Banorë të ndryshëm të Marinzës dhe Zharrëzit gjatë ditës janë marrë në pyetje nga prokurorët në kuadër të hetimit të nisur nga organi i akuzës ndaj kompanisë “Bankers Petrolium” e cila mëngjesin e së mërkurës provokoi shpërthime të puseve të naftës në Marinzë, duke sjellë dëme kolosale. 

Sakaq një grup prokurorësh me specialist mjedisi kanë zbarkuar edhe gjatë ditës sotme në fshatin Marinzë për të parë nga afër pasojat e shpërthimeve dhe për të hetuar për shkaqet

Burime të pakonfirmuara pranë prokurorisë së Fierit bëjnë me dije se edhe drejtues të kompanisë Bankres janë marrë në pyetje nga prokurorët lidhur me këtë çështje. 

Zbulimi i dokumentit nga televizoni A1Report që tregon se Ministria e Mjedisit me datë 27 shkurt të këtij vitit ka pezulluar aktivitetin e kompanisë e Bankers, e pavarësisht kësaj kjo e fundit ka vijuar aktivitetin, ka vënë në lëvizje policinë dhe prokurorinë e Fierit e cila nisi hetimet ndaj kësaj kompanie.

Hetimi ka nisur pasi Kompania Kanadeze nuk ka respektuar vendimin e Ministrisë së Mjedisit për pezullimin e aktivitetit pasi ishin konstatuar shkelje. 

Kjo kompani edhe pse e pezulluar prej një muaji e gjysmë vijonte aktivitetin e saj në mënyrë të paligjshme në zonën e Patos Marinzes. 

Në kuadër të këtij hetimi pas shpërthimeve të sotme të puseve të naftës, prokuroria ka nisur hetimet ndaj kompanisë Bankers edhe për veprat penale të shkatërrimit të pronës nga pakujdesisë dhe shkatërrimit të mjedisit.

Më poshtë njoftimi i Policisë së Fierit për nisjen e procedimit penal ndaj "Bankers Petrolium"

Më datë 01.04.2015,filloi procedimi penal në ngarkim të Kompanisë” Bankers Petroleum” sepse rreth orës 07:21 , në vendin e quajtur fshati Marinëz, konkretisht në afërsi të Pusit P29, ka shpërthyer një fontanë gazi e përzier me ujë dhe llum.
Nga komunikimet paraprake me banorë të zonës dhe nga verifikimi në vend rezulton se kishte çarje të sipërfaqes së tokës në disa vende me nxjerrje në formë fontane me përmasa të ndryshme. Këto fontana janë në afërsi rreth 200 metra nga pusi i shpimit të Kompanisë Bankers Petroleum, pus i cili ka nr.P29.
Duke qenë se kjo fontanë kishte përbërje gazi, në vende të ndryshme përreth fontanës kryesore kishte çlirime të tjera të cilat mund të shkaktonin çedim të terrenit dhe dëmtime të banesave përreth. pas komunikimit me drejtues të pushtetit lokal, u morën masa të menjëhershme për evakuimin e banorëve përreth zonës së mësipërme.
U evakuan fillimisht 50 familje si dhe u bë sigurimi i vendit duke mos lejuar futjen e personave të tjerë të paautorizuar në këtë territor përveç punonjësve të kompanisë Bankers Petroleum dhe forcave të emergjencës.
Më përfundimin e aktivitetit të fontanimit të pusit, rreth orës 13:00, u kryen veprimet e para proceduriale. U bë kqyrja e banesave të dëmtuara nga llumi dhe uji i dalë nga fontana në banesat përreth ku u kqyrën 6 banesa pa dëmtime strukturore në konstruktin e tyre por duke patur dëmtime në sipërfaqet e tokës përreth tyre. Është kqyrur dhe një pjesë e rrugës së fshatit Marinëz, rrugë e paasfaltuar, e cila ka pësuar dëmtime në disa pjesë të saj.
Janë marrë deklarime personave që kanë dijeni për veprën penale, banorë të banesave të dëmtuara dhe banesave përreth.
Gjatë gjithë kohës janë mbajtur kontakte të vazhdueshme me pushtetin lokal, Specialistë të Emergjencave Civile në Prefekturën Fier si dhe specialist të Kompanisë Bankers për tu informuar në lidhje me situatën për eliminimin e fontanimit dhe shmangjen e pasojave të mëtejshme. Nga ana Kompanisë Bankers u ndërhy në pusin P29 duke kryer çimentimin e pusit, injektimin e lëndëve speciale për këto raste dhe rreth orës 19:15 na është konfirmuar se zona është e sigurtë por nga ana e forcave të policisë po mbahet një perimetër sigurie prej 500 m nga pusi P29. 
Gjatë kryerjes së veprimeve janë mbajtur kontakte dhe me specialist të A.K.B.N Tiranë (strukturë në Ministrinë e Energjitikës), të cilat kryen inspektimin në vend dhe aktualisht nuk kanë dalë në një konkluzion përfundimtar mbi shkakun e kësaj ngjarje. Deri në këto momente, nuk ka persona të dëmtuar apo banesa me dëme strukturore por është konstatuar vetëm dëm në të mbjella dhe strukturën e tokës përreth këtyre banesave që u përkasin shtetasve.S.Pipa,A.Karamani, N. Shabani,S.Karamani, N. Suku, J.Prifti, G.Shahini,A.Profka dhe P. Konomi. 
Nenet 161 e 201 të K.P.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)