Prokuroria mbyll dosjen CEZ,
shpëtojnë Berisha e Shkëlzeni

Ditën kur Bashkimi Evropian paralajmëroi një tjetër shtyrje të çeljes së negociatave për shkak të mungesës së luftës kundër korrupsionit, prokuroria, organi kryesor për luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet në Shqipëri, ka kërkuar mbylljen e dosjes së një prej aferave më të mëdha financiare në 27 vitet e fundit. Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar gjykatës mbylljen e dosjes së CEZ, referuar nga Kuvendi i Shqipërisë pas një hetimi disamujor, ku në listën e të kallëzuesve ishin edhe Sali Berisha dhe i biri i tij, Shkëlzeni. Kërkesa drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për mbylljen e dosjes i është dërguar edhe Kuvendit të Shqipërisë. Në raportin e komisionit hetimor, i miratuar nga Parlamenti, dëmi ekonomik i shkaktuar nga veprimet dhe mosveprimet e mbi 17 ish-funksionarëve shtetërorë ishte 450 milionë euro. Megjithatë, sipas prokurorisë, në dosjet me objekt të njëjtë, referuar nga Kuvendi dhe Romeo Kara, nuk ekzistojnë elemente të veprave penale. 


“Nga hetimi nuk rezulton të jenë konsumuar elementët e figurës së veprës penale të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal. Kjo është një vepër penale që ka si objekt material të saj përfitimin e parregullt të çfarëdolloj, qoftë përfshirë edhe atë material dhe si e tillë, në rast se do të ekzistonte ky fakt, do të krijohej dyshimi se nga vepra penale janë gjeneruar të ardhura të paligjshme dhe do të ishim në kushtet e nenit 287. Në mungesë të figurës bazë dhe dyshimit për aktivitet kriminal, siç edhe kërkon dispozita, hetimi për këtë vepër nuk mund të vazhdojë. Për këtë arsye, në mbështetje të nenit 328/1, shkronja ‘dh dhe 329/a të Kodit të Procedurës Penale, kërkoj pushimin e procedimit penale, datë 19/09/2017, për veprat penale të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike dhe pastrimit të produkteve të veprave penale, parashikuar nga nenet 245/1 dhe 287 të Kodit Penal”, thuhet në kërkesën e firmosur nga prokurorja Alma Bramo, drejtuar Gjykatës së Tiranës. 

Mbyllja në kohë rekord
Prokurorisë i janë dyshuar vetëm 10 ditë kohë për të dalë në konkluzionin se në kallëzimet e referuar nga Kuvendi dhe Romeo Kara për çështjen CEZ, nuk ka elemente të veprave penale. Prokuroria e Tiranë ka vendosur që ta regjistrojë procedimin penal në datë 19 shtator të këtij viti, ndërsa vendimi për pushimin është marrë vetëm 10 ditë pas regjistrimit. Prokurori, ndër të tjera ka arsyetuar se kalimi i në llogari të Nuel Kalajt të rreth 7 milionë euro nga CEZ, në periudhën janar 2008-qershor 2009, nuk përbën vepër penale, pasi Kalaj nuk ka kryer transaksion në llogaritë e ish-funksionarëve shqiptarë. “Shumat e mësipërme nuk mund të konsiderohen përfitim në kuadër të arsyetimit të mësipërm, pasi nuk rezulton që nga kjo shumë të jetë kryer ndonjë transaksion i mëtejshëm në favor të ndonjë përfituesi, i cili mund të kryejë ndikim. Nëse i referohemi kohës në të cilën është bërë kalimi i shumës në tërësi, periudhës gjatë të cilës janë kryer transfertat, themi se transferta e fundit mban datën 12/6/2009, ndërsa e-mailet e tjera, ku përmenden takime me të birin, duke nënkuptuar kryeministrin dhe lidhjen me shtetasin Shkëlzen Berisha, janë kryer më vonë, në vitin 2010 e në vijim”, thuhet në vendimin e Prokurorisë.

Kërkesa para Vetingut
Kërkesa e Prokurorisë së Tiranës për mbylljen e dosjeve të CEZ, pas veprimeve paraprake të Prokurorisë së Përgjithshme, vjen para daljes së rezultateve të para të procesit të Vetingut. 68 prokurorë dhe gjyqtarë për kontrollohen nga autoritetet shqiptare dhe hetuesit nga SHBA-BE për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet mundshme me krimin dhe aftësitë profesionale. Gjithashtu, kërkesa për mbylljen e një prej dosjeve më të rënda të abuzimit në Shqipëri vjen pas pushimit të qindra kallëzimeve për korrupsion, gjatë katër viteve të fundit.

Akuzat
Referuar dosjes së dorëzuar në prokurori nga Kuvendit, protagonistët e privatizimit të OSSH akuzohen për konsumimin e pesë veprave penale. “Mbi bazën e këtyre të dhënave që pasqyrohen edhe në dokumentacionin e sipërpërmendur, rezulton se ndodhemi përpara fakteve dhe provave të pakundërshtueshme se personat e lartpërmendur kanë konsumuar elementët e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Mashtrimit”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, vepra penale këto të parashikuara nga nenet 143, 245/1, 248, 258 dhe 287 të Kodit Penal”, thuhet në kallëzimin penal.

cez

d.c./shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen