TIRANË, 3 Korrik/ATSH-Arbi Fortuzi/-.Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë dërgon për gjykim kërkesën ndaj dy ish-zyrtarëve të lartë të ALUIZNI-t Vlorë, të akuzuar për "shpërdorim detyre".
Burime nga Prokuroria bëjnë të ditur se Ish-drejtori Sami Selfo dhe ish-përgjegjësi Edmond Lleshi akuzohen se kanë legalizuar një ndërtim pa leje në rrugën Vlorë-Orikum, në kundërshtim me ligjin.
I pandehuri Sami Selfo është Drejtori i dytë i Aluzini-t Vlorë që dërgohet për gjykim nga Prokuroria Vlorë, pasi tre muaj më parë është dërguar për gjykim edhe ish Drejtori tjetër i mëparshëm shtetasi Roland Tafilaj, së bashku me shtetasin Besnik Zërra, ish Përgjegjësi tjetër i Sektorit të Urbanistikës dhe Sektorit të Legalizimit pranë Aluizni-t Vlorë, të cilët janë akuzuar gjithashtu për kryerjen e veprës penale "shpërdorimi i detyrës".
Më poshtë është kërkesa e plotë e Prokurorisë së Vlorës ndaj dy ish-zyrtarëve të lartë të Aluizni-t PROKURORIA VLORË
KËRKESË PËR GJYKIM
Të pandehur:
- Sami Selfo, i datëlindjes 1964, lindur dhe banues në Vlorë, i hetuar në gjendje të lirë pa masë sigurimi.
- Edmond Lleshi, i datëlindjes 1982, lindur në Burrel dhe banues në Vlorë, i hetuar në gjendje të lirë pa masë sigurimi.
TË AKUZUAR: Për kryerjen e veprës penale të "Shpërdorimit të detyrës" parashikuar nga neni 248 i K.Penal.
-Në përfundim të hetimit të procedimit penal të vitit 2013 ka rezultuar e provuar sa më poshtë:
Më datë 20.12.2013, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë mbi bazën e kallzimit penal të paraqitur nga shtetasi A.B. ka rregjistruar procedimin penal për veprën penale të "Ndërtimit të paligjshëm" të parashikuar nga neni 199 gërma "a" e Kodit Penal.
Më datë 23.05.2014, lidhur me këtë procedim penal organi i akuzës ka rregjistruar veprën penale të "Shpërdorimit të detyrës" të parashikuar nga neni 248 i K.Penal në ngarkim të personave nën hetim Sami Selfo dhe Edmond Lleshi.
Në përfundim të hetimit të procedimit penal të vitit 2013, nga provat e mbledhura gjatë këtij hetimi ka rezultuar e provuar se, nga ana e të pandehurve Sami Selfo ish-Drejtor i Drejtorisë së ALUIZN Vlorë dhe Edmond Lleshi ish-Shef i Sektorit të Legalizimit dhe Urbanistikës pranë kësaj drejtoriejanë kryer veprime të kundraligjshme në procesin e legalizimit të objektit tre katësh në zonën kadastrale 8602 Vlorë, për të cilin është dhënë Leja e Legalizimit datë 18.07.2013 në emër të shtetasit A.M. që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës në kohën kur ata ushtronin këto funksione publike. Këto veprime vijnë në kundërshtim me dispozitën urdhëruese, neni 4/2 të Ligjit nr.9482, datë 3.4.2006 "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje", i ndryshuar me ligjin 141/2013, që bën fjalë për zbatimin të kriterit kualifikues/përjashtues të legalizimit, pikërisht të distancës së objekteve nga aksi rrugor. Moszbatimi i këtij kriteri në rastin objekt procedimi ngarkon me përgjegjësi të pandehurit Sami Selfo dhe Edmond Lleshi, në cilësinë e ish-titullarëve të Drejtorisë së ALUIZNI Vlorë.
Në kuadër të veprimeve hetimore është sekuestruar dosja e legalizimit, nga studimi i së cilës rezulton se, Bashkia Vlorë ka rregjistruar vetdeklarimin të datës 10.11.2006 të shtetasit A.M për legalizimin e një objekti banesë familjare me sip ndërtimi 800 m², numri i kateve mbi tokë 1, viti i ndërtimit 2003. Me shkresën datë 12.04.2013, Drejtoria e ALUIZNI Vlora 1, ka dërguar propozimin pranë Drejtorisë së Përgjithshme ALUIZNI Tiranë, për kalimin në pronësi të parcelës ndërtimore në favor të poseduesit A.M, për të cilën është miratuar Vendimi i Këshillit të Ministrave nr.345, datë 24.04.2013 "Për kalimin në pronësi të parcelave ndërtimore në favor të poseduesve të objekteve informale", botuar në fletoren zyrtare nr.72 datë 07.05.2013, nga ALUIZN Vlora 1. Me Urdhrin e Brendshëm nr.172 datë 10.05.2013, Drejtori i këtij institucioni, personi nën hetim Sami Selfo, ka nxjerrë Urdhrin e Bredshëm "Për pezullimin e procedurave të legalizimit të objektit informal të vetdeklaruar nga shtetasi A.M .", ku një ndër shkaqet e pezullimit është mosrespektimi i distancave të objektit nga aksi rrugor kombëtar dhe vendndodhja e tij shumë pranë vijës bregdetare, ku është lënë si detyrë ngritja e një grupi pune për verifikimin e situatës teknike-juridike të këtij objekti informal. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin nr.1634 vendimi datë 24.06.2013 ka anuluar aktin adminsitrativ, Urdhrin e Drejtorisë së ALUIZN Vlora 1, nr.172/2013.
Me Urdhrin e Brendshëm datë 12.07.2013 të drejtorit të kësaj agjensie, Sami Selfo është urdhëruar vazhdimi i procedurave admisitrative të procesit të legalizimit për këtë objekt. Më datë 13.07.2013, nga Drejtoria Rajonale e ALUIZNI Vlorë janë mbajtur Procesverbali i Konstatimit dhe Akt-Kualifikimi për objektin tre katësh, për aktivitet social-ekonomik me parcelë ndërtimore 320 m², sipërfaqe bazë e objektit 293 m², ndërtuar në tokë shtetërore. Në procesverbalin e konstatimit rezulton se largësia e objektit nga rruga është 5.6 m dhe në Aktin e Kualifikimit, në rubrikën "Cënon sistemin rrugor kombëtar" është bërë shënimi se ky kriter është respektuar. Këto procesverbale janë nënshkruar nga Përgjegjësi i Zyrës së Legalizimit dhe Urbanistikës Edmond Lleshi dhe Drejtori i ALUIZN Sami Selfo. Më datë 17.07.2013 është lidhur nga Drejtoria e ALUIZN Vlorë kontrata e kalimit të pronësisë të parcelës ndërtimore me blerësin A.M dhe më datë 18.07.2013 është nxjerrë Leja e Legalizimit për objektin në fjalë, mbi bazën e së cilës kjo pasuri është rregjistruar në ZVRPP Vlorë në rregjistrin hipotekor datë 09.09.2013.
Nga ana e organit procedues është bërë kqyrja e vendit të ngjarjes nga ku ka rezultuar se objekti ndodhet në anën perëndimore të rrugës nacionale Vlorë-Orikum, mbi strukturën e bregut të detit. Objekti dy katet e para i ka të puthitura me murin mbajtës të rrugës nacionale. Këndi verior i platformës shesh-pushim i shkallëve të zbritjes për katet e objektit ka distancë 1.7 m nga rruga nacionale. Më në lindje të këtij objekti ngrihen dy kolona betoni të shkëputura nga shkallët, ku kolona veriore ka distancë 6.8 m nga muri mbajtës i rrugës dhe kolona jugore ka distancë 1.8 m po nga ky mur. Lidhur me katin e tretë, distanca nga këndi verior i kësaj faqe nga tek rruga është 3.4 m, nga këndi jugor të rruga është 3 m dhe nga pika e mesit të kësaj faqe 3.6 m. Matjet e mësipërme nga këto tre pika janë bërë dhe nga aksi i rrugës nga ku ka rezultojnë 6.75, 6.45 dhe 7.05m".
Nga informacioni i marrë nga Drejtoria e Planifikimit të Territorit pranë Bashksië Vlorë rezulton se për zonën ku është legalizuar objekti në zonën kadastrale 8602 i shtetasit A.M. nuk ka të miratuara studime urbanistike.
I pyetur në cilësinë e personit nën hetim, shtetasi Edmond Lleshi ka shpjeguar se,detyra ime si përgjegjës i Zyrës së Legalizmit dhe Urbanistikës ka qenë kontrolli i dokumentacionit tekniko-ligjor dhe financiar të dosjes. Përsa i përket plotësimit të aktit të kualifikimit, plotësimi i rubrikës së titulluar "Cënon sistemin rrugor kombëtar" ka qenë detyra e sektorëve që ai drejtonte.
Përsa më sipër, rezulton se nga ana e të pandehurve Sami Selfo, në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë ALUIZN Vlorë në kohën kur është kryer legalimi nr.99176 /2013 dhe Edmond Lleshi, në cilësinë e Shefit të Sektorit të Legalzimit dhe Urbanistikës pranë kësaj drejtorie në kohën kur është kryer legalizimi, janë konsumuar elementë të veprës penale të "Shpërdorimit të detyrës" parashikuar nga neni 248 i K.Penal, pasi është vepruar në kundërshtim me Ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006 "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje", i ndryshuar me ligjin 141/2013, Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë miratuar me ligjin nr.8378, datë 22.7.1998, i ndryshuar dhe Rregulloren e Zbatimit të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave nr.153, datë 97.04.2000.
Përsa më sipër, në zbatim të dispozitës urdhëruese, neni 4/2 i Ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, objekti i vetdeklaruar në zonën kadastrale 8602 Vlorë nga shtetasi A.M duhet të ishte përjashtuar nga procesi i legalizimit, pikërisht nga funksionarët publik kompetent për kontrollin e zbatimit të këtij kriteri kualikues/përjashtues për legalizim, të pandehurit Sami Selfo dhe Edmond Lleshi. Për rrjedhojë, personat në fjalë kanë kryer veprime të kundraligjshme që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke sjellë pasojë në cënimin e drejtëpërdrejtë të interesave shtetërorë dhe publikë.
I pandehuri Sami Selfo është Drejtori i dytë i Drejtorisë Rajonale të Aluzini-t Vlorë që dërgohet për gjykim nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, pasi tre muaj më parë është dërguar për gjykim edhe ish Drejtori tjetër i mëparshëm shtetasi Roland Tafilaj, së bashku me shtetasin Besnik Zërra, ish Përgjegjësi tjetër i Sektorit të Urbanistikës dhe Sektorit të Legalizimit pranë Drejtorisë Rajonale të Aluizni-t Vlorë, të cilët janë akuzuar gjithashtu për kryerjen e veprës penale "shpërdorimi i detyrës", të parashikuar nga neni 248 i K.Penal./a.g/