të rremë të pasurisë. Prokuroria e Durrësit që hetoi çështjen prej korrikut të vitit 2022 tha se pikënisje ishte vettingu ndaj prokurorit i cili dha dorëheqjen para vendimit të trupës së vlerësimit në vitin 2019.
Fusha ka qenë me detyrën e prokurorit dhe në bazë të ligjit iu nënshtrua procesit të rivlerisimit. Sipas akuzës, ish-prokurori ka deklaruar rrethana të rreme për pasuritë që disponon, ka kryer veprime fiktive për dhënien me qira të disa objekteve si dhe nuk ka deklaruar shpenzime në lojërat e fatit gjatë viteve 2010 deri në 2016, në vlera të konsiderueshme financiare.
"Në funksion të hetimeve të procedimit penal nr. 2733/2019, në ngarkim të të pandehurit P.F., rezulton se janë përfunduar hetimet lidhur me akuzën “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë, i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik, ose i çdo personi që ka detyrim ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a, pgr. 2, i Kodit Penal dhe në datën 05.12.2023 çështja i është dërguar Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për shqyrtim" informoi sot prokuroria e Durrësit.
Nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, është dërguar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, raporti me rezultatin përfundimtar të hetimit administrativ për ish-prokurorin ku u kërkua të hetohet për faktet në kuadër të rivlerësimit kalimtar.
Ky fakt ka shërbyer për regjistrimin e çështjes penale, në ngarkim të tij dhe më pas ka sjellë marrjen e tij në cilësinë e të pandehurit.
Ish-drejtuesi i prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha dha dorëheqjen në shkurt të vitit 2019 nga frika e Vetingut, pikërisht një ditë pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i dërgoi rezultatet e verifikimit si dhe i kaloi barrën e provës për të provuar të kundërtën e konstatimeve të KPK.
Në një shkrim të publikuar në korrik 2022 rezulton se Petrit Fusha ngriti një pasuri me vlerë qindra mijëra euro me dhurata dhe kredi. Sipas dosjes së prokurorisë Me hotelin dhe restorantin që ndërtoi me vlerë 500 mijë euro, në tokë të dhuruar dhe para pjesërisht dhuratë, Petrit Fusha dhe bashkëshortja e tij Sanije Bulku kanë fituar rreth 760 mijë euro, në harkun kohor 2004-2016.
Ah, na qenkerkesh hetim administrativ...
Përgjigju