Dosja e vjedhjes së 700 mijë eurove në Postën e Durrësit tashmë është në duart e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në Tiranë, e cila ka regjistruar procedimin penal pas dyshimeve se pas vjedhjes qëndron një grup i strukturuar kriminal. Sipas burimeve të Report Tv, dyshimet për përfshirje në skemë prekin edhe deputeten e PS-së, Etleva Budini, ish-drejtoreshë e Postës së Durrësit, emri i së cilës nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Në SPAK është hedhur edhe shorti për caktimin e prokurorit që do të marrë në shqyrtim çështjen. Dosja i kaloi Prokurorisë së Posaçme pasi Prokuroria e Durrësit, ku hetimet drejtoheshin nga prokurori Gazmend Frëngu, shpalli moskompetencën pasi janë gjetur elementë funksionimi si grup i strukturuar kriminal.

Report Tv konfirmoi gjithashtu se moskompetenca nga ana e Prokurorisë së Durrësit është ngritur për shkak të subjektit dhe veprës penale, sipas nenit 75/a, germat b dhe c të Kodit të Procedurës Penale. Pra referimi i është bërë SPAK-ut me argumentet se duhet të vlerësonte nëse jemi përpara grupit të strukturuar kriminal dhe nëse zyrtarët e lartë të dyshuar janë të përfshirë apo jo.

Gjithçka u zbulua pas një kontrolli të brendshëm të Postës Shqiptare. Nga verifikimet rezultoi se 700 mijë euro, të destinuara për pagesën e pensioneve, ishin regjistruar si transferta drejt degëve të Shijakut dhe Krujës, por paratë nuk kishin mbërritur në destinacion.

Në dosjen hetimore janë evidentuar 11 mandate pagese. Kamerat e sigurisë kanë dokumentuar lëvizjen e parave nga arka drejt zyrave të drejtuesve të filialit. Në pamjet e publikuara, drejtoresha e atëhershme, Elisabeta Mataj, shihet teksa merr para në zyrë me qese të zeza. Prokuroria e Durrësit po verifikonte edhe dyshimet se Mataj mund të kishte shpenzuar para në kazino.

Skandali i vjedhjes në Postën e Durrësit shpërtheu korrikun e kaluar, kur u arrestua drejtoresha e atëhershme në detyrë, Elisabeta Mataj e akuzuar se se në bashkëpunim me vartësit përvetësoi mbi 700 mijë euro të destinuara për pensionet në Krujë dhe Shijak.  Vetëm dy muaj më pas ajo u la në arrest shtëpie, ku ndodhet edhe aktualisht. Në arrest shtëpie janë edhe ish-shefja e financës Valbona Duni dhe arkëtarja Paola Dana.

Pak ditë para se Mataj të lirohej nga qelia, bashkëshorti i saj Fetaj Mataj u promovua në poste drejtuese në Bashkinë e Durrësit, duke u emëruar Përgjegjës për Evadimin e Mbetjeve Urbane.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë